Nga Ramiz Lushaj
Misionari bajemirë, Bahri Haki Hoxha i derës të fisme të mulla Idriz Tahirit nga Bicajt e Lumës, kësaj here vjen nga shtëpia e tij e dytë në Firence të Italisë me një mision tjetër të ri në qytetin e Dy Drinave e krye liqenit të Fierzës. Nderi të Nderon. Them kështu pasi ky e ka vizion të kahershëm e bisedë të ditës ngritjen nga kulla e tij lumjane dhe nga qyteti i tij – Kukësi (i Ri) një Obelsik të bukur për poetin disident Havzi Nela, martir i Fjalës së Lirë, i Lëvizjes së Lirisë… i Lirisë e Demokracisë e Integrimeve Shqiptare.
E meriton kit’ obelisk Havzi Nela, me dy dekorata presidenciale “Nderi i Kombit” (2010) e “Martir i Demokracisë” (1993), i vetmi poet i varur nga komunizmi enveriadë në Shqipëri e, njëherash, i fundit ekzekutim komunist i një disidenti në hapësirën bolshevike lindore e qëndrore të Europës kontinentale. Ai, në dorëshkrimet e burgut, gurronte vargje kundërrrjedhë: “Fryma e Helsinkut u derdh porsi era / Na përkdhel zemrat, çeli si pranvera /Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë / Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë”…/. Havzi Nela – nji jetë në kambë në gjallje të tij. Edhe kur e varën në trekambësh ishte në kambë. Edhe kur e “varrosi” diktatura e kuqe breg liqenit të Fierzës, tek nji shtyllë betoni, mbeti ashtu në kambë, pasi kështu, të tillë, në kambë, e gjetën më 1993 kur e rivarrosen me ceremoni të larta në fshatin e lindjes. Ai, prapë, sot e mote, ka me mbet’ në kambë, aty, në Kukës e në udhë-histori. Dhe në obeliskun e tij.
Edhe i vetëm e me të vetët e pragut e të gjakut, lumjani Bahri Haki Hoxha, mundej me e marrë përsipër fundekrye koston e këtij projekti, po ai don firmë e vulë institucionale, kolegjiale. Gjithçka, zyrtare dhe shoqërore. Në bashkari. Ai, këto ditë, ka me e takue kryetarin e Këshillit të Qarkut të Kukësit, të përkushtuarin Ibsen Elezi…Do ta hapin zyrtarisht një numër llogarie bankare të veçantë për Obeliskun, ku të gjithë (jo-persekutorët) do të ftohen me dhanë kontributin e vet dinjitar. I thashë: Mbi vështirësitë e kohës e të xhepit, kam nderin me iu bashkangjit nismes tuaj e tones me 1.000 lekë (të reja) në kit’ xhiro-llogari. E, ai ma bani me dije, qartë, preras: Jo, mjafton vetëm 1 Euro…! E kuptoj. Ai kërkon simbolikë në vlera e në lekë, një pjesmarrje masive e aktive: nga kuksianët deri tek diaspora në dy anët e Atlantikut; nga ish të përndjekurit politik e deri tek biznesmenët; nga poetët deri tek dy presidentët e shteteve të sotme shqiptare në Ballkan.
Një kod të veçantë, biblik, të përbotshëm kanë ndërveti Bahri Hoxha me Havzi Nelën, pasi te dy janë poetë të mirë me krijimtarinë e tyre disidente nën diktaturën e proletariatit, në kohën e Enveriadës. Ata i shkruan poezitë e tyre istikam e me gjuhën e Ezopit si në kullat e veta në breg të Drinit dhe në internime, në kampe përqendrimi skej detit Adriatik, në qelitë e egra të burgjeve (si Havzia)…E, te dy këta poetë bashkëvendas nga dy vise të Kukësit, te dy këta bashkëvuajtës nën komunizmin e epokës së gurit, patën fatin e andrrës e mirësi realiteti me iu botue librat e parë poetik pas rënies së Murit të Berlinit, pas Perdes së Hekurt në mes Lindjes e Perëndimit – në dy anët e Adriatikut e të Atlantikut.
