Sulejman Mato: Kadare, ky demiurg i letërsisë shqipe!

E kam thenë dhe herë të tjera dhe po e përsëris, dalja në dritë e çdo libri të Kadaresë ka qenë dhe mbetet për mua një ditë feste. Për Kadarenë është shkruar shumë në vite dhe mbase Kadareja për kohën dhe moshën që jeton nuk ka nevojë për lëvdata dhe analiza, por kemi nevojë ne, elexuesit e sidomos krijuesit, të kuptojmë thelbin e suksesit të krijimtarisë së tij.

Përse  letërsia e tij  është kaq e veçantë dhe rrezaton një sukses të paparë në një hapësirë kaq të madhe gjeografike? Ku konsiston e veçanta e kësaj letërsie? Pse ka mëse gjashtëdhjetë vjet që kritika letrare dhe lexuesi shqiptar përmend vetëm një emër shkrimtari në letërsinë shqipe, ndërkohë që letërsia shqipe ka dhe shumë krijues të tjerë me tematikën dhe origjinalitetin e vet të veçantë? Pse ndodh që krijimtaria e këtij shkrimtari  rritet e rritet, duke kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe të Europës?

Kritika jonë letrare, në kohë të ndryshme nuk e ka zbërthyer këtë fenomen pasi herë ka qenë e politizuar, hera- hesës e papërgatitur për të kuptuar esencën e këtij suksesi, në disa raste ka qenë ziliqare dhe e paaftë për t’i bërë një analizë të thellë këtij fenomeni letrar. Si politizimi, ashtu dhe paftësia dhe zilia, ‘pinë ujë në të njëjtin burim’ dhe janë prodhim  i klimës mediatike “Made in Albania”. Kështu ende dhe sot e kësaj dite studjuesit e letërsisë sonë, pavarësisht lavdeve, me kuptim dhe pa kuptim, i kanë një borxh  të pashlyer krijimtarisë  së këtij shkrimtari të madh.

Rrëfimet e Kadaresë të fusin në mendime dhe të detyrojnë të kuptosh se çfarë është në të vërtetë letërsia dhe pse kjo letërsi diferencohet vetvetiu nga krijimtaria e shkrimtarëve të tjerë, duke e cilësuar si letërsi e nivelit botëror.

Sekreti i këtij suksesi nuk mund të kuptohet pa talentin e veçantë dhe modernitetin. “Modernia dhe postmodernia janë fjalë në kuptim të identitetit të vet”, thotë nobelisti E. Paund. “Teoritë, thotë Borghes, s’janë gjë tjetër veç ngacmime”. “Kërkimi për modernitet, thotë nobelisti Oktavio Paz, është një lëvizje për te origjina. Moderniteti më çoi tek burimi i fillesës sime”.

Nuk ka teori që mund të zbërthejnë çfarë quhet moderne dhe postmoderne. Mania për të shpikur një realitet letrar i ka shoqëruar në shekuj shkrimtarët botërorë. Nobelisti Pessoa thotë: “Unë përshkruaj personazhe që jetojnë në jetën time të brendshme”; këtë gjë ka bërë dhe Ismail Kadare në gjithë krijimtarinë e vet, duke nxjerë nga kujtesa, histori e personazhe bashkëkohorë që jetojnë në jetën e tij të brendshme. Veçanërisht kjo gjë vihet re tek romanet e tij me tema të qëmtuara nga vendlidja, si “Kronikë në Gur”, ”Breznitë e Hankonateve”, “Qyteti pa reklama”, “Darka e Gabuar” e së fundi te romani i tij i mrekullueshëm “Kukulla”.

Mbase nuk do të kishte shumë nevojë për studime, hamendësi e  zhbirime, pasi eksperiencën e vet letrare Kadareja e ka treguar qysh herët, në librin teoriko-praktik “Ftesë në studjo”, të cilën mund ta quajmë dhe si një guidë në hyrjen e sekreteve të letërsisë.

I të njëjtit mendim është dhe nobelisti Clezio kur thotë: “Kur shkruaj unë rrekem të përkthej marrëdhënien time me të përditshmen. Jetojmë në një kohë të trazuar dhe të bombarduar nga një kaos idesh. Roli i letërsisë ndoshta  është  reflektimi i këtij kaosi”.

