Lista Serbe kundërshton taksën ndaj mallrave serbe, mbështet rrëzimin e qeverisë së Kosovës

Lista Serbe, parti e komunitetit serb në Kosovë, vlerësoi se taksa që iu kanë vënë autoritetet kosovare prodhimeve të importuara nga Serbia, kërcënon mbijetesën e serbëve në Kosovë duke rritur çmimet e ushqimeve bazë.

“Veprimet tona në Parlamentin e Kosovës do të jenë si opozitë e plotë dhe ne do të mbështesim çdo propozim për të rrëzuar qeverinë, për shkak të sjelljeve të saj karshi interesave tona dhe rajonit”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Lista Serbe tha se nëse Qeveria e Kosovës nuk e tërheq vendimin e tillë, do të organizojë edhe protesta.

Të martën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e taksës doganore 10% mbi mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Partitë opozitare në Kosovë, tash e disa muaj, kanë përgatitur mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, mirëpo atyre iu mungojnë edhe katër vota për të arritur shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh.