Muajin e kaluar, Belgjika dhe Franca së bashku, u kurorëzuan në krye të hierarkisë së kombëtareve botërore, në bazë të renditjes së FIFA-s. Sot, “Djajtë e Kuq” janë përpara “Blues”, me vetëm një pikë më shumë (1733 kundër 1732).
Të dyja kombëtaret mbeten ende dhe në mënyrë të qartë të avancuara nga ndjekësit e tyre, pasi Belgjika dhe Franca kanë marrë nga një barazim dhe një fitore në sfidat ndërkombëtare të tetorit, në miqësore dhe Ligën e Kombeve.
Në “top-10” e kësaj renditjeje, të përditësuar sot nga FIFA, figurojnë edhe emra të tillë potencialë si Brazili, Kroacia, Anglia, Uruguaji, Portugalia, Zvicra, Spanja dhe Danimarka.
Po çfarë ndryshimesh në këtë drejtim kanë ndodhur për kombëtaren shqiptare, të drejtuar nga Christian Panucci, e cila luajti dy ndeshje në këtë muaj; barazoi pa gola kundër Jordanisë në “Elbasan Arena” (miqësore) dhe humbi 2-0 ndaj Izraelit, në Beer Sheva (zyrtare, Liga e Kombeve)?
Në bazë të këtyre dy rezultateve pritej të zbrisnim në renditjen e radhës të FIFA-s. Më saktësisht, sot është mësuar se kemi humbur tri pozicione. Aktualisht jemi të 60-tët në këtë klasifikim, nga të 57-tët muajin e kaluar. Kosova, nga ana e saj, ka ngjitur një pozicion për muajin tetor, duke qenë e 137-ta.
Kujtojmë se kulmin e kulmeve në këtë renditje, Shqipëria e pati në muajin gusht 2015, vendin e 22-të në FIFA. Një rekord historik në ranglistën e kombëtareve të gjithë botës. Sa për histori, vendi i 84-t ka qenë pozicioni më i keq, që ka pasur kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Xhani De Biazit. Këtë pozicionim kuqezinjtë e kanë pasur në muajt prill, maj, tetor dhe nëntor 2012.