Shefi i komisionit të Bashkimit Evropian Jean-Claude Juncker, paralajmëroi të premten (5 tetor), për një luftë të re të mundshme në Ballkan, nëse Bosnja, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova nuk e ndjejnë se Bashkimi Evropian është serioze për t’u ofruar atyre anëtarësim në të ardhmen. “Nëse në peizazhin shumë të komplikuar të Evropës krijohet përshtypja se nuk jemi serioz në ofrimin e mundësisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në Ballkanin Perëndimor, atëherë mund të shohim më vonë – dhe ndoshta edhe më shpejt – atë që pamë në Ballkan në vitet 1990”, tha Juncker, në një fjalim në parlamentin austriak.
Gjashtë shtetet e Ballkanit – të cilat gjatë viteve 1990 formuan fushën e betejës në konfliktin më vdekjeprurës të Evropës, që nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, janë aktualisht në faza të ndryshme të bisedimeve të pranimit me Bashkimin Evropian. Ndërsa negociatat e anëtarësimit kanë filluar zyrtarisht me Serbinë dhe Malin e Zi, Shqipëria dhe Maqedonia janë ende në dhomën e pritjes për bisedime dhe klasifikohen si “vende kandidate”.
Bosnja dhe Kosova janë renditur si “kandidatë të mundshëm”. Juncker tha, dhjetorin e kaluar se, zgjerimi në Ballkan ishte jetik për ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe priste që Serbia dhe Mali i Zi të bashkohen me bllokun deri në vitin 2025. Megjithatë, rruga drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian për ato shtete ishte “ende shumë e gjatë”, tha Juncker. Ndërkohë që disa nga vendet kishin përparuar, “se progresi ende nuk ka shkuar aq larg”. Ai sugjeroi që BE-ja mund t’u ofrojë vendeve një lloj “zone ekonomike ku ata mund të sillen pjesërisht ashtu siç do të bëhen përfundimisht si shtete të plota anëtare.
Dhe Juncker përsëriti se ai nuk e shihte asnjë prej tyre të fitonte anëtarësimin e plotë para 2025, dhe madje edhe atëherë nuk do të jetë e shpejtë. “Bashkimi Evropian duhet të synojë intensivisht Ballkanin perëndimor dhe të ndihmojë aty ku është e nevojshme,- tha shefi i Komisionit të Bashkimit Evropian.- Duhet të sigurohet që të kuptohet, se të gjitha konfliktet kufitare midis shteteve të Ballkanit perëndimor duhet të zgjidhen përpara se anëtarësimi të arrihet”. Ndër çështjet më të ngutshme është statusi i Kosovës, i cili deklaroi në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi ende refuzon të njohë. Juncker ishte në Vjenë për të marrë pjesë në festimet njëqindvjeçare të cilat shënonin themelet e Republikës së Austrisë. Ish kryeministri i Luksemburgut filloi mandatin e tij si kreu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, duke njoftuar se nuk do të kishte zgjerim të ardhshëm të Unionit nën udhëheqjen e tij.
Por situatat e fundit ndërkombëtare, si pasojë e kërcënimit rus, mosarritja me sukses i referendumit në Maqedoni, dialogu i stërzgjatur Kosovë-Serbi, si dhe rritja e elektoratit të partive populiste në disa vende të Bashkimit Evropian, kanë krijuar një kohezion të përbashkët midis vendeve të Bashkimit Evropian, në lidhje me afrimin e Ballkanit Perëndimor. Shqetësimin e tij, Juncker, e shprehu edhe gjatë një interviste për median e Luxemburgut, “Luxemburg Time”, në të cilën thekson, frikën e rritjes së fuqive të treta në hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Në përgjithësi, perspektiva e Bashkimit Evropian, sipas komenteve të Jean Cloude Juncker, nuk janë shumë premtuese për të ardhmen. Problemet ekonomike me Italinë dhe Greqinë, janë çështje shumë të nxehta për Bashkimin Evropian. Në muajt e fundit të mandatit, në krye të Komisionit Evropian, Juncker shpreson që të arrijë një unitet më të fortë të Bashkimit Evropian.