Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se ka zhvilluar takim zyrtar me Kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtirin, me ç’rast kanë diskutuar edhe për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Pacolli ka bërë të ditur se ka bashkëbiseduar me Bahtirin për të realizuar një ceremoni të veçantë për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, datë historike kjo e shumëpritur për gjithë kosovarët, njofton Klan Kosova.
Më tej ai ka theksuar se është propozuar që në këtë ceremoni të jetë e ftuar një këngëtare amerikane për të performuar.
Por, klankosova.tv merr vesh se këngëtarja e cila pritet të performojë atë ditë në të cilën do të bëhet hapja zyrtare e Urës së Ibrit, është Shakira, emër i njohur ky në botën e shoubizit dhe më gjerë.
Këtë e kanë bërë të ditur burime të klankosova.tv nga zyra e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa është thënë se ”ende nuk ka diçka konkrete, veçse ajo është propozuar si ide e mundshme”.
Sipas ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, këngëtarja e cila do të performojë në ceremoninë e hapjes së Urës së Ibrit, do ta mbahet mend edhe më gjatë pasi për të ka dhe një propozim-vendim tjetër:
”Hapja do të bëhet me një ceremoni të veçantë, ku do të performoj edhe një këngëtare amerikane, emrin e së cilës do të propozojmë që ta mbaj Ura e Ibrit”, ka theksuar Pacolli në llogarinë e tij të Facebook-ut.