Shumë emigrantë nga vendet e Amerikës Qendrore që po udhëtojnë kryesisht në këmbë drejt Shteteve të Bashkuara, shprehën hapur mosmarrëveshjet me organizatorët e marshimit të shtunën në lidhje me autobusët që ata shpresonin se do t’i dërgonin në Meksiko Siti.
Të lodhur nga udhëtimi disa javor, mijëra emigrantë të karvanit, burra, gra dhe fëmijë, vendosën të pushojnë në qytetet Juan Rodriguez Clara, Veracruz dhe Isla, që ndodhen rreth 60 kilometra nga ndalesa e tyre e mëparshme në Sayula.
“Ata na ofruan 150 autobusë dhe në fund na gënjyen, siç na kanë gënjyer që nga fillimi. Organizatorët nga Ciudad Hidalgo na bënë premtime për transport, ata po luajnë me ndjenjat tona”, thotë Augusto Ramirez, emigrant nga Hondurasi.
Një tjetër kontigjent vendosi të vazhdonte udhëtimin drejt qytetit Tierra Blanca, që ndodhet rreth 130 kilometra në veri.
“E vërteta është se ata nuk janë serioz me ne, sepse ne kemi lëvizur me burimet tona vetjake. Nuk bën asnjë ndryshim fakti nëse ata na ofrojnë mjete trasnporti apo jo. Ne duam të vazhdojmë rrugën tonë”, thotë Marvin Toro, emigrant nga Hondurasi.
Marvin Toro thotë se gjetja e një vendi pune në Honduras është pothuajse e pamundur dhe është e vështirë për të, që të kujdeset për dy fëmijët e tij.
Të premten, Guvernatori i shtetit meksikan të Veracruzit, Miguel Angel Yunes tërhoqi ofertën e tij për të siguruar transportin për emigrantët drejt Meksiko Sitit për shkak se sistemi i ujit atje është duke u riparuar dhe njerëzit do të ishin pa ujë të shtunën dhe të dielën.
Ndërkohë, Presidenti Donald Trump ka urdhëruar dislokimin e më shumë se 8,000 trupave amerikane në kufirin jugperëndimor për t’u marrë me karvanin e emigrantëve.
Presidenti Trump planifikon të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv javën e ardhshme që mund të çojë në ndalimin në shkallë të gjerë të emigrantëve që kalojnë kufirin jugor dhe t’ua heqë të drejtën për të kërkuar azil atyre që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.