Festa Tradicionale e Gështenjës në Tropojë

Më datë 13 Tetor 2018, në Tropojë u zhvillua “Festa Tradicionale e Gështenjës”, ku morën pjesë Presidenti i Republikës z. Ilir Meta, Kryetari i Bashkisë z. Besnik Dushaj, deputeti i zonës z. Isuf Çelaj, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë z. Qemal Minxhozi, drejtori i divizionit të Euro-Azisë në “Zëri i Amerikës” z. Elez Biberaj, diplomat dhe ambasador Flamur Gashi, këshilltari i Presidentit të Republikës z. Rasim Hasanaj, këshilltar për diasporën z. Arbër Bashkurti, të ftuar nga rrethet e qarkut dhe të vendit, të ftuar nga rajoni i Dukagjinit në Republikën e Kosovës, nga Mali i Zi, etj. Në fjalën përshëndetëse Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, ndër të tjera theksoi: “Inkurajimi i mbrojtjes dhe zhvillimit, jo vetëm i këtyre masivëve, por mundësisht edhe i rritjes së tyre jo vetëm në Tropojë që ekziston tradita, por edhe në vise të tjera të Shqipërisë ku ekzistojnë mundësi dhe potenciale duhet të jetë një synim për të ardhmen”. Në fjalën përshëndetëse të kryetarit të bashkisë Tropojë, z. Besnik Dushaj u theksua kujdesi që duhet të tregohet për ruajtjen dhe shërbimet kulturore dhe sanitare të kësaj peme. Fjala përshëndetëse nga shoqata “Gështenja e Tropojës” me temën: “Gështenja me një të shkuar të lavdishme, me një të sotme të zymtë dhe një t’ardhme të pa sigurtë”. Nëse ekziston një dru pyjor që ka qenë kaq i dobishëm dhe ka dhënë kaq kontribut për jetën e njerëzimit në epoka, si në shuarjen e urisë, zbutjen e varfërisë, strehimin, meremetimin, mobilimin, ngrohjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së jetës në fshat, protagoniste dhe zotëruese e rolit vendimtar për komunitetet malore, atëherë ky dru pyjor është gështenja. Gështenja është njëkohësisht një frut i këndshëm, ushqim me vlera universale ushqimore që ka zëvendësuar bukën, duke kompensuar ushqimet e munguara në një vazhdimësi mujore dhe vjetore, një kurë shëruese, dietë për shëndetin e njeriut dhe parandaluese e shumë sëmundjeve dhe epidemive. Gështenja ka dëshmuar historikisht zhvillim ekonomik, përparim social dhe qytetërim lokal. Ajo mbart kapacitete dhe potenciale eko-turistike e rekreative dhe ka mundësi reale përhapjeje. Gështenja është një specie ekonomikisht shumë e rëndësishme, që ndikon në ekuilibrin ekonomik të afro tre mijë familjeve në rrethin e Tropojës. Ky komunitet me fare pak tokë për frymë, me mundësi të kufizuara për mbarështimin e blegtorisë dhe pa asnjë mundësi punësimi, prodhimet pyjore dhe veçanërisht gështenja kanë mbuluar të ardhurat kryesore vjetore për familjet fermere. Këto familje me të ardhurat që sigurojnë nga shitja e frutit të gështenjës përballojnë shpenzimet kryesore vjetore për ushqim, veshmbathje dhe shkollimin e fëmijëve të tyre.

