Panos Kammenos, udhëheqës i Partisë së Grekëve të Pavarur
Udhëheqësi i një partie të krahut të djathtë në Greqi kërcënoi me tërheqje nga koalicioni qeverisës nëse marrëveshja për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë del para parlamentit.
Kryeministri majtist, Alexis Tsipras, dhe Panos Kammenos, udhëheqës i Partisë së Grekëve të Pavarur, i kanë bashkuar forcat në vitin 2015, me qëllim tërheqjen e Greqisë nga kriza e atëhershme e borxhit.
Por, marrëveshja që Qeveria e Tsipras ka arritur me Maqedoninë, e cila e ndryshon emrin e saj në Maqedoni të Veriut, e ka lëkundur koalicionin.
“Nuk do të votoj për këtë marrëveshje nëse vjen në parlament”, tha Kammenos, i cili është ministër i Mbrojtjes.
“Nëse shumica parlamentare vendos për divorc, divorci do të ndodhë”, tha ai.
Nacionalistët grekë e kundërshtojnë marrëveshjen për emrin, duke pretenduar se Maqedonia është historikisht greke dhe pjesë e trashëgimisë greke.
Greqia, qëkur Maqedonia ka shpallur pavarësinë më 1991, ka këmbëngulur se emri Maqedoni sugjeron se fqinji i saj ka pretendime territoriale ndaj një rajoni grek me të njëjtin emër dhe, në këtë mënyrë, e ka bllokuar rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja e qershorit, e miratuar nga Tsipras, e ka hequr këtë bllokadë dhe është mirëpritur nga NATO-ja dhe BE-ja.