Shkrimtarët e mëdhenj, nobleistë ose kandidatë potencialë për këtë çmim, kuptohen në misionin e tyre modest.Me sa duket, teoria e vetme letrare dhe e pagabueshme, është zbërthimi i një vepre sipas parimeve: çfarë është kombëtare dhe shoqërore, sa është sociale dhe shoqërore, sa është kohore dhe jashtëkohore, sa është intime dhe universale, sa është e vertetë dhe iluzionale. Të gjitha këto prerje duhet të konvergjohen në një vepër.

Letërsia e Kadaresë, ndryshe nga letërsia e  shkrimtarëve të tjerë shqiptarë është “pika imagjinare ku përplasen ëndrra dhe zgjimi, realja dhe fiksioni, objektivja dhe  dhe subjektivja, konfuzioni dhe sinteza”.

Objekti i letërsisë së Kadaresë është ajo e një shkrimtari të madh, që thotë nobilisti Pessoa: “Një lloj përjetësie e patregueshme e cila në thelbin e vet ka lidhje me realizimin e  të parealizueshmes”.

Kadareja nuk i shpik vendet që përshkruan, as personazhet, por siç thotë një tjetër nobelist, Konradi, Kadareja “huazon disa elementë nga realiteti”.

Duke hedhur në letër këto shënime, unë vetë si shkrimtar, jam përpjekur të kuptoj thelbin e vërtetë të letërsisë që rrezaton jetëgjatësi dhe jeton gjatë… dhe kam mbërritur në përfundimin që, ajo duhet të jetë e tillë, si ajo që ka realizuar Kadareje në gjithë këto vite eksperiencë letrare. Ajo  duhet të rrokë me guxim temat e kohës, siç ka rrokur me guxim dhe në kohë Ismail Kadareja tema të tilla, Kjo gjë më ka bërë përshtypje, qysh me botimin e romanit të tij të të parë: “Përbindëshi” i cili rrezatonte aq bukur artistikisht ankthin dhe shqetësimin e vitit 1961, pas prishjes së marrëdhënieve të vendit tonë me Bashkimin Sovjetik. Siç e ka përmendur dhe vetë ai më vonë, në poemën “Viti Gjashtëdhjetë”, vetë shkrimtari është një antenë e lartë, e ngritur në kryqëzim të erërave, që kap në çdo kohë lajmet e fundit të kohës. Qysh në vitin 1965, në moshën 29 vjeçare, Kadareja me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, iu përgjigj me art të veçantë dhe flakë për flakë, atmosferës në të cilën po kalonte vendi ynë, duke dhënë mesazhin universal se çdo gjeneral pushtues i çdo vendi të madh, një ditë do të kthehet në një “Gjeneral të ushtrisë së vdekur”.

Habi të madhe më ka bërë romani ‘”Dasma” pasi  në atë vit isha  dhe vet pranë Ismailit, duke i kaluar ditët plot limonti në qytetin e Beratit. Mirëpo, poeti dhe shkrimtari Kadare, në ato ec e jake, mbrëmjeve, anës lumit të Osumit, bluante në kokë romanin më të çuditshëm dhe më pa fat, i cili do të vinte në qendër vrullin e punës rinore, aksionet, njerëzit e vërtetë të  klasës punëtore të quajtur “Dasma”, ndërkohë që letërsia jonë vuante nga n gjarjet dhe personazhet realë, vuante nga romantizmi, akademizmi dhe formalizmi letrar, Kadareja do të fuste në letërsi njerëz të gjallë dhe të vërtetë që të ngjallnin besim dhe frymëzim për jetën. Me këtë roman shkrimtari i përgjigjej flakë për flakë kërkesës së kohës, por, mbi të gjitha ai i përgjigjej flakë për flakë kërkesës së popullit , për të parë veten e tij në qendër të letërsisë dhe për t’i ngjallur shpresat lexuesit të thjeshtë, se po lindtte nje letërsi e re e cila formalisht do të quhej letërsia e realizmit socialist, po që në fakt, fjala “socialist” do të ishte galvanizmim me fjalë vetëm për ata që dëshironin ta politizonin këtë letërsi të re, me njerëz të vërtetë dhe bashkëkohorë.