Poeti Bahri Hoxha, në librin e tij, botue në gjallje të vet (1995) tek “Më tepër se elegji”(f. 25-26) me dhimbje e revoltë shkruan kur ishte në internim (Kepi Rodon, 1978) për vdekjen nga vuajtjet të një fëmije engjëllor në duart e nanës dhe varrosjen e tij tek një prrue me tokë rrënjëdalë, tek trungu i një ftoni: “Sytë e saj të zi/si dy drita fikur/një, pa jetë në duar/në mes telash tretur/Në buzët e saj/zbardhë e ngri si borë/në këtë ditë me shenjë/të muajit tetor/.Sot/sapo kaluam mesin e tetorit/ne të pesë, me një nënë/lëshuem mbi të voglin/të ftohtin e dheut/nga ky cep i humbur i lagjes–Karantinë/nisëm një urim/Dikujt “Post Restan”/Tiranë/.
Thonë se atje ku ka lind baba, ku lind vetë, balta është ma e ambël se mjalta, po këtyne dy familjeve kuksiane, Hoxha e Nela, komunizmi ua bani jetën ma të hidhur se vdekja. Poeti Havzi Nela në librin e tij post-mortum, dëshmo’ në vargjet e shkruara në qelitë e egra të burgjeve komuniste: “Thoni: Dritë kërkoi/E vet Dritë nuk pa me sy/Thoni: Për Njerëzinë këndoi/E për vete mbajti zi…/.
Dashuria për vendlindje, ndryshe është dhe një soj sëmundjeje profesionale për të gjithë jetësorët, që të ban ta përveçosh e mbivlerësosh tokëlindjen tande si ma të bukuren në botë edhe pa kanë e tillë realisht, pasi të ban të ndihesh në truallin e saj: “Statujë e Lirisë”, “Kullë Eifel”, nji mbret toka-qiell, vet Zoti në tokë. Edhe komunizmi sllav, njejtësisht, ai moskovit e ky enveriadë, është një sëmundje ideologjike, patologjike… Gjithmonë i egër ky. Ka’i’herë përnget si nji “sëmundje e butë”… Ky fshihet si kanceri, del si gangrenë, të ban akrep, të lidhno’ si bollë, të kthe’ në gjarpër… Po ngjet dhe kësisoj: ta mbyll jetën edhe si nji qen’ rruge i çartun (pasi–dihet botënisht: Lenini e Enveri, te dy njisoj, pak para vdekjes, kur i shetitnin me karrocë invalidi, ata lehnin si qenër).
Bahri Haki Hoxha, në këtë nismen e tij për ngritjen e këtij Obelisku në Kukës është i prirë, e frymon e frymëzon, e lartnon, dhe një kod tjetër: kodi genetik i derës së tij të fisme, i kullës së tij të ndritshme – të Hoxhajve të Lumës, i burrave të saj lisnajë në brezni: i Haki Hoxhës, i Mulla Idrizit, i Tahir Hoxhës. Dera e tyre është derë e vlerave dhe e nderave. Dhe nipi i tij biznesmen, i veçanti Flamur Hoxha, djali i vetëm i burrit të lartë Lutfi Haki Hoxha, është njeri bajemirë, me dritë, me kontribute, me atribute. Ndërvite çmohet ndër financuesit kryesor edhe zv/president i ekipit të futbollit “Kukësi”, nji ekip me arritje sportive kulm e majë dhe me pikësynim të pandalun për me ia mbrri të jetë kampion i Shqipërisë. Njëherash e shpesh herë është financues i disa botimeve me interes kombëtar si, për shembull, ato të “Klubi i Poezisë” – Tiranë, katër veprat: “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë” e D’Estournelles de Constant; “Shpërngulja e shqiptarëve” e Vaso Çubrilloviçit; “Shqipëria më 1921” e Justin Godart; “Dëbimi i shqiptarëve prej Kosove në vitin ‘99” e gazetarit, poetit e studiuesit kuksian Sulejman Dida.