Maturantët 70 vjeçarë…

(Ose, Zeqiri punon si bleta…) 

 

Nga  Lekë Ndue Rica, Sanxhak, Kurbin

Vëllezër e motra, ish shokë e shoqe të klasës së IV A, të vitit 1967 në shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” Shkodër.

Atë ditë që morëm maturën dhe u shpërndamë nëpër atdhe, atje ku kishte nevojë, asnjëri nga ne nuk e ka menduar se mbas kaq dekadash, pra, edhe sot pensionistë, do takohemi e gëzojmë e kujtojmë ato vite sëbashku. Mbas shpërndarjes nëpër atdhe, mbas 4 dekadash u mblodhëm së pari në Fushë Krujë në lokalin “Brazil”. Gëzim por edhe befasi e madhe për të gjithë… Vendosëm që këto lidhje ti mbajmë edhe më të shpeshta  se edhe mosha e bën të veten. Caktuam datën 20 shtator për tu takuar diku sëbashku për të thirrur emrat si dikur, në regjistrin shkollorë, për të risjelluar kujtimet tona, për të ngrënë një drekë së bashku e për të bërë disa foto.

Sot na ka mbledhur në shtëpinë e tij shoku ynë nga më të mirët Zeqir Lushaj, këtu në pyllin me pisha te Rana e Hedhur në Shëngjin, në këtë ambjent të mrekullueshëm që familja LUSHAJ e ka ngritur me shumë punë e djersë për shumë vite.

Pozicioni gjeografik, planvendosja në këtë kodër ku ka në shikim jo veç detin Adriatik por krejt Lezhën e deri në malet e Krujës, malin e Shëngjinit e Velipojën deri në vargmalet e Krajës, jo vetëm t’i mbushë zemrën e mushkritë me oksigjen, por e bën këtë pikë turistike të lakmueshme, do të thoja pa frikë, edhe për njeriun më të pasur të botës. I pari nga klasa jonë Zeqiri punoi në Tiranë, në gazetën “Zëri i Rinisë” që në vitet ’70. Per 22 vjet në shtyp e organizatat qendrore të masave, ai krijoi personalitetin e tij të admirueshëm si publicist, aktivist shoqëror e politik, si autor librash të të gjitha gjinive.

Jo vetëm gjatë këtyre viteve të punës në  Shqipëri por edhe rreth dy dekada në Amerikë ku punoi e jetoi në NJ të SHBA, Zeqiri mbajti lidhje të pandërprera jo vetëm me Tropojën e tij por edhe me shokët e shoqet e shumtë në të katër anët e atdheut.

Zeqiri bashkë me shoqen e jetës Sabrien, sot janë shtetas amerikan, pensionistë shqiptarë e amerikan njerëz të respektuar nga të gjithë. E lanë Amerikën e erdhën në Shqipëri, e lan Tiranën ku kanë jetuar rreth 3 dekada ku kanë edhe një shtëpi të bukur dhe erdhën këtu në Shëngjinin bregdetar në lagjen e At Zef Pllumit, në perlen shqiptare me emrin Rana e Hedhur.

Të  bëhet zemra mal kur sheh jo vetëm shtëpinë por bahçen e bukur ku me dorën e tyre Zeqiri e Sabrieja si dhe djali i tyre Lulzimi (i cili jeton tash 26 vjet në Lozanë të Zvicrës), kanë mbjellur të gjitha pemët e një ferme simpatike, me rrush, ullinj, mollë, dardhë, pjeshka, hurma, të gjithë llojet e agrumeve, etj etj.

Ja pra mes gurëve, mes shkurreve e pyllit të thatë, mes ferrave e shegave të egra çfarë bën syri e dora e njeriut punëtor. Se Zeqiri punon si bleta e jo si gjinkalla.

Ish klasa jonë e IV A, e vitit 1967 e shkollës Pedagogjike “Shejnaze Juka” Shkodër mburret me Zeqirin si dhe me tre shokët e tjerë të klasës, autor librash, Kolec Traboini, Frrok Vukaj e Bajram Gashi. Ndaj Zeqiri kishte të drejtë  kur në përshendetjen e tij  veçoi sidomos ish pedagogët e letërsisë të atyre viteve në Shkodër që na kanë dhënë mësim si Tomorr Osmani, Fadil Podgorica, Selami Tabaku e Vebi Troshani.

-Shikoni Zeqirin e Frrokun, edhe tani janë ulur pranë njëri-tjetrit, ashtu siç ishin shokë të pandarë banke për 4 vjet në pedagogjike, aty në rrjeshtin e mesit, në fund të klasës…!

Dhuratë e paharruar e këesaj dite do të jenë edhe pakot me librat e Zeqirit që i morëem të gjithë  shokët e shoqet e klasës për t’i lexuar e mbajtur në bibliotekat tona.

…!

Në këtë shtëpi ku jemi mbledhur e po gëzojmë sot vijnë shumë shokë e miq jo veç nga Shqipëria, por edhe nga jashtë  atdheut. Këtu vijnë shokët e fëmijerisë së Zeqirit nga Tropoja, vijnë ata të shumë viteve punë të Komitetit Qendror të Rinisë, të Frontit Demokratik, shokët e shtypit Qendror, vijnë nga Amerika , vijnë nga Kosova miq e dashamirë e sidomos shumë krijues. Por, ne të sotmit jemi më të privilegjuarit nga të gjithë, se ne  jemi shokët e shoqet më të vjetër, jemi maturantët 70 vjeçarë. Dhe jo vetëm të Zeqirit.

I dëgjuat kur folën këtu Gjergj Kola, Frrok Vukaj, Shaqir Aga etj. Më shumë se për Zeqirin folën për babain e Zeqirit, për Sadik Selmanin e Grisë të cilin e kanë njohur nga afër dhe e vlerësojnë kaq lart. Pra, stafeta e mikëpritjes jo veçse vazhdon por edhe naltohet në breza.

Duke përfundur këtë përshëndetje të thjeshtë në emër të të gjithë shokëve e shoqeve të klasës i urojmë Zeqirit e Sabries, të cilët këtë shtator festuan edhe 50 vjetorin e jetës bashkshortore, jëtë të gjatë e sa më të lumtur.

Zoti ua shtoftë bujarinë e gjithë të mirat e kësaj bote.

Me shumë respekt e dashuri,

Lekë Ndue RICA,

-Rana e Hedhur, Shëngjin, 20 Shtator 2018-