Nga Qazim SHEHU
1.- GJUNJËT
Në ditën më të bukur të kombit,
Ecim me gjunj të lodhur…
Kostumin që veshim
me ngjyra ,lakmues rrufesh,
lule e breza ylberorë në spikamë,
si ne e patën të veshur edhe të parët tanë .
veç gjunjët i patën më të fortë
dhe rendjen drejt bërjes së kombit,
I njëjtë mbet i vetëm kostumi
Po gjunjët tanë më të lodhur…
Ndoshta se kombi u bë
Dhe në ngjyra prêt për t`u shlodhur…
2.- DHE TË MENDOSH…
Ti solla lulet prej letre.
Lule sidoqoftë janë,
Se para teje një tjetre
Vështrimet e mia drejt saj shkanë.
Do t`i panosh ti ato
Pa ngjyrën këndellëse,
Se edhe vështrimi jot shko
Drejt tjetrit pa dënesje,
Në këtë botë që sajo
Manekinë në vend të njerëzve,
3.- DËFREJNË THELLËSITË
dëfrejnë thellësitë
Me një tingull pambuku
Me një zilkë që e harruan stolitë.
një buzëqeshje që u tret ngadalë
Me një kujtim që u zhyt në të,
Pastaj nga thellësitë pa fjalë
Mjalti i muzgut helmin më lë…
4.- LËKURË E DIMRI
Në garderobë ditësh jelekun e pranverës vara
Këmishën e verës dhe lakuriqësinë e korrikut,
Në plazhe përvëluese shpesh thava,
Ëndrrën për një rrobë që i duhet ditës.
Dhe s`e gjeta atë rrobë në ngatërrimin e stinëve
Tani vesh pikëllimin e hollë të muzgut,
Si një pancir përshkënditës,
Për të mos iu dorëzuar sulmeve,
Të spicave të dëshirave në një ton klithës…
5.- BUZËT E MUREVE
Muret kanë buzë
Dhe një thash e them e thurin si tërkuzë.
Dhe rrinë me heshtjen si ushunjzë
Që s`e thithin dot,
Buzët e mureve çelen në heshtjen vrastare,
Edhe pse kam bllokuar dyer, dritare…
6.-TOKA
E pandjeshme si koka
Kur peshën mbi qafë na vë
Dhe kaq e pafajshme toka,
Sa rëndojmë kur shkelim mbi të.
Për orbitën e saj pak kujtohemi
Për hapësirat pa faj,
Edhe pse prej saj mbrohemi
Nga shkreti e një planeti përskaj…
Toka kapelën e muzgjeve vë
Shkronja yjesh nënshkruajnë
Ujërat,tek freskohet me të
Në brendësi kur nebulozën ruan..
Krahët shtriq në gadishuj
Prek ujëra e prek skaje
Lotët lëshon, bëhen ishuj
nga tërmete të ardhshme.
Dhe ne kujtohemi pak,
Për lëmshin që na mba,
E lërojmë me djersë e gjak
Pastaj ajo kthehet e na ha…
7.- MOSMIRËNJOHJE
Grigja e fantazisë në tetor
Pemët bën theror.
E hëngrëm frutin e tyre,
Dhe sa pak kujtohemi për to,
Të zhveshur shkojnë drejt dimrit
Veç në sepete aromë e frutit kundërbo,
Mosmirënjohja shuhet e me kujtesën flirto…
Pastaj fantazia mbledh
Tufën e grigjës së bekuar,
Më bindet a më dhemb
Në nëntor për të mos e lëshuar….
8.-SHKULM I RITMIT TË DITËVE
Shkulm i ditëve
Zemrën ngre përpjetë
Ngrihet zog qiejsh
Cicërima mbjell.
Kur kthehet në fole
Me cicërimat peng
Dita nuk vë re
Sa kraharori dhemb.
Bosh ai gjëmon,
Brenda brinjëve të tij,
Shkulmet bëhen shkrumb
Hi që prushin përkund…
+++
zemra e përpëlitet
Në sizmikë fekton,
As sizmiologët, as ditët
Dridhjen s`e shpjegojnë..
Mendjen shpesh s`e pyet
Kjo përgjuese në vuajtje
Dhe ngre gjer tek yjtë
Çfarë dy hapa s`mundin.
si bishë mbyll sytë
ti kujton se fle,
Ajo hap gojën e përsëdyt
Jo duke ikur,
Po duke të kthyer në pre…
9.-NUMËRIM I RËNDË
Nëpër caqe kallur
Nga era e jugës
Hap i vajzës,çupës.
Të cilën e desha
Petale në horizont të mugët.
Drithmohem heshtur
Prej numërimit të tij,
Gjer ku do ketë bredhur
Si s`munda ta di?
10.-VALLJA E RRAJCËS
…kjo valle ngrihet në ajër,
Unazat e lidhura të ritmeve,
Tutje Qafë Thanës, liqen i pastër
I valëvit ,flamuj nositi.
Gjymtyrët çlidhen,gjoksi elegant,
Ngrefoset me hijeshi,
Lëvizjet braktisin ngjyrat,
Për t`i riafruar përsëri.
Eh, kjo Valle e Rrajcës…,
Kaq mitike,impozante,
shkëmbit ia thithi palcën,
Kodrës një lulethane.
Tundet,lëkundet,shkundet,
Në tokajër,moteve sa lindi
E krijoi popull i muzgjeve,
Një zë i dha …Sadi Halili…
11.- E DJESHMJA
E djeshmja s`ka fjalë,
E djeshmja ka mall.
Kambanë e etur
Në gjoksin tonë.
Veç kur i vemë gjuhën e së sotmes
Kumbon…
12.-SHIU SARHOSH
shiu sarhosh diç donte të më thosh
kur era i hurbi fuqinë,
kur iku nën vetëtimë laroshe
trembur nga një bubullimë.
Dhe bubullima u shua,era,
Me shpatë fishkëllime të egër,
Preu pemët degëgjera
krehur nëpër mjekër.
Lotë pemësh të përmbysura
Kurorështrira përdhe
Pas stuhisë lart ngritën
Dhimbjen nëpër re…