Çmimet e ushqimeve kanë vijuar rritjen gjatë muajit tetor, gjithashtu edhe qiratë, uji dhe energjia, të cilat kanë çuar inflacionin në 1.9% gjatë muajit të shkuar.
Megjithatë, një vit më parë ky ndryshim ishte i njëjtë, 1,9%, njoftoi sot INSTAT. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin tetor 2018, krahasuar me shtator 2018, është – 0,2%. Krahasuar me shtatorin, shqiptarët kanë shpenzuar më shumë për transport, për mobilim dhe për shërbim arsimor, ndërsa më pak për ushqime, pije dhe duhan.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Tetor është ndikuar kryesisht nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me nga +0,70 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,26 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,09 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mobilime” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” kanë kontribuar respektivisht me -0,02 dhe -0,01 pikë përqindje.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore:
Krahasuar me muajin tetor 2017, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 4,3%, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,4%, “Argëtim dhe kulturë” me 3,2%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,8% secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,0 %, “Shërbimi arsimor” me 0,8 % “Komunikimi” me 0, 7%, etj. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Shëndeti” u ulën me 0,4 % pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 0,3 %. Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 11,5%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyra” me 2,4%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 1,4%, etj. Nga ana tjetër, çmimet e nëngrupit “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” u ulën me 2,1%, pasuar nga “peshk” me 0,3%, etj.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore:
Krahasuar me muajin Shtator 2018, grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Pije alkoolike dhe duhan” shënuan një ulje prej 1,0% secili. Ndërsa, grupi “Transporti” u rrit me 0,8%, pasuar nga “Veshje dhe këpucë” me 0,7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,6 % secili, “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mobilime” me 0,2%./Monitor