Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të enjten se do të mbyllë kufirin SHBA-Meksikë nëse qeveria e tij nuk arrin të vërë nën kontroll dyndjen e imigrantëve pa dokumente që kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Një masë e tillë do të ndërpriste një marrëdhënie tregtare mes dy shteteve me vlerë 1.68 miliardë dollarë në ditë.
Komentet për gazetarët zoti Trump i bëri nga vendpushimi i tij në Mar-a-Lago të Floridës, ku po kalon festën e Falënderimeve. Ai ripërsëriti gjithashtu pohimet e sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis të bëra të mërkurën, se trupat amerikane në kufirin me Meksikan janë autorizuar të përdorin forcë vdekjeprurëse nëse do të ishte e nevojshme për të mbrojtur agjentët e patrullës kufitare prej atyre që do të kalonin kufirin.
Komentet pasuan një bisedë telefonike që presidenti Trump zhvilloi me trupat amerikane që shërbejnë në rajonin e Azi-Paqësorit, telefonatë që ndodh në mesin e kritikave se ai nuk ka vizituar trupat që nga momenti që mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.
Rreth 5,800 ushtarë amerikanë po kalojnë festën e Falënderimeve duke vendosur tela me gjemba dhe duke ngritur tenda kampimi në kufirin me Meksikën mes polemikave rreth shkeljes së mundshme të një ligji amerikan 130 vjeçar, i cili ndalon përdorimin e ushtrisë për aktivitete që lidhen me rendin brenda vendit.
Duke folur rreth shqetësimeve që ka krijuar karvani i imigrantëve nga Amerika Qendrore, presidenti Trump tha se administrata e tij do të “mbyllë hyrjen në vend për një periudhë kohore nëse situata del jashtë kontrollit ose nëse do të ketë lëndim të njerëzve“.
“Dhe me ketë kuptoj gjithë kufirin. Meksika nuk do të jetë në gjendje të shesë makinat e saj në Shtetet e Bashkuara”,- shtoi ai.
Sipas informacioneve zyrtare, vitin e kaluar niveli i shkëmbimeve tregtare mes SHBA-së dhe Meksikës arriti në rreth 615.9 miliardë dollarë ose rreth 1.68 miliardë dollarë në ditë.
Zoti Trump tha gjithashtu se trupat në kufi janë autorizuar të përdorin forcë vdekjeprurëse nëse do të jetë e nevojshme, duke ripërsëritur komentet e së mërkurës të bëra nga sekretari Mattis.
Mediat citonin komandantin përgjegjës për misionin të kishte thënë se disa prej trupave mund të ktheheshin në shtëpi që në fillim të kësaj jave dhe se operacioni në mbështetje të forcave të patrullimit të kufirit duhet të përfundojë deri në mes të dhjetorit. Por në vend të zbutjes së misionin, administrata e zotit Trump duket se po e fuqizon atë.
“Presidenti e pa të nevojshme të mbështesë policinë kufitare dhe ne morëm mbrëmë një udhëzim shtesë, që na autorizon të zbatojmë masa shtesë. Po analizojmë se për çfarë bëhet fjalë”, u tha zoti Mattis gazetarëve.
Ekspertët ligjorë thonë se urdhri mund të shkelë atë që njihet si akti “Posse Comitatus” i vitit 1878, i cili së bashku me një tjetër ligj edhe më të hershëm e kufizon fuqinë e qeverisë federale, të përdorë personelin ushtarak për të vënë në zbatim politikat e brendshme.
Përshkallëzimi i situatës është pasojë e një memoje të Shtëpisë së Bardhë të lëshuar të martën, që autorizon ushtrinë të marrë masa që i konsideron “të nevojshme në masë të arsyeshme” për të mbrojtur personelin federal në kufi. Kjo mund të përfshijë “demonstrim ose përdorim të forcës (përfshirë forcën vdekjeprurëse kur është e nevojshme), kontrollin e turmës, ndalimin e përkohshëm si dhe kontrollin fizik”, thuhej në dokument.