Gështenja në të shkuarën dhe sot

Në të shkuarën e largët historike deri në vitet e shtetëzimit të pronave nga pushteti popullor, kashnjetet e gështenjës ishin pronë private e fshatarëve të zonës. Me shtetëzimin e ekosistemit në vitin 1945, fermerët përveç pronësisë mbi kashnjetet humbën edhe përvojën e trashëguar nga paraardhësit e tyre për menaxhimin e kashnjeteve. Gjatë këtyre viteve si pronë shteti, ato janë administruar nga Ndërmarrja e Gështenjave, me një administratë dhe një personel të specializuar inxhiniero-teknik, me fuqi punëtore që kryenin përmirësime rrënjësore dhe mirëmbajtëse, shërbime kulturore, pastrime higjeno-sanitare, shoqëruar me luftimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve. Me ndryshimin e sistemit politik, kjo ndërmarrje pushoi së funksionuari dhe fshatarët morën pronat e tyre në kufijtë e vjetër. Ky veprim nuk u shoqërua nga shteti me transferimin e pronave tek fshatarët, të cilat mbetën informale, pa status dhe pa administrator që nga viti 1990, duke ndërprerë përkujdesjen edhe shërbimet kulturore. Sot asnjë fermer nuk zotëron aftësi për menaxhimin e kashnjetit. Nuk dinë si kryhen përmirësimet, rrallimet, pastrimet, ripërtëritja natyrore, ruajtja e trashëgimisë gjenetike, sa drurë duhen për një hektar, si luftohet sëmundja e kancerit, nuk i njohin format e shfaqjes dhe fazat e zhvillimit të sëmundjes, nuk kanë informacion për degradimin, regresin, konvertimin që po u ndodh në kashnjetet e tyre.

Gjendja bio-patologjike e ekosistemit

Drurët që përbëjnë masivin e Tropojës ndodhen në gjendje shumë të rënduar biologjike dhe patologjike për arsyet e mëposhtme: 1. Për shkak të sëmundjes së kancerit të lëvores, sëmundjeve dhe dëmtuesve të tjerë dhe bimëve parazitare dhe gjysëm parazitare; 2. Për shkak të dëmtimeve nga faktorët natyrorë të motit, si akulli, bora, stuhitë, etj.; 3. Nga degradimi biologjik natyror për shkak të moshës; 4. Nga agresiviteti dhe sjelljet e pakontrolluara dhe aspak miqësore të njeriut, si dhe zjarret e vazhdueshme.

Penalitetet që ka pësuar ekosistemi nga informaliteti

Duke qenë në vakum ligjor tash e 28 vjet, pa status, në informalitet, ekosistemi dhe pronarët e tij nuk mund të përfitojnë: a) Subvencione nga shteti për mbështetjen me fonde për fermerin; b) Fonde investimesh nga donatorë vendorë dhe ndërkombëtarë nga organizata, individë dhe qeveri të vendeve të ndryshme; c) Nuk përfiton administrim, drejtim teknik, nuk i kryen shërbime kulturore, luftim sëmundjesh, mbrojtje nga dëmtimet dhe zjarret, hartimin e dokumentacionit hartografik dhe planeve të menaxhimit, etj.

Gjendja administrative dhe juridike e ekosistemit

Ky ekosistem është pronë informale. Nuk është i regjistruar në regjistrin e pronave të paluajtshme të Qeverisë Shqiptare në asnjërën nga format e pronës; 2. Nuk ka të zgjidhur statusin e pronës! Historikisht ka qenë pronë private, duke përjashtuar 40 vitet e sistemit monist që u shtetëzua; 3. Nuk ka një strukturë të përgjegjshme administrimi dhe drejtimit teknik të ekosistemit; 4. Nuk ka një plan menaxhimi, dokument teknik dhe hartografik dhe plan zhvillimi që menaxhon dhe zhvillon masivin në mënyrë të integruar; 5. Nuk ka një ligj të dedikuar që drejton, zhvillon, planifikon ekosistemin dhe rregullon marrëdhëniet mes tij dhe komunitetit.

