“DRITËHIJE NË FJALORËT E AKADEMISË”
-Gjuha shqipe apo gjuha e “fshatit tim”?-
-dhe një FALËNDERIM-
Doli nga shtypi libri im “DRITËHIJE NË FJALORËT E AKADEMISË”, me nëntitull “Gjuha shqipe apo gjuha e “fshatit tim”?”.
Deri sot ky është i pari botim që bën një shqyrtim kritik të fjalorëve të hartuar nga Akademia e Shkencave (Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë) më 1980, 2002, 2006. Ballafaqohen pasuritë leksikore të këtyre fjalorëve me pasuritë leksikore që ka gjuha shqipe. Mangësitë që dalin në pah janë thelbësore. Me pasoja afatgjata për gjuhën, kulturën dhe qytetërimin shqiptar.
Libri i drejtohet një lexuesi të gjerë, jo vetëm gjuhëtarëve. Për këtë arsye është shkruar me stil të çlirët, si sprovë (ese), gjithnjë duke iu përmbajtur kritereve shkencore.
Në libër jepen mendime edhe si mund të dilet nga gjendja.
Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë botuesin, Fondacionin ALSAR me president z. Mehdi GURRA, për punën cilësore, plot përkushtim dhe energji.
ALSAR ka sjellë para lexuesve shqiptarë vepra madhore të kulturës sonë kombëtare, si “Kalendari Kombiar” (1897 – 1928) përmbledhur në katër vëllime, një lloj enciklopedie e botës shqiptare të kohës; revista “Diturija” (1909 – 1929) e Lumo Skëndos në dy vëllime dhe vepra të tjera me peshë, të traditës e të autorëve bashkëkohorë.
Libri “Dritëhije në fjalorët e Akademisë” do të jetë në Panairin e Librit (14 nëntor 2018), te botimet “Gjergj Fishta”.
Mehmet ELEZI
06 nëntor 2018