Nga Fjala e Princ Leka i Dytë i Shqiptarëve
Me Lejoni të filloj këtë fjalim duke kujtuar fjalët e babait tim të ndjerë kur, në mars të vitit 2002, një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë patën guximin dhe vizionin të ftojnë Familjen mbretërore për t’u rikthyer përfundimisht në atdhe. Në një intervistë nga Johanesburgu për “Zërin e Amerikës”, Leka I u shpreh: “jemi gati të japim kontributin tonë si qytetarë, ose cilado që të jetë nevoja, për të zhvilluar ekonominë, fuqinë shqiptare dhe sidomos për të mirën e të gjithë kombit shqiptar”. “Unë dhe familja ime – vazhdoi ai – jemi në shërbim të atij populli dhe do të vazhdojmë të jemi në shërbim të popullit shqiptar”.
Përpara 90 vitesh, kombi shqiptar i mbledhur në Asamblenë e Dytë Kushtetuese e thirri gjyshin tim për shërbyer në detyrën e lartë si Mbret i shqiptarëve. Është shprehja e mirënjohjes më të veçantë të kombit për shërbimet dhe kontributet e Ahmet Zogut për të mirën dhe begatinë e vendit. Ne do të jemi përjetësisht mirënjohës për këtë privilegj.
Si Familje mbretërore në pushtet midis 1928ës dhe 1939-ës, si një familje e shquar e Matit më përpara, dhe si Familje Mbretërore në mërgim deri në vitin 2002, familja jonë ka qenë përherë e përkushtuar ndaj mbrojtjes dhe stabilitetit të vendit, si edhe ndaj bashkimit dhe zhvillimit kombëtar.
Me rikthimin tonë në atdhe, roli dhe misioni ynë në shërbim të Kombit ka marrë trajta të reja.
Prandaj është drejt të ardhmes që dua të përqëndrohem. Sot, sikurse shprehej Preambuli i Kushtetutës së 1928ës, çështja themelore është si t’i sigurojmë “brezit të ardhshëm një mbarëvajtje të meritueshme”.
E tashmja ështe e mbushur me shpresë por edhe e mbarsur me kërcënime.
1. “Bashkim në diversitet”
Nga njëra anë, aspirata shekullore për liri dhe dinjitet kombëtar është sot më pranë se kurrë realizimit të saj. Nga ana tjetër, mënyrat e ndryshme të të qenit shqiptar brenda dhe jashtë kufinjve nganjëherë shkaktojnë tendosje të unitetit tonë kombëtar. Mendimtarët dhe intelektualët kanë përpara sfidën e madhe sesi të ndërtojmë bashkimin në diversitet të shqiptarëve për shekullin e 21të.
2. “Pajtimi nombëtar”
Bashkim dhe vëllazërim nuk mund të ketë pa një pajtim të vërtetë kombëtar. Plagët e së shkuarës, mjerisht, ende janë të hapura. Riatdhesimi i eshtrave të Mbretit Zog dhe, së shpejti, të patriotit Mid’hat Frashëri janë hapa që shkojnë në drejtimin e duhur. Por janë të pamjaftueshëm. Vuajtjet dhe torturat e parrëfyeshme duhet të gëzojnë respektin e merituar nga autoritet publike dhe nga shoqëria. Integrimi dhe dëmshpërblimi i të përndjekurve është një proces që duhet mbyllur sa më parë.
3. “Një qeveri që punon për popullin”
Qytetarët janë të zhgënjyer me mënyrën sesi funksionon demokracia jonë. Duket sikur grupimet politike më shumë luftojnë për pushtetin si një qëllim në vetvete, sesa në funksion të vënies në jetë të një vizioni për zhvillimin e vendit dhe përparimin e popullit. Jeta e qytetarëve, punësimi, arsimi, shëndetësia dhe liria e sipërmarrjes duhet të jenë më shumë në debatet e ditës.
