Genocidi komunist në Malësinë e Gjakovës

Bashkia Tropojë kujton qëndresën antikomuniste në krahinën e Nikaj-Merturit

Kryebashkiaku Dushaj: Kujtesa e përvitshme në secilën njësi administrative
Deputeti Çelaj: U goditen familjet e mëdha
Gjin Gjoli: Nderim përpara veprës së martirëve për liri

Nga: Agron Prebibaj

Zoti kur krijoi këto male përmbi Drin, me këto kreshta poshtë tyre lugina amfiteatrore e pati përcaktuar sa do të vendoseshin njerëz të fortë me tradita, zakone e doke, të dalluar për bujarinë, qëndresën e tyre shumë shekullore e cila do të vendosej në majën e lartë të ajsbergut shqiptar për të ndritur në altarin e kombit.
Qëndresa jetëgjatë e Nikaj-Merturit ndaj pushtuesve turq, serbo malazez etj do të kishte një ndalesë të fortë nga vërshimi sllavo komunist i cili në emër të popullit do të ushtronte terror e barbari ndaj krahinës së hekurt të Nikaj-Merturit.
Në këtë vazhdë, sunduesit, tashmë shqiptarë, do të gllabëronin edhe qëndresën historike me çdo kusht, për të vendosur shtypjen dhe autoritetin e tyre çnjerëzor i veshur me pushtet përballë njeriut të pa pushtetshëm.
Tashmë, vendoset gjakatari përballë njeriut të mirë e qëndrestarë. Terrorizmi është shndërruar në egërsinë e tij më të madhe për marrjen e jetëve njerëzore, ai tashmë është ulur këmbëkryq në shqiptari përballë njeriut që beson në Zot dhe vlera njerëzore .
Lufta do të egërsohej ndaj mendimtarëve, kolosëve të kombit, klerikëve e veçmas atyre katolikë. Duhet theksuar e veçuar se lufta kriminale e regjimit komunist orientimin kryesor e pati tek krahinat katolike, sepse ato në konstruktin e tyre të besës e qëndresës në shekuj do të ishin kundërshtarët më të vendosur të sistemit komunist të instaluar me dhunë.
Rezistenca e përditshme antikomuniste në Shqipëri do të kulmonte me betejen e Qafës së Kolçit në të cilën NikajMertursit i bënë rezistencën e fundit bishës së egër komuniste.
Të irrituar nga kjo, komunistët do të krijonin një genocid të paparë dhe të pa imagjinueshëm, i pakrahasueshëm edhe me ngjarje të tjera të tilla në Europën Lindore. Kjo do të kishte një kosto të madhe e cila do të vinte me 29 Shtatorin e vitit 1946 ditën e Shën Mëhillit për të thyer perandorinë e qëndresës NikajMerturse e për të vendosur autoritetin e vet absulot.
Aty u thirrën 2000 burra nga moshat 15-80 vjeç për një mbledhje në qëndër të lokalitetit Lekbibaj, por të ardhurit do të priteshin në besë e do të rrethoheshin nga ushtria gjaksore e makinerisë shtetërore ku në sytë e tyre vriten dy kolosë: Ukë Çuni dhe Fetë Sadiku.
Qëllimi ishte i qartë: Vrasja e këtyre dy martirëve duhet të shërbente si shembull për të mbyllur gojën krahinës së Malësisë së Gjakovës dhe e Dukagjinit, përndryshe edhe ata do ti priste një fat i tillë.
Ata u pushkatuan para popullit për të mbetur me kryelartësinë e tyre në kujtesën e çdo bashkëkrahinasi të vet. Për këtë ngjarje historike të babëzitur bashkia e Tropojës me votimin unanim kishte vendosur 29 Shtatorin ditën e kujtesës për qëndresën antikomuniste në Malësinë e Gjakovës, një nderim e respekt për martirët e lirisë nën diktaturën komuniste, një fillesë kjo vetëm për Bashkinë e Tropojës e para në rrang kombëtar, çka do të thotë ende larg Shqipëria ndaj dënimit më të madh të ushtruar në vendet komuniste.
U nisëm nga Tirana së bashku me miqtë e mi, intelektualin Pashko Gecaj, kryetarin e Unionit Curraj Eper Gjergj Prebibaj dhe Ndue Marku me qëllim për të arritur në Lekbibaj në 29 Shtatorin e përgjakur nga banditizmi komunist, për ta dëgjuar së afërmi ndjenjen dhe fjalën e secilit për këtë ngjarje.
