Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që të rrisë në 100 për qind taksën për mallrat e importuara nga Serbia, vetëm dy javë pasi kishte nxitur reagime të ashpra të Beogradit por edhe të Bashkimit Evropian me një takes prej 10 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Vendimi u mor një ditë pasi Kosova nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtare e agjencisë ndërkombëtare të policisë, Interpol dhe për këtë fajësoi siç u tha “politikën agresive të Serbisë”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, shkroi në rrjetin social twitter se vendimi synon mbrojtjen e interesave jetike të shtetit të Kosovës .
“Serbia po vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës në fushën ndërkombëtare. Ajo po ashtu është duke penguar procesin e normalizimit. Për të mbrojtur interesin tonë jetik, qeveria e Kosovës ka vendosur të rrisë taksën doganore 100 për qind. Masat e mëtejme do të shpallen së shpejti”, shkroi ai.