Mbi 800 të vdekur nga tërmeti dhe cunami në Indonezi

RFE /RL

Palu, Indonezi

Së paku 832 njerëz vdiqën nga tërmeti dhe cunami shkatërrues që goditën ishullin Sulavesi të Indonezosë të premten, bëri të ditur Agjencia Kombëtare e Katastrofave.

Sipas saj, zona e prekur është shumë më e madhe sesa që u mendua fillimisht.

Shumë njerëz u gjetën nën rrënojat e ndërtesave që kolapsuan pas tërmetit prej 7.5 shkallësh të Richterit, tha zëdhënësi i Agjencisë, Sutopo Purwo Nugroho.

Tërmeti shkaktoi valë të cunamit deri në 6 metra, tha ai.

Qyteti i goditur më së keqi është Palu.

“Na duhet makineri e rëndë për të pastruar rrënojat. Stafi im është në terren, por është e pamundur që të mbështetemi vetëm në forcën e tij”, tha Muhammad Syaugi, udhëheqës i Agjencisë së Kërkim-Shpëtimit.

Shqetësime ka edhe për qytetin Dongala, ku pasojat nuk janë ende të qarta.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar vlerësoi se mbi 1.6 milion njerëz janë prekur nga tërmeti dhe cunami dhe tha se tragjedia “mund të përkeqësohet”.

Nënkryetari i Indonezisë, Jusuf Kalla, tha se numri i viktimave mund të jetë në mijëra.

Palu

Dridhjet e tokës në ishull vazhduan që nga tërmeti i së premtes.

Presidenti Joko Widodo ndodhet në Palu për të parë nga afër zonat e prekura nga fatkeqësia, përfshirë plazhin Talise, që është zona kryesore turistike, e cila është goditur keq nga cunami.

Në Palu, qytet me 335,000 banorë, shumë vetë mbeten të zhdukur dhe besohet se janë të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të rrëzuara.

Trupa të pajetë u panë të shtrirë në rrugët e qytetit, ndërsa të plagosurit trajtohen në tenda, për shkak të dëmtimit të spitaleve.

Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 10 kilometrash, shumë pranë ishullit të Sulavesit, duke shkaktuar cunami, thanë vëzhguesit amerikanë.

Shumë njerëz ishin në plazh në Palu, duke u përgatitur për një festival, kur u përfshinë nga valët.

Muajin e kaluar, një sërë tërmetesh goditën ishullin indonezian të Lombokut, duke vrarë qindra njerëz – më i madhi, më 5 gusht, vrau mbi 460 vetë.

Cunami i vitit 2004, i shkaktuar nga një tërmet pranë ishullit indonezian të Sumatrës, vrau 226,000 njerëz në gjithë Oqeanin Indian, përfshirë mbi 120,000 në Indonezi./REL