Ajo që e shquan letërsinë e Kadaresë dhe e diferencon nga shkrimtarët e tjerë, është futja me guxim e elementit bashkëkohor, si në personazhe ashtu dhe në mjetet stilistike,shto gjuhën e re, zhargonet, imazhe të freskëta poetike, …një letërsi e cila  është pritur gjithmonë me entuziazëm dhe që u pëlqente të gjitha shtresave  e të gjithë tipave, madje u pëlqente dhe vet  militantëve partiakë.

Ato që do ta theksonin dhe më tepër këtë ide, ishin poezitë aktuale si “Fillrojtësi”, Poezia për Fuat Celën, “Mësueset e fshatit” etj..tema aktuale, persona  të vertetë… Në këtë rrugë do të vazhdonin dy romanet madhorë “Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncert në fund të dimrit”, të cilët  ishin një suprizë e kohës dhe  një çudi për të gjithë lexuesin shqiptar të asaj kohe. Së pari pasi ishin tema tabu. E së dyti pasi ishin tema madhoore, të cilat askush s’do të mund të guxonte t’i prekte.

Për mendimin tim Kadareja, me këto dy romane, u shndërrua në një demiurg të letërsisë shqipe, duke u ngritur papritur, mbi veten  mbi kohën, mbi politikën dhe mbi shoqërinë… Ngjitja e tij e beftë i ngjante një avioni që do të ngrihej papritur, mbi Ballkan dhe mbi Europë nga një vend i izoluar, në kohën e duhur.

Duke kaluar në përfytyrimin tim gjithë krijimtarinë e Ismail Kadaresë, në poezi, në prozë, në studime, kam krijuar bindjen se ky shkrimtar, i vetëm dhe pa ndonjë përkrahje, në fakt ka shkruar në letërsi historinë e Shqipërisë. Mund të donin dhe të tjerë ta bënin këtë gjë, por do t’u duhej talenti i madh i Kadaresë, guximi i madh i Kadaresë dhe kultura e madhe e Kadaresë, mbi të gjitha do t’u duhej përkushimi i këtij shkrimtari të madh.

Dhe prap, kur përmend arritjet e tij shumëdimensionale në shumë fusha letrare, shkencore, filozofike e politike, mendoj se, talente të tilla jo vetë lindin rrallë, por dhe janë të vetëdishëm për misionin e vet në jetë, ashtu siç janë të vetëdijshëm që vetëm ata mund t’i përmbushin këto misione.

E gjithë kjo lëndë letrare, filozofike e shkencore nuk mund të shpërdahej rastësisht në botë, pa atë që Lermontovi i madh do ta përkufizonte me një fjalë ruse e cila nuk gjendet në asnjë fjalor: “çut-çut!” e cila në shqip mund të përkthehej “diç-diç…”. Diç- diç është ajo diçka e pashjegueshme të cilën e posedojnë vetëm disa talente të mëdha…Kadareja, siç e ka shprehur më mirë dikush para meje, është  një magjistar i fjalës…Kjo magji shprehet në poezi e në prozë. Kjo magji buron nga ajo veçanti intuitive e përthyerjes së lëndës reale branda imagjinatës impresioniste…

Veç kësaj është tek Kadareja luan një rol të rëndësishëm dhe gjetja e temave të veçanta, dhe intrigimi i saj, dhe ritmi dhe muzikaliteti i frazës, dhe ironia, dhe sentencat filozofike, dhe personazhet realë, dhe impresionizmi figurativ etj, etj. për të cilat dëshiroj të flas më gjatë një herë tjetër.

  1. Demiurgu i mitit paltonik është një forcë urdhëruese që pason materjen, i jep formë e mbi të gjitha i jep jetë, e shpirtëzon atë. Në kuptimin filozofik demiurgu ka një forcë universalë, dualiste, midis botës së ideve dhe realitetit të ndjeshëm. Është një mediator, midis botës së ideve dhe materjes, ose e thënë më ndryshe, është intligjenca që projekton  dhe modelon botën reale.