14 Tetor 2018 Presidenti Meta viziton zonat e thella malore të Tropojës dhe përuron rrugën e re që lidh Lekbibajn me Curraj i Epërm
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta gjatë vizitës në Tropojë ishte i pranishëm në përurimin e rrugës së re që lidh Lekbibaj me Curraj i Epërm.
Në fjalën e tij Presidenti Meta, u shpreh: “Ndihem shumë i lumtur të jem këtu në Curraj të Epërm, në Nikaj- Mërtur, në Tropojën epike.
Jetojmë në kohë të vështira, kur globalizimi, komercializimi po godasin disa vlera të rëndësishme të familjes, të atdheut, të kombit dhe ne si një vend i vogël jemi të rrezikuar në rast se nuk i kushtojmë rëndësi të madhe këtyre vlerave. Kjo vepër është rikthimi i të gjithëve ju me shumë dashuri e krenari në vendin tuaj e të parëve tuaj. Është një mesazh i fortë atdhedashurie, por njëkohësisht edhe rimëkëmbjeje.”
Duke përmendur edhe rëndësinë e turizmit Presidenti Meta vlerësoi dhe u shprehu mirënjohjen turistëve, sidomos të rinjve, të cilët me mesazhin e tyre të fortë në media, kanë theksuar se Shqipëria është një vend me një bukuri të rrallë natyrore, e pacenuar dhe e padëmtuar, ku ia vlen të vish për turizëm malor, për ngjitje dhe alpinizëm, për “turizmin e aventurës”, duke promovuar sidomos ardhjen në Curraj të Epërm.
“Do të bashkëpunoj shumë më ngushtë edhe me kryetarin e Bashkisë, me administratorin, me deputetin, e me të gjithë ju, në mënyrë që t’i zgjidhim hap pas hapi të gjitha problemet që ka kjo zonë, që kjo rrugë të jetë e standardeve të duhura dhe njëkohësisht të zgjidhim problemet e telefonisë e të komunikimit, të energjisë e shumë çështje të tjera, të cilat do të bëjnë të mundur që sikurse u hap kjo rrugë, të hapen edhe këto shtëpi e të mirëmbahen. Që këtu të kemi më shumë bujtina e më tepër turizëm, të ardhura, e më shumë fëmijë. Kjo është shumë e rëndësishme!”
“Një gjë mund ta them me bindje se nuk ka vend më të bukur se sa Shqipëria. Bjeshkët e Nëmura dhe Currajt e Epërm do t’i kishte zili çdo vend i zhvilluar në botë. Ne i kemi e duhet t‘i ruajmë si sytë e ballit!