Nga Mehmet Elezi
Mund të hartojmë fjalorë të plotë të gjuhës shqipe, që përmbajnë, më në fund, edhe vlerat e papërfaqësuara të fjalësit nga të gjitha trevat?
Siç thoshte presidenti Rusvelt (Theodore Roosevelt), “beso se mundesh dhe je në gjysmë të rrugës”.
Pra mjafton vullneti.
Dhe mendja e hapur (thonë mendja është si parashuta: bën punë vetëm kur hapet).
Pastaj një platformë mbi koncepte shkencore. Që vlerëson gjuhësisht “karatët” e fjalës, pa këqyrur gjë tjetër.
Dhe një kompozim ndryshe i ekipit/ ekipeve hartuese. Duke pasur në përbërje edhe leksikografë nga Kosova, nga Maqedonia, nga Mali i Zi. Si dhe nga Veriu i Shqipërisë. Jo përfaqësues “më ka çue nana me la gojën”. Jo dikë që masturbon me faktin se do ta ketë të shkruar emrin në përbërje të grupit të autorëve dhe kaq i mjafton me u ndie i lumtur. Përfaqësim simetrik dhe cilësor. Fryt i bashkëpunimit të thellë të akademive, universiteteve, qendrave albanologjike. Të thirren emrat më në zë të fushës, me ndihmesa e vepra të vlerësuara, jo thjesht botime. Si të barabartë ndërmjet të barabartëve. Pa kurrfarë paternalizmi të hapur ose të nënkuptuar. Të vilen krejt botimet e derisotme leksikografike nga këto hapësira. Deri te fjalorthit e vegjël krahinorë. Jo me përzgjedhje subjektive, rastësore, jo duke marrë mbarë, ç’të dalë përpara. Duke i krehur me kritere të sakta profesionale.
Sado mendjehapur e të përkushtuar të jenë gjuhëtarët në Tiranë, ata kurrë nuk mund t’i njohin pasuritë e mëdha të fjalësit të atyre hapësirave në thellësinë e larminë e tyre, me kuptimet dhe ngjyresat, siç i njohin vendasit. Vendasit janë rritur e ngjizur me to. Dhe sado mendjehapur e të përkushtuar të jenë gjuhëtarët në Prishtinë, në Tetovë e në Ulqin, ata kurrë nuk mund t’i njohin pasuritë e mëdha të fjalësit të Shqipërisë jugore, siç i njohin gjuhëtarët në Tiranë.
(Nga libri i M. Elezit “Dritëhije në fjalorët e Akademisë” – gjuha shqipe apo gjuha e “fshatit tim”? – të cilin mund ta gjeni në panairin e Librit, te botimet Fishta)