Seanca e sotme u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Njësi të shumta të policisë dhe forcave speciale ishin të pranishme në zonën përreth Gjykatës. Në sallë ndërkohë, u panë dhe përfaqësuesë të ambasadës gjermane dhe asaj amerikane.
Dy javë më parë, çështja “Shullazi” krijoi tensione të forta në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për shkak të zëvendësimit të prokurorit që e kishte ndjekur atë, i larguar me një leje afatgjatë për arsye shëndetësore. Një grup i madh prokurorësh refuzuan zëvendësimin e kolegut të tyre me short, gjë që pasoi në nisjen e një hetimi disiplinor ndaj tyre me urdhër të kryeprokurores Arta Marku, ndërsa tre prokurorë u transferuan jashtë Tiranës. Në një koment të sajin për Zërin e Amerikës, ambasada e Shteteve të Bashkuara u shpreh se mbështet “prokurorët e guximshëm që kërkojnë drejtësi, edhe kur ka rreziqe”.