Eksperti i Politikës së Jashtme, David Phillips, njëherësh këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë i angazhuar nga Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë.Ai ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, është alternativa më e keqe për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.
Philips ka theksuar se korrigjimi i kufijve përfaqëson një tradhti historike të popullit të Kosovës, duke e quajtur këtë ide të rrezikshme, destabilizuese dhe që mund të çojë në dhunë dhe fragmentim të përtërirë.
Ai ka thënë se nuk mund të merrë pjesë në planin e ndarjes së Kosovës, pasi kjo bie në kundërshtim me vlerat e tij, përcjell Bota sot.
“Unë nuk mund të marrë pjesë në planin e propozuar të ndarjes që ka të meta strategjike dhe në thelb kundërshton vlerat e mia. Si parim i kam informuar edhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës për synimin tim për të dhënë këtë dorëheqje, që të mos marrë pjesë në ndarje”, thuhet në letrën e David Philips, të dorëzuar sot.
Sipas Philips, ithtarët e korrigjimit të kufijve besojnë se mos-njohësit e BE-së do të pranonin një Kosovë të rikonfiguruar dhe se SHBA-ja mund ta bindë Rusinë dhe Kinën që të heqin kundërshtimin e tyre ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB. Mirëpo, ai ka thënë se nuk ka bazë për një përfundim të tillë.
Lexoni të plotë deklaratën e dorëheqjes së Phillipsit:
Unë kam punuar për pavarësinë e Kosovës mbi tridhjetë vjet, si zyrtar amerikan në Capitol Hill, në ‘think-tanks’ si Këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë, si dhe studiues në Universitetin Kolumbias. Qeveria e Kosovës së fundmi më ka kërkuar të shërbeja si këshilltar në dialogun Kosovë-Serbi. U pajtova sepse besoja se mund të arrihej një marrëveshje duke e fuqizuar pushtetin, duke rritur sundimin e ligjit dhe duke rritur presionin nga bashkësia ndërkombëtare në Serbi për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktual.
Disa në institucionet e Kosovës po ndjekin një rrugë tjetër. Ata pranojnë korrigjimin e kufijve, duke dhënë territor në Serbi.
Unë besoj se ndarja apo korrigjimi i kufijve është marrëveshje e keqe, e cila nuk do të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë apo do ta vendoste Kosovën në një pozicion për të fituar njohje më të madhe globale. Ithtarët e korrigjimit të kufijve besojnë se mos-njohësit e BE-së do të pranonin një Kosovë të rikonfiguruar dhe se SHBA-ja mund ta bindë Rusinë dhe Kinën që të heqin kundërshtimin e tyre ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB. Nuk ka bazë të njohur për këtë përfundim.
Për më tepër, korrigjimi i kufijve përfaqëson një tradhti historike të popullit kosovar. Ajo minon parimet demokratike të multikulturalizmit dhe pluralizmit politik për të cilin shumë prej tyre kanë vdekur në Ballkanin Perëndimor.
Është potencialisht e rrezikshme, destabilizuese dhe mund të çojë në dhunë dhe fragmentim të përtërirë.
Unë nuk mund të marrë pjesë në planin e propozuar të ndarjes që ka të meta strategjike dhe në thelb kundërshton vlerat e mia. Si parim i kam informuar edhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës për synimin tim për të dhënë këtë dorëheqje, që të mos marrë pjesë në ndarje.
David L. Phillips
Prishtinë, Kosovë
11 Tetor 2018