Komisioni Europian, në raportin e tremujorit të tretë për ecurinë e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate ka bërë një analizë të ecurisë së ekonomisë shqiptare, ku ka konstatuar se investimet po ngadalësohen, duke reflektuar përfundimin e projekteve të mëdha energjetike. Ndërsa rritja në pjesën e parë të vitit u nxit nga prodhimi i energjisë dhe industria përpunuese.
Sipas raportit, PBB-ja reale në Shqipëri u rrit me 4.3% me bazë vjetore në tremujorin e dytë pasi u rrit me 4.5% në tre muajt e parë. Nga ana e kërkesës, rritja ishte kryesisht e nxitur nga konsumi i ekonomisë familjare, i cili e përforcoi ecurinë e saj të qëndrueshme në 3.3% në vit, mbështetur nga rritja e punësimit, inflacioni i moderuar dhe normat e ulëta të interesit. Formimi i kapitalit fiks, i cili ende përfitoi nga investimet e huaja direkte në sektorin energjetik në tremujorin e parë, u ngadalësua në 1.5% (rritje vjetore) nga 4.5%, që ishte në tremujorin e parë.
Në të kundërt, konsumi qeveritar në tremujorin e dytë u tkurr me 3.4% me bazë vjetore. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve vazhduan rimëkëmbjen e tyre në tremujorin e dytë me 3.9% ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën më ngadalë me 2% me bazë vjetore.
Eksportet kanë rritur peshën në prodhimin e brendshëm bruto në 34.1%, ndërkohë që importet kanë rënë pak, por mbeten në nivelin e tyre të ngritur prej pothuajse 50% të PBB-së. Nga ana e ofertës, prodhimi i energjisë dhe industria përpunuese kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e ekonomisë në periudhën e deritanishme të 2018-s. Ndërtimi u ngadalësua, po ashtu edhe sektori i shërbimeve, kryesisht për shkak të bazës së lartë krahasuese, ndërkohë që të dy sektorët vazhduan të kontribuonin pozitivisht në ecurinë ekonomike.
Ndonëse rritja e punësimit u ngadalësua, norma e papunësisë vijoi rënien, duke arritur në 12.9%, më i ulëti nga viti 2012. Edhe papunësia tek të rinjtë vijoi rënien, nga 34% në 2015-n, në 22.6%, ndonëse mbetet në nivele të larta. Pagat e sektorit privat u rritën në shumë segmente, ndërsa rritja e pagës së sektorit publik i ngadalësua në 0.2%, pas rritjes së fortë në 2017 dhe tremujorin e parë 2018.
Deficiti i llogarisë korente u ngushtua në 7% të PBB-së, nga 7.9% në tremujorin e parë, për shkak të ngadalësimit të importeve dhe rritjes së eksporteve.
Huadhënia në sektorin privat mbetet e dobët, si rrjedhojë e kërkesës së ulët dhe shtrëngimit ë kushteve të kredive nga bankat huatë me probleme u ulën, por me ritme më të ngadalta se në 2017-n, duke zbritur në 12.9% në gusht.
Sistemi bankar po konsolidohet me dy bashkime që përfunduan në 2018 dhe numri i bankave nga 16 u reduktua në 4. Ekspozimi i sistemit bankar ndaj Turqisë është i ulët, me vetëm 6.6% të aseteve që janë të lidhura me kompanitë turke.
Të ardhurat buxhetore u rritën me 3.1 me bazë vjetore për 8 mujorin dhe u ndikuan negativisht nga zhvlerësimi i euros, sidomos TVSh dhe të ardhurat doganore. Të ardhurat e ulëta nga TVSh dhe doganat u kompensuan nga të hyrat më të larta të sigurimeve shoqërore.
Borxhi publik ra në 69.3 % të PBB-së në fund të qershorit, nga 70% që ishte në fund të 2017-s.
Rritja në Ballkanin Perëndimor u përshpejtua
Sipas raportit, rritja ekonomike u përshpejtua në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tremujorin e dytë të 2018, duke vijuar një trend që filloi në fillim të vitit 2017. Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë regjistroi përshpejtimin më të lartë të rritjes vjetore të PBB-së, në 3.1%, nga 0.1% e ngadaltë e tremujorit të parë, mbështetur nga rritja e eksporteve. Në Bosnjë dhe Hercegovinë ekonomia u zgjerua me 3.4%, me eksportet dhe konsumin privat që përshpejtuan këtë rritje. Në Mal të Zi dhe Kosovë rritja u forcua në 4.9% dhe 4.7% , respektivisht. Në të dy rastet, zgjerimi ekonomik përfshinte të gjithë komponentët e kërkesës së brendshme (sidomos investimet) duke kontribuar pozitivisht në rritje.
Në anën tjetër, në Serbi dhe Shqipëri, rritja ekonomike u ngadalësua pak për të dytin tremujor, 4.8% dhe 4.3%, respektivisht. Në Serbi, rritja ekonomike është nxitur nga të gjithë komponentët e kërkesave të brendshme ndërsa performanca e rritjes ekonomike të Shqipërisë u mbështet kryesisht në rritjen e konsumit të familjeve. Në përgjithësi, në tremujorin e dytë të vitit 2018, PBB-ja e rajonit të Ballkanit Perëndimor arriti në 4.3%, nga 3.6% në të tremujorin e parë dhe 1.9% në tremujorin e njëjtë të një viti më parë.