Përbërësit për 4 persona:
Për qoftet:
400gr mish të grirë viçi
30gr djathë kaçkavall të grirë dele
2 lugë galetë
1 vezë
1 tufë majdanoz
1 thelbi hudhër
2 lugë plot miell
Për salcën me speca:
200gr salcë domatesh 3 speca (1 i kuq, 1 i verdhë, 1 jeshil) vaj ulliri kripë piper
Përgatitja:
Lajmë dhe pastrojmë specat duke i hequr fijet dhe farat e brendshme dhe i presim në copa me madhësi të njëjtë.
I kavërdisim në pak vaj ulliri në zjarr të lartë derisa të marrin ngjyrë duke i përzierë shpesh. I rregullojmë me kripë, shtojmë salcën e domateve duke i përzierë të gjitha bashkë dhe i lëmë në zjarr të ulët të gatuhen për rreth 20 minuta.
Në një tas, bashkojmë mishin e grirë të viçit, vezën, djathin e grirë, galetën, majdanozin dhe hudhrën e grirë hollë dhe i përziejmë me kujdes me dorë derisa të përftojmë një përbërje homogjene të cilës i shtojmë edhe pak kripë e piper (kujdes, pasi djathi kaçkavall është vetë i kripur).
Lagim duart dhe formojmë qofte të vogla me madhësinë e një arre, i kalojmë në miell dhe i skuqim për pak minuta në një tigan tjetër me pak vaj ulliri duke i përzierë shpesh derisa të marrin ngjyrë të artë.
Në fund, shtojmë qoftet tek salca me speca dhe e servirim të ngrohtë ose në temperaturë ambienti.