Trafikimi – problem i përmasave të frikshme

Nga Rudina HAJDARI – deputete në Kuvendin e Shqipërisë

Statistikat e fundit të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) në Mbretërinë e Bashkuar, tregojnë një rritje prej 35% të numrit të njerëzve të trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar – shumica e këtyre viktimave vijnë nga Shqipëria, të trafikuara nga rrjete bandash kriminale që veprojnë në vendet evropiane, duke shitur viktimat si të ishin mallra konsumi.

Mënyra se si këto grupe kriminale operojnë është e frikshme. Ata i targetojnë viktimat e tyre në rrjete sociale duke u shtirur si agjenci punësimi, apo thjesht i joshin në marrëdhënie romantike duke i mashtruar e më pas duke i trafikuar.

Rreth gjysma e viktimave të trafikuara në Mbretërinë e Bashkuar po detyrohen të punojnë në industrinë e seksit. Gjysma tjetër përballet me shfrytëzimin e punës – duke punuar në të zezë për pak ose aspak para.

E gjithë kjo situatë vjen nga varfëria dhe papunësia, që sa vijnë dhe shtohen. Këtë gjë e mbështet dhe qeveria amerikane e ajo e Mbretërisë së Bashkuar me anë të raporteve vjetore që publikojnë, ku varfëria e sidomos korrupsioni janë faktorët kryesor të këtij fenomeni.

Mbretëria e Bashkuar e ka marrë me seriozitet këtë cështje duke alokuar fonde për luftimin e këtij fenomeni. Por nga ana tjetër e ka të pamundur të kontrollojë të gjitha shtetet nga ku trafikohen viktimat. Është detyrë e qeverisë shqiptare që ta ngrejë si problem dhe ta marrë më me seriozitet një problem të këtyre përmasave, ku nëna dhe vajza shqiptare po trafikohen në Europë, nga grupe kriminale shqiptare, si të ishin sende e jo njerëz.