Turizmi është një sektor me tradita. Dhe nuk është një rastësi që në krye të klasifikimeve të vendeve më të vizituara në botë ndeshim gjithnjë Francën, Spanjën, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Franca merr kurorën mbretërore me 86,9 milionë turistë ndërkombëtarë në vit. Sidoqoftë, nën hijen e këtyre kombeve, po rriten destinacione të reja, me ritme të dukshme rritjeje.
Një shembull? Moldavia, ku numri i turistëve është rritur me 19,6% krahasuar me vitin e kaluar, sipas Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara.
“Kur flitet për këto destinacione me rritje të shpejtë në Europë, shpesh nuk dihet emri i këtyre vendeve, krahasuar me ato më të vizituara” – shprehet Warren Chang, chief operating oficer për Bloomberg. Por shumë prej këtyre vendeve kanë histori unike, përveç kulturës së pasur dhe bukurisë së natyrës”.
Më poshtë janë dhjetë vendet e parë me rritjen më të lartë të numrit të turistëve të regjistruar në vitin e fundit sipas UNWTO (Organizatës Botërore të Turizmit).
10. Armeni +18,65%
Në kryeqytetin Yerevan në Armeni, turistët do të zhyten në traditat lokale, të vizitojnë fabrikat e likereve (ku bëhet distilimi i alkoolit dhe likereve), të takojnë prodhues tapetesh, të dëgjojnë muzikë shpirtërore në manastiret e vjetër dhe të mësojnë të përgatisin ‘lavash’ me një familje armene.
9. Bosnjë – Hercegovinë – 18,66%.
“Për një kohë të gjatë, Kroacia dhe Mali i Zi kanë qenë destinacione popullore për ne, por këtë vit kemi parë rritje të kërkesës për vende si Sllovenia dhe Bosnjën” – thotë Tom Marchant, bashkëthemelues i Black Tomato, kompani që merret me udhëtime luksoze. Ndërkohë që Kroacia po përballet me një numër të madh turistësh (numër rekord prej 15 mln turistësh vitin e kaluar), vendet e Ballkanit po zhvillohen si një alternativë interesante, pa turma turistësh. Bosnjë-Hercegovina është në krye, me xhamitë e shekullit XVI, arkitekturën otomane dhe rrugët e gjalla. Shumë turistë i kushtojnë një shëtitje njëditore apo një fundjavë Mostarit, por ju mund të bëni edhe disa ditë në këtë vend të pasur me histori, duke përfshirë edhe Sarajevën, ujëvarën e mrekullueshme të Kravicës, fshatin malor Lukomir etj.
8. Republika e Moldavisë – 19,6%
Rritja e fortë e turizmit në Moldavi, reflekton atë që në realitet është një fenomen i vërtetë. Kjo republikë e vogël (me 2,5 milionë banorë) në vitet e fundit ka qenë ka fituar titullin si destinacioni më pak i vizituar në Europë. Sipas Intrepid Travel flitet për një rilindje kulturore.
“Moldavia ka disa nga vreshtat më të mira në të gjithë kontinentin, në krye të të cilave është një vresht me 125 milje tunelesh nëntokësore, koleksioni më i madh i verërave cilësore në botë” – thotë Darshika Jones, nga Intrepid Travel.
7. Azerbajxhan – 20%
Kryeqyteti i Detit Kaspik, Baku, është një ndërthurje interesante e së vjetrës me të renë. Rrugët me kalldrëm të qytetit të vjetër dhe ndërtesat janë ruajtur mirë ndërsa Flame Towers (kompleks rezidencial me tre grataçiela me lartësi të ndryshme) në qendër të qytetit janë një mrekulli e arkitekturës moderne. Nuk është rastësi që qyteti i ngjan “Dubait të ri” – është një qendër e pasur me naftë që po rritet me shpejtësi në kryqëzimin mes Europës, Azisë dhe Lindjes së Mesme.
6. Maqedoni – 23,5%
Në krye të vendeve më të vizituara në Ballkan është Maqedonia, vendlindja e Aleksandrit të Madh. Ashtu si Moldavia, numri i turistëve është jashtëzakonisht i vogël; në 2017, numri i tyre ishte 631.000. Jemi përpara një ndër destinacioneve më pak të njohura në Europë. Pak agjenci e përfshijnë Maqedoninë ndër destinacionet e tyre, Cox & Kings përbën përjashtim. Një itinerar që përfshin Maqedoninë me vende aty pranë, si Kroacia dhe Mali i Zi (në ndër vendet që vizitohet është Kisha e Shën Naumit).
5. Islandë – 24,11%
Nuk keni shkuar ende në Islandë? Çfarë prisni? Që nga viti 2010, numri i turistëve është rritur me 450%. Një rritje e pabesueshme që nuk shfaq shenja ngadalësimi, ndërkohë që vendi po zgjeron infrastrukturën e tij me hotele luksoze (disa me suita VIP sekrete) dhe përvoja ekskluzive.
4. Turqi – 24,14%
Sipas Intrepid Travel, “Turqia është destinacioni me rritjen më të shpejtë deri tani që flasim” – tha Darshika Jones për Bloomberg. Kompania do të shtojë tre itinerare të reja për 2019-n për të qenë në një hap me kërkesën e turistëve – një udhëtim në liqenet e ngrirë dhe malet e mbuluara me borë; një udhëtim kulinar dhe një tur njëjavor “highlight” për turistët që kanë humbur kohë. Edhe agjencia e udhëtimeve Black Tomato konfirmon të njëjtën gjë: “Kërkesa dhe prenotimet për Turqinë në vitin e fundit është më shumë se dyfishuar”.
3. Izrael – 24,6%
Është befasuese të shohësh që Organizata Kombëtare e Turizmit e përfshin Izraelin si pjesë e Europës, por kushdo që e ka vizituar Tel Avivin apo Jerusalemin e kupton se ai konkurron denjësisht me rivalët kontinentalë. Traditat e ndryshme kulinare të vendit janë bërë një tërheqje e madhe për udhëtarët e Intrepid, por kompanitë po nxjerrin në pah hirin e përjetshëm të Izraelit, rëndësinë e saj fetare dhe historike.
2. Gjeorgji – 27,9%
Bëni kujdes nga Gjeorgjia. Do t’ju pëlqejë dhe do t’ju befasojë. “Sigurisht është një vend ku nuk e prisni të shihni një rritje të tillë këtë vit, por duke e analizuar më mirë, e gjithë kjo bën kuptim. Ndërkohë që aventurat kulinare po bëhen një katalizator për gjithnjë e më shumë udhëtime, kuzhina historike e Gjeorgjisë është justifikimi i përsosur për të vizituar këtë vend të paprekur të Europës”. Kësaj shtojini dhe një sërë hotelesh, baresh e restorantesh trendi në kryeqytetin Tbilisi.
1.San Marino – 31,1%
Në 2017-n, San Marino regjistroi më shumë se dy vizitorë për secilin prej 33 mijë banorëve të tij, për një numër total turistësh 78.000 persona. Kjo nuk është shumë, por për një mikro-shtet 38 km katrorë është shumë. Pavarësisht të dhënave të UNWTO, asnjë kompani nuk e përfshin San Marinon si një destinacion në lulëzim/ Burimi: Il Sole 24 Ore