Nga Abdulla Mehmeti – Maqedoni
Shqiptarët në Maqedoni, nuk do të dalin dhe deklarohen PËR në referendumin e 30 shtatorit, pse këtë ua kërkon pushteti si obligim qytetar;
-pse janë naivë dhe lehtë mund të bëhen pre dhe viktimë e propagandës politike të pushtetit, partive politike të mediave;
– nuk do të dalin të deklarohen as për shkak të përmbajtjes së Marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit;
– për hatrin e liderëve të partive politike, të bindur për sukseset e tyre të derisotme dhe politikën që kanë udhëhequr në interes apo në dëm të shqiptarë në vend;
– për inat të opozitës maqedonse dhe të mbështetësve të saj nga qendrat e propagandës serbe dhe ruse, brenda dhe jashtë vendit;
– për ta dëshmuar numrin e shqiptarëve në vend dhe forcën e ndikimit të tyre si elektorat stabil dhe i fuqishëm në këtë shtet;
– pse për këtë çështje u bëjnë thirrje shumë qeveri, politikanë dhe diplomatë nga shtetet mike të botës;
– pse ndoshta mund të dëmtohet interesi i bashkëqytetarëve maqedonas dhe të tjerë, apo pse mund të përfitojnë grekët nga Marrëveshja e Prespës.
Por, shqiptarët në Maqedoni do të dalin të votojnë PËR në këtë referendum, sepse janë të bindur që me këtë hiqet pengesa, perdja e hekurt e vendosur nga disa fuqi jashtë vendit që e kanë penguar rrugën e integrimit të shtetit të tyre Maqedonisë në NATO dhe BE;
– sepse, pas tri dekadave pluralizmi, demokracie dhe tranzicioni nuk mund të jetojnë në një shtet që i mohon dhe shkel të drejtat kolektive të tyre;
-sepse nuk mund të jetojnë edhe më tej në një vend ku nuk funksionin shteti ligjor, ligji dhe drejtësia, parimet universale të të drejtave dhe lirive të njeriut, ku korrupsioni dhe krimi ka marrë përmasa shqetësuese, ku nuk ka progres shoqëror dhe ekonomik dhe nga kriza, pasiguria dhe kaosi përditë largohen qytetarët në botën e jashtme;
– sepse, nuk mund të jetojnë në pafundësi në një shtet me emër që ndërkombëtarisht identifikohet si ish republikë e Jugosllavisë, e cila që moti është fshirë nga lista e shteteve në OKB;
– sepse, shqiptarët janë autoktonë në këtë shtet, të cilin e konsiderojnë edhe për shtet të tyre, sepse në këtë territor e kanë gjurmë e tyre dhe të parardhsëve të tyre që në lashtësinë më të hershme;
– sepse, emri i ri i shtetit Maqedonia Veriore, është një përcaktim jo aq i pranueshëm për shqiptarët, por që përcakton pjesën e rajonit gjeografik të Maqedonisë, në afër 37% të së cilit është krijuar shteti i Maqedonisë më 1944 dhe është shpallur shtet i pavarur më 1991;
– sepse, përkrah të vërtetave të tyre që i mbrojnë maqedonasit sllavë të vendit, grekët, bullgarët dhe serbët fqinjë, mbi Maqedoninë e sotme, shqiptarët vendës duhet ta dëshmojnë përpara botës të vërtetën e tyre, se janë autoktonë në këtë shtet, se janë popull shumicë, se dinë t’i dalin zot të vërtetës, identitetit, historisë, kulturës dhe gjuhës së tyre;
– sepse janë përkrah fuqive të mëdha të botës, sidomos përkrah aleatëve të tyre SHBA, BE dhe NATO, për forcimin e stabilitetit, ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe në rajon, ku përgjatë shekujve janë zhvilluar përplasje të mëdha kulturash dhe civilizimesh, interesash gjeopolitike dhe gjeostrategjike, gati përherë në dëm të shqiptarëve.
– sepese, shqiptarët me këtë duan të dëshmojnë se janë FAKTOR i fuqishëm, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon dhe më gjerë.
(23 shtator 2018)