Vetura e djegur para Ambasadës ruse në Kiev
Parlamenti i Ukrainës do të vendosë nëse do të shpallë gjendjen e luftës, pas kapjes së tri anijeve ushtarake nga Rusia në natën e së dielës.
Protestuesit janë mbledhur jashtë Ambasadës ruse në kryeqyetin e Ukrainës, Kiev dhe një veturë e ambasadës është përfshirë nga flakët.
Incidenti, që ka ndodhur në ujërat e Gadishullit të Krimesë përbën një përshkallëzim tensionesh në mes të të dyja shteteve.
Edhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një takim urgjent lidhur me këtë çështje.
Secili shtet fajëson njëri-tjetrin për incidentin, në të cilin disa anëtarë të ekipit ukrainas janë plagosur.
Gjatë një takimi të Këshillit të Ukrainës për Siguri dhe Mbrojtje Kombëtare, presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, i ka përshkruar veprimet e Rusisë si “ të paprovokuara dhe të çmendura”.
Ai ka thënë se do t’i kërkojë parlamentit të hënën të shpallë gjendjen e luftës, mirëpo, sipas tij, kjo jo domosdoshmërisht nënkupton “shpallje të luftës”.
“Ukraina nuk planifikon të luftojë me askënd”, ka thënë ai.
Tensionet në mes të të dyja shteteve kanë nisur më 2014, pasi Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina, si dhe ka mbështetur vazhdimisht separatistët në konfliktin në lindje të Ukrainës, që ka rezultuar me 10,300 viktima.