Kërcënimet dhe rreziqet për gështenjën (Sëmundja e kancerit të lëvores shkaktuar nga Cryphonectria parasitica, si dhe dëmtues të tjerë dhe bimët parazitare dhe gjysëmparazitare)

Gjendja biologjike dhe fito-patologjike e drurëve të vjetër që përfaqësojnë vlerat gjenetike të kultivarit autokton gjendet e rënduar, aq sa ka arritur nivelin kritik të tolerancës, përtej të cilit po vazhdoi degradimi me këtë ritëm, brenda një periudhe të shkurtër dëmi bëhet i pakthyeshëm dhe pasojat të parikuperueshme. Ka evoluar me përparësi konvertimi në cungishte, duke shtuar shumë diversitetin gjenetik të kultivarit vendor. Janë shtuar ndjeshëm dëmtimet si rezultat i degradimit biologjik natyror për shkak të moshës, duke diskutuar vijimësinë e trashgimisë gjenetike të kultivarit.

Pse kërkohet mbrojtja e veçantë për gështenjën?

Për ta ruajtur si rezervë biologjike riprodhuese, për të siguruar vijimësinë e trashëgimisë gjenetike të kultivarëve vendorë;

Për të ndërprerë konvertimin në cungishte, për të ruajtur parametrat silvo-teknike të ekosistemit. Gështenja është në listën e kuqe të specieve të kërcënuara nga IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës) dhe për këtë arsye, në të gjitha vendet ku ajo kultivohet i është kushtuar vëmendje e veçantë, është shpallur “Specie në Mbrojtje” dhe po menaxhohet me shumë kujdes për të ruajtur trashgiminë natyrore të saj, pasi në disa vende janë humbur kultivarët tradicionalë. Për shkak të sëmundjes, gështenjat e Evropës janë në karantinë dhe për pasojë rregullat karantinore diktojnë që të gjitha aktivitetet që kryhen në gështenja, si prodhim e transport fidanësh, të kryhen nga persona të liçencuar; kryerja e shërbimeve kulturore e sanitare dhe trajtimet teknike, nga persona të liçencuar dhe të pajisur me “Librezë Sanitare”, si dhe lëvizje nga kashnjeti dhe transporti i materialit drusor i jetë i shoqëruar me “Çertifikatën e Origjinës dhe të Pastërtisë Patologjike”.

A kanë mundësi të gjithë fermerët t’i kryejnë shërbimet e nevojshme gështenjës?

Fermerët sot nuk janë në gjendje ta kuptojnë se kashnjetet e tyre po konvertohen në cungishte. Ata nuk e kuptojnë se cungishtja është dekadencë, regres, degjenerim i trungishtes dhe humb statusin e prodhimit të frutave. Ata sot nuk i kanë njohuritë teknike që ta kuptojnë se kashnjetet e tyre nuk do të jenë më siç ua kanë lënë baballarët e tyre. Kush mund ta realizojë këtë shërbim për gështenjën? Për të siguruar trashgiminë gjenetike të kultivarit tradicional, detyrimisht duhet të reabilitojmë drurët e vjetër për të garantuar materialin biologjik riprodhues për rikthimin e kultivarit tradicional. Subjekti që pretendon zbatimin e projektit të hartuar nga shoqata “Gështenja e Tropojës” për reabilitimin e ekosistemit agro-pyjor të gështenjës, pas një faze të gjatë të braktisjes, merr përgjegjësinë afatgjatë të rikthimit të kultivarit tradicional, vlerësimi përfundimtar i të cilit bëhet pas dy dekadash. Ky operacion duhet të udhëhiqet nga një organizëm me një personel inxhiniero- teknik me kualifikimin dhe përvojën e duhur, që i njeh kompetencat teknike dhe përgjegjësitë ligjore për ta zbatuar këtë projekt reabilitimi, i cili parashikon ripërtritjen e drurëve të vjetër për të siguruar materialin riprodhues, për të vijuar trashgiminë gjenetike të kultivarëve tradicionalë, duke iu kryer shërbimet kulturore dhe higjenike, si dhe luftimin e sëmundjeve dhe bimëve parazitare. Ky operacion kërkon detyrimisht ngjitjen në lartëstë e drurëve të gështenjës për kryerjen e këtyre punimeve, që teknikisht është klasifikuar si: A. Operacioni dendrokirurgjikal me shkallën me të lartë të vështirësisë fizike, pasi detyrimisht duhet të operohet në kurora në lartësi të drurëve dhe vetëm një numër i kufizuar njerëzish mund ta realizojnë këtë operacion; B. Operacioni me shkallën më të lartë të rrezikshmërisë për shëndetin dhe jetën e punëtorëve që marrin pjesë në operacion; C – Operacioni që kërkon trajnim suplementar dhe monitorim rigoroz për standartin teknik dhe zbatimin e kushteve të sigurimit teknik dhe të mbrojtjes në punë. A mund t’i kryejnë të gjithë fermerët këto operacione?! Jo! – dhe jo për faj të tyre. Më shumë se 80% e fermerëve nuk i kanë aftësitë fizike dhe mundësitë teknike për ta kryer këtë shërbim. Vetëm një personel inxhiniero-teknik i motivuar dhe i përgjegjshëm mund ta krijojë strukturën e nevojshme për të realizuar këtë operacion që kërkon organizim, trajnim teknik, menaxhim, përgatitje fizike, pajisjen me vegla pune, medikamentet e nevojshme dhe mjete të sigurimit teknik, etj; D. Operacioni parashikon identifikimin e prejardhjes së drurëve, vlerësimin e përbërjes gjenetike të tyre për të rikthyer kultivarin tradicional dhe operacionin silvikulturor të konvertimit në trungishte. Ky objektiv kërkon specialistë me përvojë dhe trajnimin e nevojshëm; dhe E. Operacioni parashikon një menaxhim të integruar të orientuar drejt përmirësimit gjenetik që kërkon njohjen e saktë të fazave që kalon projekti, duke ruajtur treguesit agro-silvikulturorë, duke ruajtur prioritet e rendimentit të prodhimit, ruajtjen e kurordëndësisë dhe tregues të tjerë teknik.

