Hoti i Vendit në truallin etnik të Autariatëve

 Nga Ramiz Lushaj

            1.

           Hoti i Vendit, djepi historik i fisit të Hotit e, tashti, fshat i vogël komunar, nja 5 km larg liqenit të Plavës, shtrihet në një nga luginat juglindore të krahinës etno-historike të Plavë-Gucisë, në një sipërfaqe të mbetun së vonit vetëm në rreth 20 mijë ha toka vrrini e bjeshktare.

Kujtesa historike qyshse nga Mesjeta e Hershme ia njeh disa emra etno-gjeografik: Hoti i Tarës e i Limit, Hoti i Stratiotëve, Hoti i Vendit, Hoti i Plavës, Hoti i Kunjit; ia njeh disa organizime etno-historike: mal, fis, bajrak; ia njeh disa (ri)organizime administrative me karakter politik-shoqëror-ushtarak-ekonomik-kulturor: Malet e Hotit (prej shek.VIII), Hoti i Stratiotëve (shek. IX-XI), Kontea e Hotit, Kapedania e Hotit, bajraku i Hotit, fshati komunar i Hotit.

Në shekuj jete të përballjeve me vështirësi historike Hoti i Vendit u rrudh së tepërmi etnikisht derisa mbeti në një nga pesë gropat e mëdha pasakullnajore të Plavë-Gucisë, në pellgun e Jasenicës me rrethina, në një nga krye/qëndrat e tij të kahershme. Në kohëra ma të afërta u përqëndrue pothuaj krejtësisht në një pjesë hapësinore të këtij pellgu, përgjatë dy faqeve të luginës të bukur lumore të Hotit, e cila niston me 1050 metra lartësi mbidetare.

2.

Krahina komunare e Plavë-Gucisë, njësi etno-gjeo-administrative e sotme e së cilës është edhe Hoti i Vendit, nëpër mijëvjeçarë ka pasë shtrirje territoriale etno-historike të madhësive të ndryshme. Në kohën e ilirëve Autariatë, të Perandorisë Romake, si dhe para, gjatë e pas Mesjetës, në fillimet e pushtimit otoman, shenon disa periudha përkohore që sipërfaqja i arrinte deri në tre apo katër herë ma e madhe nga ç’është në ditët e sotme (486 km2 ).

Kjo krahinë etnike shqiptare herëpashere, qyshse në lashtësi, njihej me emra të ndryshëm. Në shek. XIV përmendet si “Zhupa e Plavës”, në shek. XV, në ato fillime të pushtimit otoman rregjistrohet si “Vilajeti i Plavës”, në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dokumentohet si “Kazaja e Gucisë”, në kohën e aneksimit zyrtar nga Mali i Zi (nëntor 1913) u quajt “Kapitenia e Plavë-Gucisë”, në dekadat e fundit vetëm “Komuna e Plavës” apo siç e fjalathemi në traditë: “Komuna e Plavë-Gucisë”.

Prej hejcekurit krahina e sotme e Plavë-Gucisë mbante e mbronte në identitetin e vet etno-gjeografik dhe njihej e përcillej në traditë etno-historike, edhe si “Bjeshkët e Nemuna të Vizitorit e të Komovit”.

Vargmali i Komovit, pjesë e Alpeve Shqiptare dhe në hapësirën e Bjeshkëve të Bekuara (Nemuna), shtrihet në mes dy lumenjëve: kah lindja e tij në rrjedhën e epërme të Limit (komuna Plavë-Guci) kah perëndimi në rrjedhën e Tarës (komuna Andrijevica), shtrihet pothuaj në mes dy maleve: kah jugu e juglindja deri kah mali Kollata e Keqe (2.534 m. ma i larti në Mal të Zi) në kufi me Shqipërinë Londineze dhe në veri deri kah mali Bjelasica (2.193 m) në kufi me komunën Beranë.

Në lashtësinë pellazgo-ilire, edhe në anë të vargmalit të Komovit me rrethinat lumore, banonin, jetonin e luftonin Autariatët, një nga fiset ma të fuqishme në historinë e kombit shqiptar e të kontinentit europian, paraardhësit genetik të fisit të sotëm të Hotit të Vendit.
3.

Pikërisht në masivin malor të Komovit nja 40 km i gjatë e 30 km i gjërë, në rreth 2.000 m. lartësi alpine, burojnë dy rrjedhat e vrullshme ujore të Opasanicës e të Verushës, të cilat bashkalidhen ndërveti e formojnë lumin e kthjelltë Tara, me histori e bukuri natyrore të rrallë.

