PËRKUJTIMI I MARTIRËVE TË LIRISË, DETYRIM PËR BREZAT

Fjala e z. Gjin Gjoli n/kryetar i shoqatës Nikaj-Mertur në ditën 29 Shtatorit, fillesës së genocidit komunist në Malësinë e Gjakovës.

Të nderuar deputet, i nderuar kryetar i Bashkisë z. Besnik Dushaj!
Të nderuar pjesëmarrës, vëllëzër e motra të Malësisë së Gjakovës.
Jam i privilegjuar që në emër të ish të përndjekurve politik dhe shoqatës së Nikaj-Merturit të shpreh mirënjohjen time për evenimentin e sotshëm që shënon një tjetër datë të rëndësishme në historinë famëmadhe të Malësisë së Gjakovës, atë të përkujtimit të viktimave nga regjimi komunist.
Ne ja dolëm sërish si krahinë e Malësisë së Gjakovës, ne jemi në bashkitë e para që kemi zyrtarizuar në kalendarin protokollar bashkiak përkujtimin e të parëve tanë që u vranë, u pushkatuan, u burgosën nga regjimi gjakatar.
Këtu dua ti adresoj një falenderim, inisiatorëve, aktivistëve studiusve dhe të gjithë firmëtarëve që kërkuan shkresërisht nga bashkia shpalljen e kësaj dite përkujtimore.
Bashkia e Tropojës e këshilli i saj bashkiak dëshmuan në lartësinë e detyrës, me vendimin që moren një vit më parë dhe unë i falenderoj një për një ata anëtarë të këshillit, por kryefalenderimi i takon të zotit të shtëpisë z. Besnik Dushaj që siç i ka hije derës tënde po dëshmon rast pas rasti se Tropoja është nën administrimin e njeriut të duhur.
Falenderoj përzemërsisht deputetin Isuf Çelaj, ish deputeten Mimoza Hajdarmataj, ish deputetin Xhevdet Mehmeti, administratorin e Nikaj-Merturit z. Gjovalin Gjeloshi, dhjetoristët Gjin Progni e Ilir Pecnikaj, historianin Ylli Prebibaj, avokatin Gjelosh Progni e kryetarin e Shoqatës antikomuniste z. Nebil Çika si dhe kryetarin e Shoqatës së Nikaj-Merturit zotin Mhill Gecaj i cili po jep një kontribut të madh në të gjithë veprimtarinë e shoqatës.
Përkujtimi i të parëve tanë, megjithëse i vonuar dëshmon se ata nuk janë vetëm dhe se roli i tyre do të dalë në dritë të diellit.
Unë sot përulem përpara veprës së secilit prej tyre, ku nuk do të veçojë asnjë me emër së ata janë shumë, janë nga një për çdo shtëpi të Malësisë së Gjakovës, janë burra e gra të Malsisë, viktima të atij regjimi të egër komunist.
Dritë u pastë shpirti e kurrë sa të jemi gjallë nuk do ju harrojmë.
Ne si të përndjekur u jemi mirënjohës rrethit familjar, miqve, dhashamirësve e që në ato dekada të zeza të regjimit komunist na qëndruan afër dhe nuk na mohuan.
Zoti u nderoftë brez pas brezi.
Ju falenderoj të nderuar organizator, pjesëmarrës dhe mbështetës të këtij aktiviteti. Zoti e bekoftë Malësinë e Gjakovës.