Një Drejtori e Shërbimit Teknik të Ekosistemit me personel inxhiniero-teknik me kualifikimin e plotë dhe përvojën e nevojshme zotëron kapacitetet teknike, organizative, drejtuese dhe menaxhuese, është kompetente, e përgjegjshme dhe e motivuar për zbatimin e këtij projekti, si dhe e projekteve të ngjashme të dedikuara për gështenjën. Shoqata “Gështenja e Tropojës”, e bindur në nevojën e domosdoshme për rehabilitimin e drurëve të ekosistemit, mbështetur në gjendjen e rënduar bio-gjenetike dhe fito-patologjike, bazuar në rekomandimet tekniko-shkencore për trashgiminë natyrore të specieve të rrezikuara dhe në përvojën e vendeve europiane, ka hartuar projektin rehabilitues të ekosistemit që konsiston në: formalizimin e ekosistemit dhe zgjidhjen e statusit të pronësisë, duke e regjistruar si pronë private në administrim bashkiak ; dhënien e statusit “Zonë e Mbrojtur e Burimeve të Menaxhuara”, duke miratuar draftligjin dedikuar ekosistemit dhe planin e zhvillimit perspektiv të ekosistemit, të diktuar nga gjendja e rëndë bio-gjenetike dhe fito-patologjike në të cilën ndodhet. Shoqata “Gështenja e Tropojës”fton, inkurajon dhe nxit organizatat e shoqërisë civile, mjedisore dhe institucionet shtetërore, si Bashkia Tropojë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, AKZM, AKM, Fakulteti i Shkencave Pyjore, si dhe organizatat e shoqërise civile që zotërojnë njohjet e nevojshme, si Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave, Shoqata e Specialistëve të Pyjeve, shoqatat pyjore dhe mjedisore, etj. të hartojnë projekte rehabilituese për ekosistemin, të aplikojnë duke konkuruar për t’u përzgjidhur ai më i miri, ai që siguron mbrojtjen, menaxhimin e integruar, rikthimin e kultivarëve tradicionalë dhe ripërtritjen e ekosistemit.

Për shoqatën “Gështenja e Tropojës”,

Kryetari, Shpend NIKOÇI