Recension për librin “Lapsi më tha” të autorit Ismet Tahiraj

Në foto Riza Haziri, recensionisti

 

ZË I RIKUJTIMIT TË SË KALUARËS DHE I OPTIMIZMIT PËR TË SOTMEN E TË ARDHMEN

Tashmë dihet se poeti Ismet Tahiraj (1956) nuk është i kufizuar vetëm në kultivimin e poezisë për  të  rritur  dhe  formës  së  ashtuquajtur  poezi erotike, por e shkruan edhe poezinë për fëmijë, pra për  gjeneratën më  të  bukur,  që  pa  tjetër  është vazhdimësi e jetës të të gijtha kohërave. Një prej veprave poetike për fëmijë është edhe kjo e fundit “Lapsi më tha…” e cila përmbledhë 80 vjersha me motivet nga më të ndryshme që nga ai patriotik deri tek ato që kanë një dozë humori, por gjithsesi me një porosi të caktuar.

Vet titulli “Lapsi më tha…” cyt kureshtjen e lexuesit që ta lexojë nga se autori me një simbolik të kapshme për mendjen e fëmijëve, shpirtëzon një objekt (lapsin, emër konkret), që pothuajse është ndër objektet të para e kryesore, me të cilin shërbehen   fëmijët,  tani nga çerdhet e gjithë  jetën, e nëpërmjet majës së të cilit njeriu përgjithësisht shpreh  botën shpirtërore, arsimore, shkencore dhe intelektuale.  Me  fjalë  të  tjera,  lapsi  në  poezinë  e autorit është udhërrëfyes se çka mund të shkruhet e  pse nuk mund të shkruhet.

 

E mora lapsin

Ta vizatoj një mollë

Mos tha lapsi

Se krimbin e ka n’lëvozhg’.

…….

E mora lapsin të vizatoj  një diell

Mirë me tha lapsi, mirë,

Po dikush dhe këtij mundohet

Fytyrën  t’ia  përshk’llijë….

 

(LAPSI MË THA…)

Edhe kur jepet leja për të shkruar, si rezultat i kohës në të cilën jetojmë lindin dilemat se serish diç nuk është në rregull, pra nuk do t’u pëlqej të gjithëve.

Siç u tha më lartë motivi patriotik dominon në këtë përmbledhje, edhe pse kushtimisht kishte orientime që fëmijët të lirohen nga temat e rënda, pra t’u ofrohen tema që sjellin më shumë dritë dhe humor, por, si duket çështja e pazgjidhur shqiptare ia imponon autorit që të rikujtojë të kaluarën historike  dhe plagët që ka sjell kjo kohë. Pra, autori u rikujton fëmijëve Mollën e kuqe, tani më metaforë historike që rikujton përndjekje, vuajtje dhe akoma plagë të pashëruara, pastaj Kullën e Sheremetit, ku sipas së ëmës së tij kur kalon andej duhet mbyllur sytë  sepse  është  stërpikë me  gjak  dhe  rikujton vetëm llahtari.

Autori,  Ismet Tahiraj, nuk mund  ta kalojë edhe plagën më  të  re  të historisë  sonë,  luftën e UÇK-së me komandantin legjendar Adem Jashar dhe  plagën e kurbetit, gjithnjë me porosinë që mos të harrohet e kaluara dhe vendi ku kemi lindur. Në këtë drejtim, përkundër katrahurave që po na përcjellin  në kohën e sotme, me ditë të zeza, autori shpreh optimizmin se do të vijnë edhe ditë të bardha.

Edhe tradita jonë është preokupim i rëndësishëm i autorit. Oda shqiptare, të cilën e ka përjetuar vet autori e frymëzojnë që, nëpërmjet vargjeve të tij, të përcillen tek fëmijët traditat shqiptare, pra të mësojnë se si duhet pritur e si duhet bërë konak mysafirit.

Në përgjithësi, poezitë e autorit, Ismet Tahiraj, në këtë përmbledhje janë të shkruara me vargje të lira, por nuk mungon edhe rima, e cila të krijon përshtypjen se vjen spontanisht pa përkushtimin e autorit. Pra, poezitë e kësaj përmbledhje janë të shkruara më tepër në frymën moderne se sa në atë tradicionale. Jam i bindur se, edhe ata që nuk kanë lexuar poezitë për të rritur të këtij autori, sapo ta lexojnë këtë vepër do të kuptojmë se autori e kultivon edhe poezinë për të rritur nga se hetohet ajo frymë, për faktin se autori i përdorë disa fjalë, të cilat më tepër janë nga thesari popullor dhe aty këtu ndonjë krahinarizëm që, sigurisht fëmijët për ta kuptuar u duhen sqarime.

Disa nga poezitë e kësaj përmbledhje kanë për personazhe edhe kafshët, nëpërmjet të cilave (fabulave) autori arrin të shpreh atë që dëshiron, pra veset apo porositë e njeriut për njeriun.

Nga ajo që u tha më lartë, dhe mund të thuhen edhe shumë gjera të tjera, konsiderojmë se autori, Ismet Tahiraj, lexuesve të vegjël ua ofron edhe një vepër që meriton të lexohet dhe ta kenë në bibliotekat e tyre.

Riza HAZIRI

(Kopertina e librit)