Presidenti francez, Macron: Nuk ka vend për dhunë në Republikën tonë

Për të tetën ditë me radhë, me mijëra demonstrues në mbarë Francën protestuan kundër rritjes së çmimit të karburantit.

Ministri i Brendshëm Christophe Castaner tha se gjatë këtyre ditëve kishin dalë nëpër rrugët e Francës më tepër se 100,000 protestues, 8,000 prej tyre në Bulevardin e famshëm Champ-Elysees të Parisit. Në mbarë vendin pati 130 të arrestuar. Policia përdori gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për shpërndarjen e protestuesve, të cilët ngritën barrikada dhe shkatërruan semaforët dhe shenjat e trafikut, veprime që shumë vetëve u sollën në mendje protestat e vitit 1968 në kryeqytetin francez.

Presidenti Emmanuel Macron shkroi në Twitter: “Turp për ata që sulmuan policinë. Turp për ata që qenë të dhunshëm ndaj qytetarëve të tjerë… Nuk ka vend për dhunë në Republikën tonë.”

Protestat patën si shkas rritjen e taksave dhe rrjedhimisht edhe çmimin e karburanteve dhe Ministria e Transporteve tha se kjo prirje do të vazhdojë në të ardhmen.

Presidenti francez Macron këmbëngul se taksat janë të nevojshme për të pakësuar varësinë e Francës tek karburantet fosile, si dhe për të investuar për energjinë e ripërtëritshme. Gjatë javës në vazhdim, zoti Macron pritet të bëjë të njohur plane të reja, që synojnë ta bëjnë më të lehtë “tranzicionin e energjisë”.