Ballina Aktualitet PE: Rajoni të mos synojë shtete një-etnike

PE: Rajoni të mos synojë shtete një-etnike

Parlamenti Evropian miratoi të enjten rezolutën për Serbinë, në të cilën theksohet se janë bërë përparime në reformat ekonomike, por se është më rëndësi thelbësore, të arrihen rezultate të prekshme në reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e mediave.

Rezoluta mirëpret “angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Gjithashtu eurodeputetët përshendësin përpjekjet që janë bërë për të normalizuar marrëdhëniet me Prishtinën.

“Çdo marrëveshje mbi normalizimin e raporteve do të jetë e pranueshme vetëm nëse pajtohen të dyja palët dhe nëse ajo ruan stabilitetin në rajon dhe të drejtën ndërkombëtare” thuhet në rezolutë.

Sa i përket idesë për ndryshim të kufijve, Parlamenti Evropian, thekson se “shtetet etnikisht të pastra nuk duhet të jenë qëllim i rajonit” përderisa potencohet struktura shumetnike e Kosovës dhe Serbisë.

Dokumenti i jep rëndësi themelimit të asosacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe zbatimit të gjitha marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve përfshirë edhe atë për energjinë.