Nga Qani Osmani
Realiteti i pamëshirshëm e vrastar me të cilën sot ballafaqohet rinia shqiptare në përgjithësi, është të marshuarit drejt univerziteteve, ku sot kemi mijëra studentë të diplomuar e thuajse po aq të papunësuar. Nëqoftë se e analizojmë më detajishtë këtë realitet hasim me dilemën se a thua vallë këto univerzitete ju servojnë cilësi aq të larta të dijes sa që të rinjtë nuk shohin rrugëdalje tjetër pos univerziteteve apo se aty gjendet shpresa e tyre duke menduar se ato shërbejnë për të prodhuar dije dhe për të krijuar elitat e së ardhmes.
Fatkeqësisht, kjo shpresë, ky mund, ky mision dhe ky përkushtim i tyre goditet me thikë pas shpine nga politizimi dhe nepotizmi galopant që i ka përfshirë univerzitetet dhe institucionet shtetërore në të gjitha trevat shqiptare. Prandaj e kemi më se të qartë dhe evidente mungesën e arsimit cilësor akademik, e cila krijon antivlera tek univerzitetet e megjithatë, ky rrugëtim i të rinjve nuk ka të ndalur pasi tendencat, aspiratat dhe vizioni i tyre mbështetet te univerzitetet dhe në faktin se pas diplomimit do të punësohen më lehtë.
Çështja e arsimit shqip ka kohë që është bërë problem kronik, e cila gjithnjë e më shumë po fundoset, ndërkaq askush nuk ofron dalje nga kjo e keqe që e ka katandisur shoqërinë shqiptare. Në 20- vjetshin e fundit në përmasa fantastike na u shtuan “akademikët me tituj”, që në kushte dhe rrethana normale, kjo shumësi akademikësh do të konsiderohej si pasuri kombëtare. Për shumicën prej tyre kemi dëgjuar se kan mbaruar fakultete dhe janë kurorëzuar me tituj “magjistër” e “doktorë”, por nuk dimë se kur dhe ku e kanë mbaruar shkollën e mesme. Interesimi i jashtëzakonshëm i marrjes së titujve shkencorë në forma të dyshimta, ka bërë që sot në institucionet më të larta arsimore të vegjetojnë individë me kapacitete të zbehta intelektuale e morale. Të tillëve dikush ua ka hapur dyert që t’i edukojnë gjeneratat e reja, të cilët në këtë rast, mund ta marrim me mend, se çfarë njohuri do të përfitojnë prej profesorëve që vegjetojnë nëpër kabinetet e fakulteteve dhe shkollave, duke mos u skuqur fare përballë faktit se janë duke bërë një krim të madh.
Është me rëndësi të thuhet se pjesa dërmuese e tyre fatkeqësishtë nuk kanë as njohuri elementare për gjuhën shqipe. Janë me qindra profesor që nuk mund ta shkruajnë një lutje të thjeshtë ose, nëse e shkruajnë, do të jetë një lutje me shumë gabime gjuhësore. Ka edhe disa profesorë që shkruajnë tekste (disa i vlersojnë edhe si tekste univerzitare), të cilat në esencë janë të vjedhura dhe të përkthyera nga gjuhët e huaja.
Sikur të ofrohej mundësia për një komision të pavarur, të jashtëm dhe kompetent që do t’i hartonte disa pyetje të lehta për profesorët të shkollave të larta dhe univerziteteve, atëher realisht do të krijoheshte edhe mundësia për ndarjen e shapit nga sheqeri. Pa hezitim do të thoshim se provimin do ta kalonin shumë pak profesor. Pas kësaj gjithsesi do të kishim një profil të ri të profesorëve, të cilët do të ishin në hap me kohën, që do të kuptonin rëndësinë e arsimit sipëror, do të ishin koshientë për faktin se nxënësit apo studentët tanë paguajnë para të majme për të përfituar njohuri, do të ishin të përgaditur në çdo çast, do të ishin të çliruar nga kthetrat e politikës dhe natyrysht, nuk do të lejonin që në mesin e tyre të përvidhen injorantët e llojit të sotëm, të cilët i kemi me bollëk.
Shoqërinë shqiptare është fakt i pa mohueshëm se deri në ngufatje e ka shtrënguar amatorizmi dhe logjika provinciale, si produkt të një shoqërie të dështuar për shkak të mungesës së idealëve. Janë shumë shenja që tregojnë se papërgjegjësia nuk e turpëron askend, përfshi edhe ata që veten e konsiderojnë “intelektual”. Ndaj kjo fakton një gjendje të rëndë të shoqërisë shqiptare në përgjithësi, ku niveli i arsimit shqip ka arritur pothuajse në pikën kritike, për të mos thënë në pikën zero. Sot, fatkeqësishtë më lehtë bëhesh “magjistër e doktor” sesa ”berber” sepse askush nuk i përfill kriteret dhe rregullat. A i ka shkuar dikujtë ndërmend ta shtrojë pyetjen: po nesër kush do t’i edukojë gjeneratat e reja? Një herë e përgjithmon duhet të bindemi se rruga e shkollimit nuk është e lehtë ashtu siç u ka ndodhë viteve të fundit “akademikëve” analfabet, por është një rrugë e vështirë, e cila kërkon përkushtim dhe punë të përditshme, sepse pasojat e diturisë që falet apo blihet janë të pariparueshme.
Asnjë diplomë, çfarëdo qoftë ajo, nuk mund ta kamuflojë analfabetizmin e atyre që pretendojnë ta marrin në dorë fatin e kombit. Efektet e atyre diplomave sot i ndjejmë dhe i përjetojmë kudo që sillemi në shoqërin shqiptare. Besoni se sikur vetëm 1 për qind e atyre që kanë tituj të profesorëve, magjistrave dhe doktorëve të ngrënë zërin kundër anomalive të shumta , me siguri se sot do të ishte ndryshe. Mirpo, zëri i tyre nuk do të dëgjohet kurrë, nga se ata kanë pasur vetëm një qëllim: ta marrin një diplomë, t’i shërojnë komplekset e tyre dhe të sigurojnë ndonjë punë. Kështu do të jetë derisa nuk vjen faza e vetëdijisimit dhe zgjimit të ndërgjegjes shqiptare, arsimi në shoqërinë shqiptare do të jetë një poligon i përshtatshëm për rekrutimin e një armatë të madhe të analfabetëve.
Nga ana tjetët shikuar nga të gjitha këto këndvështrime, rrugëtimi i të rinjve është nëpër labirinthe duke u munduar që gjithsesi të gjejë destinacionin për të arritur zbatimin e qëllimeve, vizioneve dhe ëndrave në një realitet të hidhur e të zymtë ku vlerësohet i padituri dhe zhvlerësohet i dituri, ku respektohet i koruptuari dhe anatemohet i ndershmi, ku lavdërohet krimineli dhe diskriminohet e margjinalizohet i ndershmi dhe i drejti.