Artistët bëhen bashkë në këngë dhe apelojnë kundër shkatërrimit të lumit në Valbonë

Artistët shqiptarë bashkohen në një këngë për të mbrojtur lumenjtë e Shqipërisë. Kënga e gjelbër “Lum Lumi i Lirë” përpiqet të kontribuojë pro kauzave në mbrojtje të lumit Valbonë dhe lumit të fundit të egër në Europë, Vjosës.

Elina Duni, Eda Zari, Linda Rukaj, Vlashent Sata, Shpat Deda, Gert Kapo, Kleidi Eski, Sokol Çunga, Mikaela Minga etj, bashkëpunuan për të realizuar këngën dhe videon “Lum Lumi i Lirë“.

Ajo lindi si nevojë për përhapjen e informacionit mbi padrejtësitë sistematike që po u bëhen lumenjve, natyrës, si dhe për të mbështetur zërin protestues të banorëve pranë zonave të këtyre lumenjve.

Njëkohësisht, kënga vlen për të fuqizuar ndërgjegjësimin e çështjes në mbarë shoqërinë tonë.

Muzika është e gjithëpranishme dhe gjithëpërfshirëse në jetën tonë. Ajo stimulon kënaqësi në tru dhe në gjendjen emocionale.

A mund ta ndryshojmë botën me një këngë? Jo, por një këngë ndryshon botëzën dhe perceptimin e secilit prej nesh!

Ku ka lumenj, ka gjithmonë arsye për të ndërtuar ura mbi të cilat ecim dhe përqafojmë hallet e njëri–tjetrit. Është një përpjekje për të bashkuar dhe solidarizuar aktivistët, shoqatat, si ato pro Valbonës dhe Vjosës, por edhe cilindo individ që punon e shqetësohet për ekzistencën dhe vlerat e shoqërisë sonë.

A do të mundemi të ndërgjegjësohemi për një të vërtetë të madhe se, as në një të ardhme të afërt, por as të largët, kurrë, s’ka për të pasur një Shqipëri të dytë me këtë natyrë si kjo që kemi? Prandaj ejani ta mbrojmë. Ky është apeli i artistëve si vullnetarë, qytetarë, kolegë, bashkëkombës, mbi të gjitha si njerëz.

https://youtu.be/22BNc4mJ3ZI