Tara, pjesë e Trashëgimisë Botërore Natyrore të UNESKO-s dhe e Parkut Nacional Dutmitor (Mali i Zi), rrugëton 104 km nëpër luginë malore e kanionin e saj të madh e të gjatë, ma të madhin në Europë e të dytin në botë. Përgjatë këtij lumi alpin, në territorin gjeo-politik të Cerrnagores, shtrihen komunat e sotme: Plavë-Gucia, Andrijevica, Kolashini, Berana, Mojkovaci, Zhabljaku, Bijelo Polje, Plevla.

Në uljen kuotore 470 m. lartësi mbidetare, lumi Tara, bash në hymje të shtetit federal të Bosnje-Hercegovinës, ndërmjet fshatrave Shqepan Pole e Hum, ujëlidhet me lumin e Pivës. Aty ndryshon emrin në “Drina”dhe ecën 40 km nëpër pjesën lindore të B-H multietnike në qytetet Foçë (Republika Serbskja e B-H), Gorazhdë (Bosnja), etj .

Drina, si vazhdim i Tarës, në bashkësinë lokale Megjegjë afër Vishegradit të Republikës Serbskja, e kryen bashkimin e tretë, në lartësi 300 m. mbi nivelin e detit. Bigohet me lumin Limi që vrellon nga Vermoshi i Kelmendit të Gurit e liqeni i Plavës, ujë-ecën nëpër tri komuna të shtetit malazez: Plavë-Guci, Berana e Bjello Pole dhe në tri komuna të Sanxhakut Shqiptar, nëpër Prijepolje, Sjenica, Nova Varosh, gjersa në Priboj kapërcen kufinin për në Vishegrad.

Drina, si lumë i bashkuar, prapë e ruan emrin e vet ilirian teksa shtegton, kryesisht si vijë kufitare, në mes Republikës Serbskja të B-H dhe Sanxhakut Shqiptar, Serbisë e Vojvodinës, ku – tek kjo e fundit, derdhet në lumin Sava e, prej këndejna, në Danub e në Detin e Zi aziatik.

Dy lumenjtë Tara (Drina) e Limi, si rrallkund në botë, burimojnë nga i njëjti vend, nga vargmale të Komovit me rrethina e, pasi nistohen në drejtime të ndryshme nëpër Mal të Zi, Sanxhak (Serbi) e Bosnjën lindore, bashkohen prapë sëbashku në afri të Vishegradit, në ultinën e atyshme me 300 m. lartësi mbidetare.

Edhe natyra i bashkon lumenjtë e lindur në tokën e vet shqiptare, po sllavët i duan shqiptarët etnik të ndarë në disa shtete në Ballkan. Këta dy lumenj në hartë e në realitetin gjeofizik japin edhe konfiguracionin e një llampe gjigande. Kjo do me thanë se në “gjeneratorët” e historisë etnike mijëravjeçare shqiptare duhen ndezë dritat e të vërtetave historike të fshehura, të manipuluara, të ridimensionuara që të ndriçojmë aq sa dijmë, aq sa mundemi, sa ma shumë e sa ma mirë në të gjitha kohërat e për të gjithë brezat.

4.

Hapësira gjeo-fizike ndërmjet lumenjve Tara e Limi e, dekteri tek Piva në anën tjetër, ishte trevë e lashtë etno-historike e fisit ilir të Autariatëve.

Tara (Drina), si të thuash, është gati në mes të Limit e Pivës, ashtu sikurse edhe Drina (Tara) është pothuaj në mes burimit të lumit të Bosnjës e të Limit (në liqen të Plavës).

Gjeografi e historiani emblematik i Antikitetit, Straboni, qyshe në shekullin e parë të mijëvjeçarit të parë të erës sonë, tek vepra e tij e shquar “Geographica”, shprehimon realitetin historik se Autariatët ishin “në një kohë njerëzit më të mëdhenj e më të fuqishëm ilirë”.

Akademiku austriak Karl Ludwig Patsch na jep dëshmi për praninë etnike të fisit ilir të Autariatëve në këtë trevë. Ai, ndër të tjera, e lidh “qenësinë e Autariatëve” me emrin e “lumit Tara në verilindje të Malit të Zi” (Au-Tara-iatët).

