Tropoja shënon “Festën e kcimit të Tropojës”!

Nga Adem Lushaj

“Festa e kcimit të Tropojës, Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore kombëtare”. Kështu shkruhej në qendër të qytetit të Bajram Currit, në të cilën ishin tubuar qytetar të shumtë të Tropojës së Binak Alisë, Dervish Luzhës, Sali Berishës dhe Azem Hajdarit, Fatime Sokoli, Gëzim Nikës dhe Fatmire Breçanit,…të cilëve iu ishte bashkuar edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i Zonës, Isuf Çelaj; si dhe diplomat të ambasadave në Shqipëri.

Tropojanët me vallëzimet e tyre tradicionale dhe këngët folklorike, shënuan festën e cila synon të jetë nën mbrojtje të UNESCO-s. Në fjalën mirë se ardhëse, Besnik Dusha, kryetar i Bashkisë së Bajram Currit, iu është drejtuar presidentit të vendit me fjalët, “mirë se erdhe në Tropojën historike, në Tropojën e Azem Hajdarit dhe Sali Berishës. Dita e sotme është ditë feste. Sikurse, Valbona, ashtu edhe vallja trppojane, është pasuri kombëtare, ku presim të jetë trashëgimi botërore. Asnjë festë e jonë, nuk mund të paramendohet pa vallen e Tropojes. Kjo valle mësohet edhe në shkollë, nga brezi në brez. Jeni në Malësi të Gjakovës, në vendin e shumë figurave të shquara të kombit tonë. Në këto male dhe kulla, janë mësuar epe për kreshnikët dhe lavdinë atdhetarëve nga Shqipëria e Kosova”.

Për të parin e Shqipërisë, Ilir Meta, ardhja në Tropojë është me emocion dhe kënaqësi, ngase njihet si trevë që ka dhënë shumë për kulturën, shkencën dhe trimërinë e kombit. Sipas tij, kjo zonë ka nxjerrë njerëz të vlerave të larta intelektuale dhe atdhetare. Ilir Meta, duke çmuar kontributin kombëtar të Tropojës dhe tropojanëve, duke përmend Kuvendin e Junikut, Bujanit, Prizrenit,….ka premtuar se do angazhohet që kjo “Trevë e Malësisë së Gjakovës”, të bëhet qendër botërore e turizmit natyror, ngase e mundësojnë bukuritë e Bjeshkëve ndër shqiptare, duke i quajtur, “Bjeshkët e Bekuara”.

Gjithashtu, Presidenti Meta, ka vlerësuar lartë figurat e tropojanëve, duke thënë se përulet para veprës së Azem Hajdarit, sikurse ka çmuar këmbëngulësin e Sali Berishës, për ndërtimin e “Rrugës së Kombit”, që ka lidh Shqipërinë me Kosovën. Presidenti Meta, për kontributin e dhënë në fushën e kulturës ka dekoruar me Urdhërin “Artist të merituar” personalitetet e shquara të muzikës tropojane, si: Xhevahire Gashi dhe Murat Hajdaraj (pas vdekjes), Skënder Doshlanin, Ndue Ukcamën dhe Skënder Haklaj. Ndërsa, me “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”, Presidenti i Shqipërisë, ka dekoruar diplomatin e karrierës, ish Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, “qytetarin e nderit të Deçanit”, dr. Islam Laukën.