Një stacion treni që dikur u përdor për të deportuar popullsinë hebraike të Berlinit gjatë Luftës së Dytë Botëtore, tani mund të kthehet në një muzeum që hedh dritë pikërisht mbi eksperiencën e hebrejve që u detyruan të largoheshin nga Gjermania. Rrënojat e stacionit të trenit Anhalter fshehin një të kaluar të pakëndshme për popullsinë hebraike në Gjermaninë e Luftës së Dytë Botërore.
Stacioni Anhalter, i ndërtuar në vitet 1830, dikur ishte një prej stacioneve më të mëdha hekurudhore që lidhte qytetet gjermane me kryeqytetet evropiane. Për vizitorët e atëhershëm, njohja e parë me kryeqytetin gjerman ishte pikërisht holli i madh i pritjes së udhëtarëve. Por Lufta e Dytë Botërore e ndryshoi në mënyrë të pakthyeshme këtë stacion treni.
Duke filluar nga viti 1941, stacioni u bë pika kryesore nga ku deportohej popullsia hebraike, shumë prej të cilëve drejt vdekjes së sigurtë, nëpër kampet e përqendrimit. Stacioni u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa e vetmja gjë që ka mbetur, është fasada e ndërtesës. Por, tani ka një projekt, që mbi rrënojat e stacionit të vjetër të ndërtohet një muzeum me temën e të mërguarve politikë dhe refugjatëve.
Ideatorët e muzeumit po i mbështet fuqishëm një figurë e fuqishme. Ajo është Herta Mueller, fituese e Çmimit Nobël për Letërsinë në vitin 2009.
“Dëbimi i hebrejve ishte një censurë e pabesueshme, e organizuar nga nazistët në Berlin. Këtë muze ja kemi borxh historisë, me të duam të qartësojmë se çdo të thotë dëbim i organizuar.”
Fondacioni “Muzeumi i të Dëbuarve” është duke zhvilluar bisedime me qeverinë lokale në Berlin, me synimin për të filluar së shpejti ndërtimin e muzeumit, që mendohet t’i hapë dyert për publikun në vitin 2025.
Berlini kishte një popullsi të madhe hebrejsh, para se nazistët të merrnin kontrollin dhe ardhjes në postin e kalncelari të Adolf Hitlerit, në vitin 1933. Stacioni Anhalter ishte një nga tre pikat që u përdorën për transportimin e rreth 55 mijë hebrejve berlinas gjatë katër viteve të fundit të luftës.
Disa hebrej që mbijetuan kishin mundur të arratiseshin dhe jetonin në vende të tjera. Përveç hebrejve, të njëjtin fat patën edhe mijëra kundërshtarë politikë, homoseksualë dhe pakica të tjera si romët.
Zonja Mueller ka lindur në Rumani, pjesë e një pakice gjermanishtfolëse në atë vend. Ajo u arratis nga diktatura komuniste rumune në vitin 1987 dhe u vendos në Berlinin Perëndimor. Ajo thotë se të qënit refugjate ka bërë që çështja e mërgimtarëve politikë të jetë gjithmonë një plagë në zemrën e saj.
“Gjithmonë më ka prekur kjo gjë sepse familja ime vjen nga pakica gjermane e Rumanisë, që ishte një shtet fashist nën udhëheqësin Antonescu dhe pastaj Hitlerin. Çështja e të dëbuarve ka qënë gjimonë e rëndësishme për mua.”
Ndërtimin e Muzeumit e mbështet edhe koleksionisti i njohur i artit, Bernd Schultz. Ai i ka dhuruar fondacionit të muzeumit një koleksion të pasur punimesh arti, përfshirë disa nga Picasso, Rembrandt dhe Menzel, që kapin vlerën e 5 milion eurove. Këto vepra do të shiten me ankand, për të grumbulluar fonde për ndërtimin e muzeumit.
“Ky vendim i imi është çështje përparësish. Nga njëra anë ndjej keqardhje për koleksionin, që e kam grumbulluar në 50 vjet të jetës sime. Por nga ana tjetër, mendoj se është ai do të shërbejë për të kuptuar dhe analizuar historisë tonë në një qytet si Berlini.”
Berlini ka disa përkujtimore për viktimat e Holokaustit. Memoriali i Hebrejve të Vrarë të Evropës në qendër të kryeqytetit, bie në sy menjëherë. Në Berlin ka edhe një muze të hebrejve, që i dedikohet terrorit të regjimit nazist. Por qytetit i mungon një muze kushtuar banorëve të Berlinit që u detyruan të largohen nga qyteti dhe përfunduan si imigrantë në vende të tjera të botës.
Për shkrimtaren Herta Mueller muzeumi është një çështje mjaft personale. Babai i saj ishte pjesë e krahut të armatosur të partisë naziste, përgjegjëse për shumë nga tmerret para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Dua apo s’dua, unë kam lindur në një familje kriminelësh. Kur lexoj libra që lidhen me nazizmin dhe kampet e përqendrimit, e kam ndjerë gjithmonë veten si pjesmarrëse. Nuk ndjehem fajtore, sepse nuk kam bërë gjë, por ajo është pjesë e biografisë sime. Kjo është një përgjegjësi që nuk mund ta injoroj.”
Grupi me financime private shpreson që të hedhë themelet e muzeumit në dy tre vitet e ardhshme. Ata thonë se muzeumi nuk do të jetë vetëm për banorët që u detyruan ta braktisin Berlinin, por edhe për refugjatët e kohëve moderne. Në vitin 2017, për shembull, sirianët u bënë pakica e katërt më e madhe e qytetit.