Ky autoritet i lartë shkencor, studiues edhe i historisë së Autariatëve ilirë, I ka përcaktimet e themelta pasi ishte një akademik i katërfishtë: ballkanolog, sllavolog, boshnjakolog, albanolog. Ishte një nga studiuesit ma të mëdhenj të historisë mbi e nëntokë të B-H, themelues e drejtor për 14 vite (1904-1918) i Institutit Ballkanik për Bosnje-Hercegovinën, nga viti 1893 deri më 1918 kreu disa ekspedita arkeologjike të jehonshme në B-H (1893-1918), etj. Në vendin e vet ishte antar i Akademisë së Shkencave të Austrisë, antar i Institutit Arkeologjik Austriak, profesor i historisë sllave e i arkeologjisë në Universitetin e Vjenës,etj., gjersa u vra në vitin 1945. Njëherash, ky akademik i njohur, ndihmoi në Muzeun Kombëtar të B-H (1898) e në atë të Shqipërisë Londineze (1922), i botoi disa vepra shkencore edhe për ilirët në Ballkan, për B-H, etj.

Arkeologu i njohur shqiptar, prof. dr. Neritan Ceka dokumenton se “fisi i madh ilir i Autariatëve banonte në luginën e lumit Tara”. Ky fakt ka dy rrënjë shkencore: Është botuar në veprën shkencore mbarëkombëtare “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, punë dhjetëvjeçare kolegjiale redaktuese e botuese e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Tjetra: Autori është shkenctar, antar i Këshillit Shkencor në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, Institutin e Arkeologjisë në Berlin, dhe Institutin Koldeway-Gesellschaft në Gjermani, autor i disa librave shkencor për Ilirinë, etj.

5.

 Vepra shkencore akademike “Historia e Popullit Shqiptar”, botim ma i fundit i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë (2002), tekst zyrtar mësimor për shkollat shqipe, dëshmon se Autariatët ilirë ndodheshin “në viset e Bosnjës së brendshme”. dhe i përkasin kulturës kombëtare iliro-shqiptare të Glasanac-Matit.

Në ecje drejt kësaj të vërtete historike topografia e fiseve ilire jep shpjegime të qarta. Në Bosnjën Jugore, në brigjet e lumit Neretva deri në bregdet, ishte fisi i madh i Daorëve. Në Bosnjën e Epërme, përgjatë lumit Bosnja, shtrihej fisi ilir i Dasaretëve, ndërsa në brigjet e lumit Vërbas, banonte fisi ilir i Breukëve, prej të cilëve u shkëput edhe një degëzim tjetër, ai i Kolapianëve e u vendos në brigje të përtejme të lumit Sana, kurse fisi ilir i Andizetëve hodhi rrënjë jete në dy anët e lumit Speça. Mitologjia e lashtë flet për lidhje gjaku në mes Autariatëve me Daorët e Dasaretët (e degëzime të tyre), të cilët ishin dajë e nipa ndërveti. Në verilindje të Bosnjës, në Mitrovicën e Sremit të provincës së Vojvodinës, përtej bashkimit të lumenjve Drina e Sava, ishte fisi ilir luftarak i Amantëve.

Në kryerrjedhë fillestare të Limit, prej nga Vermoshi alpin e në anë të lumit Piva, jetonin Ardianët. Në afri të Limit, nga liqeni i Plavës deri në Vishegrad, ishin fiset dardane: Dardanët Alpinë ( Malësi e Gjakovës, Junik, Deçan, Peja, Rrozhaja, etj.); Skirtonët – përgjatë rrjedhës së lumit Valbona (degëzim i Dasaretëve, paraardhësit e fisit të Ponarëve), pirustët, etj.

Pra, në mes shtrirjes etnike gjeo-fizike të këtyre fiseve ilire, pikërisht në viset e brendshme të Bosnjës, krahashtrirë në dy anët e Limit e të Tarës (Drina) e Piva dhe deri në thellësi kah Sarajeva, drejt brigjeve të lumit Bosnja, ishte fisi i madh ilir i Autariatëve, paraardhësit e fisit të Hotit të Vendit.

Autariatët, të cilët i përkasin kulturës kombëtare iliro-shqiptare të Glasanac-Matit, arritën të formonin një mbretëri gati perandorake, të ngrinin një qytetërim të madh si Piramidat në Visoko, të ndërtonin 100 kështjella e mijëra tumule, të ishin ndër tregtarët ma të fuqishëm në brigjet e Adriatikut e të Jonit, të luftonin deri në rrjedhën e fundit të Danubit, në ishujt e Greqisë, në Itali, në Bullgarinë e sotme, në Dalmaci.