4. “Liri e rregulluar me ligj”
Për shumë dekada populli ynë jetoi nën një liri të mohuar. Një shpresë lirie – më shumë anarkike sesa e vërtetë – lëshoi rrënjë në vitet 1990-2000. Ka ardhur koha që populli shqiptar të gëzojë lirinë e rregulluar me ligj – një liri të denjë për një komb europian. Inkurajojmë përfaqësuesit e popullit dhe qeverinë të intensifikojnë përpjekjet për të ndërtuar dhe reformuar institucionet që garantojnë liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve: një drejtësi të pavarur dhe të paanshme, fjalën e lirë brenda kornizave të ligjit, gëzimin e lirë dhe të qetë të pronës.
5. “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik”
Në ekonomi, ne tashmë përballemi me sfidën e shfrytëzimit të qëndrueshëm të kapitalit tonë natyror dhe njerëzor në fushën e turizmit, energjisë dhe bujqësisë. Sfida kyçe është si të prodhojmë punësim dhe perspektivë për të rinjtë tanë këtu në vendin tonë. Na duhen ide të reja sesi të çlirojmë energjinë, gjallërinë dhe ambicien e rinisë tonë dhe të nxisim inovacionin dhe sipërmarrjen.
6. “Një shoqëri të hapur, tolerante dhe solidare”
Së fundi, të gjithë së bashku duhet të punojmë për një shoqëri të hapur, tolerante dhe solidare. Nuk mund të lejojmë që diferencat sociale dhe ekonomike të cënojnë dinjitetin e barabartë të qytetarëve dhe barazinë e tyre para ligjit. Duhet t’i shtrijmë dorën më të dobtëve dhe të margjinalizuarve.
Në të gjitha këto fronte, publikisht ose jo, Familja mbretërore, Fondacioni Mbretëresha Geraldinë, unë dhe Elia, si dhe bashkëpunëtorët e miqtë tanë vendas dhe të huaj përpiqemi të japim kontributin tonë, këshillën tonë dhe inkurajimet tona.
Përveçse është jubileu 90-vjeçar i shpalljes së Mbretërisë, sot është edhe 123-vjetori i lindjes së Mbretit Zog I.
Eshtë më se e natyrshme të përmenden disa nga arritjet më të rëndesishme të saj, të cilat e bejnë këtë një nga periudhat më të suksesshme të historisë së kombit shqiptar.
Shqipëria nën udhëheqjen e mbretit të Zog nga një vend i varfër dhe i pazhvilluar, fisnor dhe i përçarë, me kontradikta të shumta, u bë një vend modern , i unifikuar, me shtrirje të pushtetit dhe administratës në secilin cep të saj.
Në vitet e Mbretërisë me një kushtetutë tipike të mbretërive konstitucionaliste evropiane. vendi njohu një zhvillim të paprecedent, si: respektimi i madh i lirisë së besimeve fetare, respektimi i pronës, i lëvizjes së lirë,konsolidimi i institucioneve të shtetit shqiptar, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën. ndërtimi i mijëra kilometrave rrugë e ura, porte detare dhe aeroporte, qindra shkollave, qendrave shëndetësore, spitaleve në mbarë vendin,etj.
U krijua një administratë e efektshme, një gjyqësor i besueshëm,u vendos mbretërimi i ligjit, u luftua fanatizmi, u krijuan kushtet për lirinë e shtypit, u forcua monedha kombëtare në një shkallë që nuk është njohur deri tani.
Me Mbretin Zog ndërlidhet edhe Autoqefalia e Kishës ortodokse shqiptare, vendosja e Kryegjyshatës botërore bektashiane në Shqipëri, si dhe liria e plotë e besimit që ndikoi në zhvillimin e veprimtarisë së gjithanshme të Bashkësisë Islame dhe të Kishës Katolike.
Nuk mund të mos përmendet dhe mbrojtja e ndihma që iu dha hebrenjve si një vlere e padiskutueshme e shtetit shqiptar ne periudhen e mbreterise.
Atdheu mbi të gjitha!
Oborri Mbreteror Shqiptar