FMN: Duhet shumë për të bërë që rritja ekonomike të jetë më e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar tha sot në përfundim të bisedimeve dy-javore që pati me autoritetet vendase se “mbetet shumë për të bërë që rritja ekonomike të jetë më e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse dhe që të dobësojë shtysat për emigracion”. Për vitin 2018, Qeveria parashikon një rritje në nivelin e 4.1 përqind, ndërkohë që dhe FMN-ja e rishikoi në ngritje vlerësimin e saj pak javë më parë, duke deklaruar se priste që rritja të jetë në nivelin e 4 përqind, qëndrim që e konfirmoi edhe misioni i saj sot në Tiranë, duke saktësuar se ajo ka ardhur prej “një shtytjeje të përkohshme prej prodhimit të energjisë elektrike falë kushteve të favorshme të motit”, deklaroi shefi i misionit Jan Kees Martijn.

Për vitin e ardhshëm, FMN-ja pret një tkurrje të ritmit të rritjes në nivelin e 3.7 përqind. Thuajse të njejtin parashikim kanë bërë dhe institucionet e tjera ndërkombëtare si Banka Botërore apo Banka Europian për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Por ministri shqiptar i Financave Arben Ahmetaj i qëndroi pritjeve të qeverisë për një rritje prej 4.3 përqind. Për periudhën afatmesme, Fondi Monetar e sheh më pozitivisht aktivitetin ekonomik të Shqipërisë. “Parashikojmë që shkalla e rritjes të jetë rreth nivelit 4 për qind, e mbështetur nga rritja e eksporteve, përfshirë turizmin dhe investimet në infrastrukture”, tha zoti Martijn.

Sipas Fondit Monetar “është po ashtu e rëndësishme të vendosen amortizues më të fuqishëm, sidomos tani që janë rritur risqet ndaj së ardhmes ekonomike të Evropës. Në reformat kyçe përfshihet fuqizimi i shtetit ligjor dhe institucioneve ekonomike, heqja e pengesave ndaj rritjes së investimeve dhe kursimeve private dhe zvogëlimi i borxhit publik me ritëm më të shpejtë nëpërmjet përmirësimit të menaxhimit të investimeve publike dhe zgjerimit të bazës së të ardhurave fiskale”.

Lidhjet e forta ekonomike të Shqipërisë me Bashkimin europian e ekspozojnë atë ndaj zhvillimeve në këtë rajon. “Një ngadalësim në këto vende, do të kishte ndikim edhe në Shqipëri nëpërmjet rënies së eksporteve, dërgesave të emigrantëve dhe investimeve të huaja të drejtpërdrejta (IHD). Gjithashtu, shtrëngimi i pritur në kushtet financiare botërore do ta rriste koston e financimit të Shqipërisë”, thekon deklarata përmbyllës e FMN-ës, duke shtuar se “krahas këtyre, ka edhe risqe të rëndësishme të brendshme. Duke vështruar përpara, nëse përparimi në reformat strukturore, përfshirë menaxhimin e financave publike, sektorin energjetik dhe sistemin gjyqësor është i pamjaftueshëm, mund ta zbehë besimin dhe ta vonojnë konvergjencën me vendet e tjera të rajonit. Kushtet e këqija të motit mund ta cënonin prodhimin e energjisë elektrike, duke krijuar kështu risqe ndaj buxhetit”.

Duke folur për borxhin publik, misioni i Fondit Monetar theksoi se sipas vlerësimeve të tij, trajektorja rënëse e borxhit deri në vitin 2021, në 62,3 për qind të PBB-së, do të jetë më e ngadaltë nga ajo që aekspertët e tij do të rekomandonin, ndërsa “për të arritur objektivin e autoriteteve për uljen e borxhit publik në nivelin 60 për qind të PBB-së brenda vitit 2021 në mënyrë të qëndrueshme, do të nevojiten korrigjime të mëtejshme fiskale”.

Lidhur me politikat fiskale, misioni i FMN-ës u shpreh se “duke pasur parasysh mungesën e hapësirës fiskale, i nxisim fort autoritetet të mos shtojnë ulje, përjashtime apo trajtime preferenciale tatimore ad hoc dhe të konsiderojnë anullimin e atyre të miratuara tashmë. Ato e bëjnë më të komplikuar dhe më pak të parashikueshëm sistemin tatimor, çka cënon, si klimën e investimeve, ashtu edhe mbledhjen e tatimeve”.

Në vlerësimet e Fondit Monetar, nuk mbeti pa u përmendur shqetësimi i përsëritur lidhur me projektet e Partneritetit Publik Privat (PPP). “Rritja e shpejtë e PPP-ve, i ka rritur risqet fiskale, çka kërkon përmirësime të tjera shtesë në kuadrin për investimet publike”. Projektet bazuar në formulën e PPP-ve janë kryesisht propozime të ardhura nga privatët. Por FMN-ja ka ritheksuar se “këshillojmë nxitjen e një procesi me oferta konkurruese duke mos pranuar më propozime të pakërkuara për PPP-të. Ndonëse shpenzimet e parashikuara për PPP-të mbeten poshtë tavanit ligjor prej 5 për qind të të ardhurave tatimore, kjo lë pak hapësirë për projekte të tjera PPP-sh me fonde shtetërore”.

Misioni i FMN-ës ka bërë thirrje që “të trajtohet pa vonesë rritja e detyrimeve të prapambetura buxhetore që nga 2016 duhet. Detyrimet e prapambetura, përfshirë ato të pushtetit vendor, çmohen se janë sa 1,5 për qind e PBB-së në fund të muajit shtator 2018. Parandalimi dhe mbajtja e tyre nën kontroll kërkojnë fuqizim të parashikimit të të ardhurave dhe menaxhimit të likuiditetit dhe përmirësim të sistemeve të kontrollit mbi angazhimet, sidomos nga ARRSH-ja. Rimbursimi në kohë i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) është me rëndësi për të krijuar besim te administrata tatimore dhe te funksionimi i sistemit të TVSH-së”.

Duke vlerësuar gjendjen e sistemit bankar, deklarata e FMN-ës thekson se “ruajtja e stabilitetit financiar ndërkohë që arkitektura e sektorit bankar është duke ndryshuar e rrit kompleksitetin e mbikqyrjes financiare”. Ndonëse nuk flet me tone shqetësuese për faktin që filialet e disa bankave nga vende të Bashkimit europian janë larguar nga tregu shqiptar duke nisur që nga viti i kaluar, misioni thekson se “ndërkohë që pronësia e bankave po u kalon grupimeve vendase dhe nga vende jo të Bashkimit Evropian, mbikëqyrja bankare ka një rol shumë të rëndësishëm për të mbajtur nën kontroll risqet që rrjedhin nga kreditimi i palëve të lidhura, kreditimi ndërkufitar dhe ekspozimet e mëdha”.