Frymëzuar nga njerëzit – Me këtë moto zhvillohet sivjet edicioni i 12-të i Tetorit Gjerman në Tiranë. Teatër, letërsi e risi të tjera.
Tetor 2007. Orkestra “Henrich Heine”, Düsseldorf, e mirënjohur në Gjermani për instrumentistët e saj virtuozë jep koncert në Tiranë me simfonitë e Beethoven-it. Muzika magjike e të së famshmes “Sonata nën Dritën e Hënës”- Mondscheinsonate – hap siparin e Tetorit të parë Gjerman në Shqipëri. Gjermania zgjodhi jo rastësisht, që Tetori gjerman të niste jetën e tij në Shqipëri në vitin 2007, në20 vjetorin e rivendosjes së marrdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Nga njëri vit në tjetrin, Tetori Gjerman u shndërrua në një ngjarje të bukur kulturore, argëtuese, me mundësi njohjesh të ndërsjellta, shkëmbimesh artistike e kulturore mes dy popujve, nënjë ngjarje që është tanimë simbol i miqësisë gjermano-shqiptare, me një vend të pazëvendësueshëm në jetën kulturore të dy popujve.
Frymëzuar nga njerëzit – Tetori gjerman 2018
Me këtë moto zhvillohet sivjet edicioni i 12-të i Tetorit Gjerman. Ambasadorja gjermane në Tiranë, Suzanne Schütz, tregon domethënien e këtij lajtmotivi. “Të frymëzojmë njerëzit. Kjo është moto e politikës së jashtme gjermane për ҫështje të kulturës dhe arsimit. Synojmë të mobilizojmë njerëzit dhe nga ana tjetër, ne vetë të frymëzohemi prej tyre. Përmes aktiviteteve të shumta dhe të larmishme dëshirojmë të ofrojmë mundësi për aftësi krijuese dhe ide të reja, të nxisim dialogun dhe diskursin, të shijojmë dhe vlerësojmë artin, si të tillë.”
Çfarë mesazhi jep sot lufta dhe pajtimi mes popujve fqinjë?
Teatër, balet, film, muzikë, kulinari gjermane dhe shqiptare, diskutime për tema aktuale politike, ekonomike, shoqërore në të dyja vendet. Absurditeti i luftës, dobia e paqes dhe pajtimit vjen te publiku shqiptar përmes premierës së pjesës teatrale “Dogfall” e shkrimtarit dhe dramaturgut të njohur australian Caleb Lewis, fitues i shumë ҫmimeve, vënë për herë të parë në skenë në Australi në vitin 2007. Ngjarjet vendosen në Luftën e Parë Botërore. Është viti 1916. Zhvillohet beteja në Somme, Francë, më e madhja e Luftës së Parë Botërore në Frontin Perëndimor dhe më e përgjakshmja në historinë njerëzore me rreth 1 milion të vrarë.
Ushtritë e Francës dhe Perandorisë Britanike sulmojnë Perandorinë Gjermane. Dy ushtarë, Will dhe Jack, përpiqen të mbijetojnë dhe t’i shpëtojnë luftës, atje në bunkerin e tyre. Por beteja vazhdon. Vendin e një armiku, e zë një tjetër. Dhe pastaj fillojnë të bien qentë. Nga beteja në Somme, tek ajo në Stalingrad, Vietnam apo Kuvajt kjo pjesë teatrale paraqet absurditetin e luftës dhe të një botë të kthyer kokëposhtë.
E pyetur ngaDW në Tiranë, për risitë e edicionit të sivjetëm të Tetorit Gjerman, Ambasadorja gjermane, Susanne Schütz tha se “premiera e kësaj pjese teatrale në Shqipëri është një bashkëpunim mes ambasadës gjermane dhe asaj franceze. Ajo vihet në skenë në kuadër të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Shfaqja do të nxisë diskutime të shumta. Eshte një aktivitet që tregon sesi ne, Gjermania dhe Franca, kemi gjetur rrugën e kapërcimit të armiqësive mes nesh. Përballja me të kaluarën historike si në marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Francës apo me të shkuarën e Shqipërisë është trajtuar herë pas herë.”
Kultura – më shumë se muzikë dhe art
Enrico Günther, Drejtues i Sektorit të Kulturës dhe Shtypit, në Ambasadën Gjermane në Tiranë zbulon edhe një këndvështrim realist të shkëmbimit kulturor gjermano-shqiptar.
“Kultura është shumë më tepër se thjesht muzikë, art, letërsi, balet, kinematografi etj. Në të bën pjesë edhe kulinaria. Në këtë edicion të Tetorit gjerman dy shefa kuzhine, të teknikës „slow food, njëri nga Bremen dhe tjetri nga Tirana, do të prezantojnë gatime të kuzhinës gjermane dhe asaj shqiptare dhe më pas sekretet e tyre të gatimit do t’i ndajnë me gjeneratën e re të kuzhinierëve nga shkolla profesionale e Kamzës”.
Por ka edhe më tepër: si të zbulojmë dhe denoncojmë Fake News? Cilat janë stereotipet në të dyja shoqëritë lidhur me rolin e burrit dhe të gruas? Si mund të angazhohet rinia dhe të ketë një qëndrim qytetar aktiv në shoqëri? Çfarë përvoje mund t’u japë shkrimtarëve të rinj në Shqipëri një shkrimtare e njohur gjermane si Sandra Hoffmann? “Dëshërojmë të krijojmë hapësira diskutime me të rinjtë shqiptarë, kërkojmë të ngrejmë ura komunikimi mes njerezve përmes aktiviteteve të Tetorit Gjerman 2018, ” thotë Enrico Günther.
Tetori Gjerman 2018 e hap siparin të premten, më 5 shtator me Ditën e Informacionit për mundësitë e studimit, bursave dhe praktikave në Gjermani per shqiptarët. Për të gjithë dashamirësit, të apasionuarit për kulturën, artin dhe arsimin gjerman, për gjithë ata që duhen të të bëhen pjesë e diskutimeve, mund të gjejnë programin e detajuar të Tetorit Gjerman 2018 në http://www.tetori-gjerman.com