Ballina Aktualitet GRAFIKU: Nafta në botë arrin në nivelin më të ulët të 2018-s,...

GRAFIKU: Nafta në botë arrin në nivelin më të ulët të 2018-s, në Shqipëri është rritur dy herë!

Çmimi i naftës së papërpunuar europiane, Brent, preku nivelin e tij më të ulët gjatë gjithë 2018, duke u tregtuar me 61 dollarë. Në raport me mesin e muajit tetor, kur ky tregues preku 86 dollarë, nafta ka rënë me 30% brenda pak javësh.

Ndërsa treguesit referencë për naftën e papërpunuar amerikane, WTI, ranë me 4.5 për qind dhe u tregtuan me 52.09 dollarë amerikanë për fuçi.

“E vërteta është se konsumi po ngadalësohet në të njëjtën kohë kur prodhimi i papërpunuar po rritet”, tha Konstantinos Venetis, Kryeekonomist në TS Lombard. “Kufizimet më të lehta ndaj Iranit kanë ndryshuar aritmetikën, megjithatë, duke shtuar mundësinë e rritjes së ofertës në vitin 2019”, përfundoi Z. Venetis për Financial Times.

Treguesit ndërkombëtar të naftës ranë 3%, njëkohësisht edhe niveli i më i ulëti në 13 muaj e fundit

Tema e nxehtë mbi shqetësimet e perspektivës së rritjes globale goditi edhe çmimet e naftës, ndërkohë që nuk u arrit asgjë në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve SHBA-Kinë, duke i lënë aksionet kineze të ekspozuara ndaj rreziqeve të mundshme. Të dhënat aspak të mira nga Eurozona e rritën akoma më shumë shqetësimin ndaj ekonomisë botërore, duke bërë që euroja të humbte pikë kundrejt dollarit (1.14 dollarë).

Nafta në Shqipëri

Në Shqipëri çmimi I karburantit e ka reflektuar dy herë përgjatë këtij viti shtrenjtimin e tij në bursat ndërkombëtare. Në qershor, kur nafta në botë u ngjit në 80 dollarë për fuçi, operatorët vendas reflektuan duke e shtrenjtuar karburantin me 5 lekë për litër nga 172-173 në 177-178 lekë/litër. Teksa nga korriku deri në mes të shtatorit, nafta në bursa ra në rreth 70 dollarë për fuçi, në Shqipëri ajo mbeti e pandryshuar.

Reflektimi i dytë i shtrenjtimit të naftës në bursa ishte në tetor, kur çmimi kaloi për pak ditë 80 dollarë për fuçi, duke arritur deri në 85 dollarë. Operatorët vendas e rritën karburantin edhe me 5 lekë të tjera për litër, duke e çuar mesatarisht nga 177-178 lekë në 182-183 lekë.

Ndërsa në bursa, që pas mesit të muajit tetor, çmimi i naftës ka rënë me shpejtësi, duke arritur në 61 dollarë për fuçi për treguesin Brent, që është referenca e naftës europiane.

Në Shqipëri, nafta vijon të tregtohet në nivelet e 180-182 lekëve dhe benzina në 181-183 lekë, e pandryshuar që nga mesi i muajit tetor.

Në këto nivele, Shqipëria rezulton që ka karburantin më të shtrenjtë në Europë, në raport me të ardhurat për frymë. Shqiptarëve u duhen mesatarisht 10.3% të të ardhurave ditore për të blerë një litër benzinë, duke e renditur në këtë mënyrë në shtetin europian që ka karburantin më të shtrenjtë në Europë, në raport me të ardhurat për frymë (pa përfshirë vendet e Ish Bashkimit Sovjetik).

Teksa në vlerë absolute, benzina në Shqipëri është pak më e lirë se në vende të tjera të Europës, si Francë, Portugali, Finlandë, Greqi, Holandë, Itali, në raport me të ardhurat për frymë ajo është shumë më e shtrenjtë.

Në Francë, e cila prej disa ditësh është mbërthyer nga protesta masive për shtrenjtimin e çmimeve të naftës, qytetarëve të saj u duhen vetëm 1.3% të të ardhurave ditore, pra 10 herë më pak se shqiptarëve. Italianëve u duhen 1.8% të të ardhurave ditore, holandezëve 1.1%, grekëve 2.9%.

Pas Shqipërisë, në Europë, nafta është më e shtrenjtë në vendet e rajonit, ku në Bosnjë duhen 7.6% të të ardhurave ditore, në Maqedoni 7.2% dhe në Bosnjë 7.1%./ Monitor