Hierarkia e mandati i institucioneve kryesore kushtetuese

Nga prof. asoc. dr. Afrim Krasniqi, analist

Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se “sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit” dhe se “Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”. Kushtetuta është kontrata politike midis shtetit e qytetarëve, – kaloi me referendum (drejtpërsëdrejti) më 1998, por u ndryshuar nga njëra palë (pushteti) më 2007, 2008, 2012, 2015, 2016 e pritet të ndryshojë edhe më 2018/2019. Ndryshimi më i madh 2008 ua mori sovranitetin qytetarëve duke krijuar parti piramidale me kryetarë të gjithëpushtetshëm, – të cilët emërojnë parlamentin, ministrat, zyrtarët politike e shtetërore, dhe vetë, as nuk zgjidhen dhe as nuk japin llogari; – si dhe më 2016 me reformën në drejtësi iniciuar e imponuar prej SHBA e BE.
Cila është demokracia e sotme përfaqësuese? Si e ushtrojnë sovranitetin? Shqipëria është vendi i vetëm shumëpartiak në botë ku qytetarët zgjedhin vetëm një individ, – kryetarin e bashkisë. Të gjithë të tjerët, nga Presidenti tek këshilli bashkiak, “zgjidhen” indirekt, përmes “sovranitetit të deleguar”, nga partitë dhe mbi-pushteti i liderëve të tyre politikë.


Ja cila është hierarkia në RSH. Institucioni më me shumë vota zgjedhore është Avokati i Popullit dhe kreu i ILDKPI, – të tjerët në votimin e parë ose të dytë zgjidhen me 71 vota, aq sa i mjaftojnë një partie të krijojë shumicën, e vetme, me ndonjë aleat ose me ndonjë deputet të trafikuar nga partitë e tjera. Rregulli në demokraci duhet të ishte i ndryshëm: institucionet më me pushtet duket të kishin mandat më të plotë zgjedhor, institucionet më me shumë mandat duket të kishin pavarësi e integritet më të gjerë zgjedhor dhe për më tepër, “zgjedhje” nënkupton jo votimin e një emri të vetëm në “garë”, por minimalisht dy emra, ku njëri fiton më shumë mbështetje. Ne nuk kemi as njërën, as tjetrën. Këtu jemi të ngjashëm me atë kohën kur mendonim se shkonim në zgjedhje, por realisht shkonim në votime, – vota ishte formale, ishte akt nënshtrimi dhe qeverisja “në emër të popullit” solli katastrofë për popullin, shtetin dhe shoqërinë.

Reformat reale në sistem nuk bëhen me konferenca shtypi, me sharje dhe as me statuse në facebook e twitter, por me vizion, kurajo, platformë e nismë konkrete. Krye-reforma pikërisht këtu duhet të ketë pikënisjen: tia kthejmë sovranitetin qytetarëve, të zgjedhin qytetarët përfaqësuesit e tyre dhe jo të votojnë formalisht listat e gatshme të 2-3 kryetarëve, të ketë garë zgjedhore dhe jo akte formale votimi, të ketë baraspeshë midis mandatit, përgjegjësive dhe legjitimitetit zgjedhor, të ketë hapje ndaj ideve dhe prurjeve cilësore dhe largim nga praktika e deritanishme e emërimeve besnike, të ketë konsensus për reforma të mëdha jo për emra miqsh të përbashkët, pra të ketë demokraci më përfaqësuese, më funksionale, më cilësore dhe më periodike në mandat drejtimi në vend të piramidës oligarkike që kemi krijuar prej vitesh në parti, në ekonomi, në shtet, në shoqëri.