Sherif Kuka, personalitet i shquar i shkencës së ekonomisë !
Kaluan 35 vite nga dhjetori 1982, kur në një aksident komunikacioni humbi jetën tragjikisht profesori shumëvjeçarë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndër doktorët e parë të ekonomisë në Kosovë. Shtypi i kohës, vdekjen e shkencëtarit dhe profesorit të shquar Sherif Kuka e kishte cilësuar humbje të madhe për shkencën dhe boten intelektuale në rrafshin kombëtar.
Sherif Kuka u Lindi me 1937 ne Krushevë të Plavës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Prishtinë. Më 1962 u regjistrua në Fakultetin e Ekonomisë në Prishtinë, të cilin e kreu me sukses të dalluar në vitin 1966. Studimet pasuniversitare dhe të doktoratës i përfundon me sukses të lartë në Fakultetin Ekonomik të Zagrebit. Tezën e magjistraturës e mbron në vitin 1971 me titull “Modeli gjeneral i transportit dhe distribuimit” dhe tezën e doktoratës në vitin 1975 me titull “Aplikimi i metodave të kërkimit operacional në ndërmarrjet e komunikacionit”.
Krijimtaria e Profesorit Sherif Kuka shtrihet në shumë fusha të interesimit shkencor, veçanërisht më i fokusuar në analiza kuantitative dhe politika publike të zhvillimit ekonomik. Falë punës dhe suksesit të lartë të arritur në studime, Sherif Kuka fillimisht zgjedhet asistent dhe nga viti 1975 në thirrjen e Profesorit Ordinar, në lëndën “Kërkimet Operacionale”.
Karriera e tij shkencore vlerësohet e bujshme. Shkrimet e tij i përshkon vlerësim i lartë shkencorë. Profesori la të botuara 31 punime shkencore në revista prestigjioze të kohës dhe tekstin e parë universitar në gjithë hapësirën shqiptare, dedikuar studentëve të ekonomisë, me titull “Kërkime Operacionale”. Emri i Sherif Kukës do të qëndrojë një kohë të gjatë në krye të listës së emrave të shquar të shkencës së ekonomisë, vlerësohej dhe respektohej në pafundësi nga studentet për kontributin e tij të madh në ngritjen e kuadrit të ekonomisë dhe të gjeneratave të shumta të profesorëve të ardhshëm në Universitetin e Prishtinës dhe më gjerë.
Me emrin e Profesorit Sherfi Kuka lidhet ngushtë një ngjarje e madhe shkencore e kohës në Kosovë, themelimi i Institutit Ekonomik në Prishtinë në vitin 1977, si bërthamë shkencore e parë në fushën e ekonomisë në nivel të Kosovës. Profesori Sherif Kuka ishte drejtori i parë të cilin e udhëheq me sukses deri në vitin 1982, kur tragjikisht humb jetën. Për këto vite, nën mbikëqyrjen e tij Instituti Ekonomik dha një kontribut të veçantë në hartimin studimeve, strategjive dhe koncepteve shkencore për zhvillimin ekonomik dhe shoqërorë në Kosovë. Profesori Sherif Kuka ishte njëri ndër themeluesit e revistës së parë shkencore në fushën e ekonomisë “ECONOMIA”. Në këtë revistë për shumë vite punimet e tyre shkencore i botojnë krijuesit më eminent të fushës së ekonomisë nga Kosova dhe jashtë vendit.
Falë punës dhe kreativitetit të tijë shkencorë, Profesori Sherif Kuka arrin të anëtarësoj Institutin Ekonomik të Prishtinës si njësi të barabartë shkencore të Konzorciumit të Instituteve të Ekonomisë të republikave në ish-Jugosllavi. Duke qenë pjesëmarrës në shumë konferenca, tribuna dhe debate shkencore në Kosovë dhe jashtë sajë, Profesori arrin të argumentoj dhe artikuloj qartë interesat strategjik dhe afatgjatë të zhvillimit ekonomik në Kosovë. Konceptet dhe vizioni i tij janë një udhërrëfyes për të tashmen dhe të ardhmen e ekonomisë kombëtare, në rrugëtimit e gjatë e të vështirë drejtë integrimit në ekonomitë e mëdha evropiane.
Për fund, emri Sherif Kuka sublimon në vete një figurë eminente të shkencës së ekonomisë dhe intelektualit të përmasave kombëtare.
Esad Gjonbalaj
/Plava e Gucia Sot/