Ballina Aktualitet Deklaratë për Shtyp për atdhesimin e eshtrave të Mit’hat Frashërit

Deklaratë për Shtyp për atdhesimin e eshtrave të Mit’hat Frashërit

Nga Ambasada e Shqipërisë në Washington D.C.

Në fillim të muajit tetor përkujtohet ndarja nga jeta e patriotit të shquar shqiptar, Mid’hat Abdyl Frashërit, në Shqipëri, por edhe ndër bashkëkombasit tanë në diasporë.

Me këtë rast, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bën me dije se, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 485, date 31 korrik 2018, “Për kthimin në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri”, është plotësisht e angazhuar, në bashkëpunim me autoritetet amerikane, për përmbushjen e amanetit të Mid’hat Frashërit dhe kërkesës së bashkëluftëtarëve dhe familjarëve, që eshtrat e tij të prehen në tokën e të parëve.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë i është veçanërisht mirënjohëse pasardhësve të Mid’hat Frashërit për të gjithë ndihmën e dhënë për përmbushjen e kësaj detyre njerëzore dhe atdhetare, po aq sa edhe familjarëve të bashkëpunëtorve të tij, avokatit Toptani, si edhe Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo në Tiranë për propozimin e kësaj nisme.

Jo vetëm në kohën kur u përfshi në përpjekjet e mëdha të Rilindjes kombëtare për emancipimin kombëtar dhe individual të shqiptarëve, por edhe në çdo moment tjetër të veprimtarisë së tij publicistike, diplomatike dhe politike, Mid’hat Frashëri spikati prej orientimit të tij pro-perendimor dhe qasjes vizionare ndaj marrëdhënieve të privilegjuara me aleatët tanë të çdo kohe, sot, partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kontekst, atdhesimi i eshtrave të këtij patrioti të shquar, lipset të jetë një moment përbashkimi, solemniteti dhe krenarie për të gjithë diasporën shqiptare në SHBA, sikundër duhet të kthehet në një shprehje dinjitoze mirënjohje për tokën e bekuar amerikane që i qe banesë e fundit për 69 vjet dhe një moment kremtimi të marrëdhënieve historike shqiptaro-amerikane.

Është jubileu i 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, të cilit Mid’hat Frashëri ju bë kryetar dhe udhërrëfyes, së bashku me At Gjergj Fishtën, dhe shumë atdhetarë të tjerë, që mundëson në kuadrin më të denjë të mundshëm, sjelljen në atdhe të eshtrave të tij. Kjo ngjarje do të jetë një nga më të rëndësishmet e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Ceremonitë që do të shënojnë këtë ngjarje, do të zhvillohen në New York dhe në Tiranë rreth datave 12 dhe 14 nëntor 2018. Eshtrat e Mid’hat Frashërit parashikohet të prehen në varrezat monumentale të vëllezërve Frashëri, në kodrat e liqenit në Tiranë, pranë babait dhe xhaxhait të tij, jo larg vendit ku prehen edhe eshtrat e personalitetit tjetër të shquar, Faik Konicës.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në SHBA do të mbajë të informuar në vazhdimësi bashkëkombasit tanë për rrjedhën dhe programin e ceremonive dhe mirëpret angazhimin e diasporës shqiptare për të kontribuar në konceptimin dhe mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve, si dhe për të shoqëruar me një frymë vëllazërie, qytetarie, dinjiteti dhe atdhedashurie, virtute që karakterizuan në shkallën më të lartë Mid’hat Frashërin, kthimin e tij në atdhe.