Të dashur Motra dhe Vëllezër,
Qytetarë dhe qytetare të mbarë Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Preshevës, Malit të Zi e Çamërisë, Bashkatdhetarë kudo që ndodheni,
Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, Flamurit tonë të zemrës, Atdheut tonë të dashur.
Në këtë ditë të shënuar të gjithë ndihemi krenarë dhe përkujtojmë luftrat dhe sakrificat e popullit tonë për të qënë i lirë dhe i pavarur, duke ruajtur krenarinë e shqiptarit në çdo situatë që ndodhemi, brenda e jashtë Atdheut.
Kjo ditë e shenjtë kombëtare duhet jo vetëm të na gëzojë, por edhe të na bëjë të reflektojmë! T’i shtrijmë dorën më të dobtëve dhe të margjinalizuarve, të mos pranojmë arrogancën, të punojmë për një shoqëri të hapur, tolerantë dhe solidare. Ne nuk mund të lejojmë që diferencat sociale dhe ekonomike të cënojnë dinjitetin e barabartë të qytetarëve dhe barazinë e tyre para ligjit.
Hemoragjia e një rinie që e kërkon të ardhmen jashtë atdheut, duhet të jetë një këmbanë e fortë alarmi për një reflektim të sinqertë dhe mbi të gjitha patriotik.
Motra dhe vëllezër, ju bëjmë thirrje të mos shuajmë shpresën për ditë më të lumtura në këtë vend të begatë. Shqipëria meriton dashuri dhe besim, ua kemi borxh të parëve tanë, etërve të kombit!
Familja Mbretërore do të jetë kurdoherë në shërbim të kombit shqiptar, pa kushte, me përkushtim të plotë, me dashuri vëllazërore dhe me besim të pakompromis në Zot e në Atdhe.
Rroftë Kombi Shqiptar! Rroftë Bashkimi Kombëtar!”
Princ Leka