Koalicioni qeverisës në Gjermani është pajtuar për një ligj të ri të imigrimit, ashtu që të pranojë më shumë punëtorë që plotësojnë kushtet për punë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, duke shpresuar në përmbushjen e vendeve të punës dhe stabilizimin e sistemit pensional, transmeton Reuters.
Meqë fuqia punëtore e Gjermanisë pritet të zvogëlohet në dekadat e ardhshme, për shkak të vjetërsimit të popullatës dhe uljes së numrit të lindjeve, migrantët janë duke u konsideriar shumë të rëndësishëm për t’iu ndihmuar kompanive në këtë shtet.
Mirëpo ligji i ri për migrantët, për të cilin janë pajtuar partia e kancelares gjermane, Angela Merkel, ministri i Brendshëm, Horst Seehofer dhe ministri social-demokrat i Punës, Hubertus Heil, rrezikon të rrisë tensionet e votuesve, në mesin e të cilëve edhe tani ka persona që ndjehen të neglizhuar për shkak të pranimit të më shumë se 1 milion refugjatëve më 2015.
Fluksi i pashembullt i azilkërkuesve, kryesisht nga shtetet myslimane të Lindjes së Mesme, ka shkaktuar pakënaqësi në Gjermani dhe ka rritur përkrahjen për partinë e të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë.
Seehofer ka thënë se marrëveshja e arritur në bazë kompromisi do të largojë pengesat për punësim sa i përket qytetarëve që nuk i takojnë vendeve të BE-së, dhe të cilët janë të kualifikuar por edhe kanë njohuri të gjuhës gjermane.
“Ne vazhdojmë të përkrahim parimin e ndarjes së azilit dhe migrimin për punës”, ka thënë Seehofer në një konferencë para gazetarëve.