Një djaloshi që sot mbush 20 vjeç do t’i thoja të ikte, të largohej nga Shqipëria. Do t’i thoja të merrte çantën e shpinës, celularin, dy libra dhe pak muzikë e ta linte këtë vend.
Nëse je 20 vjeç, ik!
Ik, sepse nëse i ke jetuar 20 vitet e para në këtë vend, nuk ke parë asgjë nga ndryshimet e botës. Ke mbetur pas. Ke jetuar 20 vite me debate publike e me përplasje pro dhe kundër Berishës, pro dhe kundër Ramës. Nje përplasje kurvash, “gjykatësish komunistë”.
Një përplasje që ka lënë një dorë pleqsh të debatojnë për një vend që nuk ekziston. Fike televizorin se kurrë nuk do mësosh prej tij. Kultura nuk është një pilulë që ta gëlltisësh.
Do të thoja të ikësh se ke jetuar 20 vite me të njëjtat rrugë, me të njejtët pallate, me të njëjtët autobuzë, se për trenat as që bëhet fjalë ti njohësh. Duhet të ikësh e të shohësh si kanë ndryshuar Londra, Parisi, New York-u në këto 20 vite. Ke lindur në agim të pranverës së Kryeministrave e të Kryetarëve te Bashkisë por ndërkohë je bëre madhor dhe pret akoma të bëhet unaza e Tiranës. Për ty nuk ka ndryshuar asgjë, por bota ka rendur me vrap. Si ka mundësi?!
Po të ishe nisur do të kishe parë bibliotekën e Europës të spostohej nga një pallat i shekullit te XVII te një godinë më e përshtatshme për përvetësimin e kulturës. Sepse librat, zbulimet shkencore, nuk shërbejnë fare nëse nuk përvetësohen. Po të ishe nisur, do të kishe parë trenin që udheton me 90 km/orë dhe pa trenist në një metrò të ndërtuar për 5 vite. Do të kishe parë një vend si Afrika e Jugut, të kalojë nga dallimi racial në organizimin e kampionatit botëror të futbollit.
Bëj një gjë: ik!
Mos dëgjo ata që të thonë duro edhe pak.
Lëre këtë vend! Zbulo bukurinë e trupave të tjerë e të aromave të tjera, të ushqimeve të tjera. Merru me politikë! Po po, merru me politikë! Se nuk është gjithandej “mut”. Por ama zgjidh mësues të tjerë! Një pokitikan i mirë nuk është sharlatan, por nje burrë që mban mbi shpatulla vizionin e një vendi, pavarësisht votave.
Ik, që të kuptosh se diploma nuk është formim. Ik, sepse festa që duan të organizojnë për diplomën është një farsë për të cilën ti nuk ke nevojë. Ajo që mban në duar ështê një copë letër, nuk ka vlerë. S’ke cfarë të festosh. Festohet e ardhmja, jo e kaluara.
Ik, se perndryshe, edhe kur të bëhesh 40 vjeç do të të thonë që je i ri. Nuk është e vërtetë. Ik, se nuk duhet të lexosh gazetat që mbushen me dhunë e me kronika të zeza.
Nisu! Na lë këtu neve, si të dënuar të një ferri që vetë e kemi krijuar. Merr fluturimin drejt veriut dhe thith bukurinë e ndjenjës së të jetuarit në komunitet. Sepse fqinja që të jep sheqerin nuk e bën për lëmoshë, por është një mënyrë për të shpresuar që një ditë edhe ti do të bësh të njëjtën gjë… Sepse të jesh më shumë se vetvetja, të jesh një bashkësi, është ndarja e qëndrueshme dhe e heshtur e rregullave që u lejon të gjithëve të ecin përpara. Dhe këtë gjë, ne, as nuk e dimë fare se cfarë është. Bashkësi nuk do të thotë të zgjohesh një mëngjes e të rindërtosh atë që u shkatërrua e u dogj, por do të thotë të punosh çdo ditë në heshtje.
Mos dëgjo “heronjtë”, “të fortët”! Ky komb nuk ka nevojë për ta. Përkundrazi, janë ata që ushqehen me këtë vend, sepse, pa të këqijat e këtij vendi, nuk do të mund të jetonin.
Nisu dhe kthehu vetëm atëhere kur të bindesh që ka ardhur koha jote. Kthehu vetëm nëse ke parë ndryshimin dhe mendon se ja vlen ta sjellësh atë këtu.
Kthehu me ëndërrat e një njëzetvjeçari mbi shpatullat e një të rrituri. Ky shkrim është shkruar në italisht por Dritare.net e ka përshtatur dhe shqiptarizuar./Dritare.net