Gjatë rrugës ne së bashku biseduam e debatuam për këtë moment tmerri të ndodhur në krahinën tonë, duke e ndjerë dhimbjen e kohës dhe shpresën e sotshme të njerëzve si dhe duke vlerësuar qëndresën e njerëzve tanë në këtë etapë të hidhur komuniste.
Ndërsa në kafe me miq për këtë ngjarje prosori Kolë Buja e kujton këtë ngjarje si rrënqethëse dhe e dënuar për secilin regjim që ushtron dhune ndaj popullit të vet.
Në Lekbibaj u organizua kjo kujtesë nën kujdesin e kryebashkiakut zotit Besnik Dushaj, gjithçka e përcjellur në mënyrë festive e njerëzore, kjo tek më kujton këngën e Milosh Kopiliçit në betejen e Fushë Kosovës në 1369-ën ku thuhet: “Kjo Kosova, deken ma ban dasem”, kështu ndodhi tamam edhe në Lekbibaj në përvjetorin e 72-të të masakrës njerëzore për tu kujtuar me festë, këngë e valle të Tropojës si dhe me fjalë e me kumtesa burrërore për ngjarjen e ndodhur .
I pari që do të merrte fjalën ishte i zoti i shtëpisë Besnik Dushaj i cili thekson operacionin tragjik ndaj martirëve, kjo e nisur në Lekbibaj me Ukë Çunin, Fetë Sadikun për tu pasuar pastaj në krahinën e Malësisë së Gjakovës duke vrarë, burgosur e internuar burrat kreshnikë e qëndrestarë të kohës si dhe klerikët e nderuar të malësisë tonë, duke theksuar se kujtesa do të jetë e përvitshme në secilën njësi administrative të Tropojës.
Më pas vijon zoti Dushaj se në Tropojë e në Shqipëri u vendos diktatura komuniste, binom i asaj fashiste dhe për 50 vjet brezat i vuajtën tragjikisht pasojat e regjimit komunist në të gjitha fushat e jetës, duke vlerësuar se në piesdestalin e Malësisë së Gjakovës do të qëndrojnë në jetë të jetës martirët e Hereçit, djemtë e Qereshit, Hoxhajt e Luzhës e të Pacit, pasardhësit e Binak Alisë, Halucët e Bujanit, Hoxhajt e Gashit, Gjocajt e Kolgecajve, Cubel Dinët e Bradoshnicës, Jahelezet e Drogobisë, fretnit legjendarë të Nikaj-Merturit e shumë familje të tjera që qëndruan e nuk u mposhtën nga ky regjim nga regjimi çnjerëzor.
Ndërsa deputeti i Tropojës Isuf Çelaj thekson: U goditen familjet e mëdha e më emër në të gjithë Shqipërinë, u pushkatuan, u internuan, u përsekutuan familjet dhe burrat më trima dhe më të shkolluar që kishte Shqipëria, u godit ajka e krenarisë dhe fisnikërisë shqiptare, ndaj dhe nuk kishte sesi të shpëtonte krahina trime e fisnike e Nikaj –Merturit.
Ndërsa pinjolli i shtëpisë së Fetë Sadikut, n/kryetari i shoqatës Nikaj-Mertur zoti Gjin Gjoli shpreh mirënjohjen për evenimentin e kujtesës i ndërmarrë nga Bashkia e Tropojës duke u përulur përpara veprës së tyre për liri, si dhe vlerësim për të gjithë dashamirësit e mbështetësit për brezin e tij. Zoti Gjoli thekson se përkujtimi dëshmon për ne se martirët nuk janë të vetëm pasi roli i tyre do të dalë në dritën e diellit dhe do të pasohet për brezat.
Aty folën dhe plot të tjerë, Nebil Çipa kryetar i shoqatës antikomuniste të Shqipërisë, Gjovalin Gjeloshi administrator i komunës, Rrustem Gjoçaj kryetari i të përndjekurve politik Tropojë si dhe drejtori i autoritetit të hapjes së dosjeve. Më pas kryetari i shoqatës Nikaj Metur zoti Mhill Gecaj ka shpërndarë disa çertifikata mirënjohje në nderim të disa të pushkatuarve e burgosurve politik të Nikaj Merturit si martirë të lirisë.
Një nderim dhe respekt mjaft i madh nga organizatorët dhe pjesëmarrësit për këtë ngjarje.