Mallkimi i gjakut

Nga Din Mehmeti

Zbraze , zbraze një pushkë
në derë të oborrit, o Zeqë Shpati !
Le të zgjohen të përgjumurit
strofujve të gjëmimeve shekullore,
Se sot po na shkon Fata e po shuhet kënga e dashurisë
që këndoi plangjeve tona !
Po te shkon Fatë zeza , o bacë
me sy të qëndisur me ngjyrën e kopshteve ,
me buzë posa të skuqura në bukën e misrit të ri….

O, çikë e pate
E jo fëmijë të gjetur buzë rrugëve !
O, e as rroktare jo
Për të punuar nëpër ara

Pse je shurdhuar , bre bacë ?
A s’kallesh në flakën e krahëve të vogëlushes së dashur
Që e fale pa dëshirën e saj ?

Po të shkon Fata me flokë bishtaleca të shelgjishteve
në zbërthim,
me harqe vetullash—dy krahë lejleku në fluturim ,
me bebëza vizëlluse—dy liqene të fshehura
në pishnajë….

O, ae di , Zeq Shpati,
se për ty vetima hapësirën shpon
lumenjtë dalin nga shtrati me zllapa pikëllimi në brigje,
se mordja mbi pullaze zdirgjet dhe lëpin jetën
E pëllumbave
që ajo ushqyer i ka me troha buke në shtigje

Zbraze fjalën si pushkën dikur, o Zeq Shpati
qëllo hallkën e vargonjve të ndryshkur
duarve të vogëlusheve tona
se
S’është kanu gjaku yt të mallkojë !…