Vrasja e grave dhe vajzave vijon të mbetet një plage për shoqërinë dhe sfidë për shtetin shqiptar.
Megjithë përmirësimet ligjore qysh prej vitit 2006, krimi ndaj gruas ka mbetur në të njëjtat nivele, ndaj detyroi qeverinë së fundi të ndërhyjë sërish në ligjin kundër dhunës në familje.
Edhe ndryshimet e një viti më parë, si pjesë e reformës në drejtësi, e përjashtuan gjykimin e shkurtuar nga vepra penale e vrasjes së grave, pasi duke përdorur atë autorët e krimit i shpëtonin dënimit me burgim të përjetshëm.
Strukturat shtetërore janë të vetëdijshme që kur vjen puna për trajtimin financiar të fëmijëve të nënave të vrara, ka ende vend për përmirësime.
Nga Tirana njofton për Zërin e Amerikës gazetarja Mimoza Picari.
Në shtëpinë e Ardiana Shahollit, ndodhet e varur në një mur piktura e një prej 6 fëmijëve të saj, Pranverës 15 vjeçe. “Mbështetja më e ngrohtë është në krahërorin e nënës” – shkruan ajo mbi pikturën që paraqet një fëmijë me kokën e mbështetur në gjoksin e nënës.
Ermira, njëra nga vajzat e saj, thotë se një ditë kur ata nuk ishin në shtëpi, dhe ajo ishte vetëm, humbi dhe jetën.
Ardiana Shaholli 40 vjeç, në Durrës, u rrah deri në vdekje nga bashkëshorti i saj pas një konflikti të përsëritur.
Alija, vajza 15 vjeçare e thërret kujtimin e nënës përmes tingujve të kitarës, të cilën e praktikon në një kishë aty pranë.
Ermira, Erisa dhe Fjorela përkatësisht 13, 12 dhe 8 vjeçe, në prani të psikologes Edlira Tafani, thonë se nëna e tyre ishte shumë e duruar, dhe se kishte besim në vete.
Vëllai i vetëm i 5 motrave, Shpendi 18 vjeç dhe Pranvera 17 vjeçe, më të rriturit, ishin në punë për të siguruar mbijetesën. Të gjithë të shkëlqyer në shkollë.
Ardiana nëna e tyre, është një ndër 13 gratë dhe vajzat viktima të vrasjes në 8 muajt e parë të këtij viti. 4 u vranë nga bashkëshortët. 4 gra dhe vajza u vranë në Selenicë nga afërmi i tyre. 2 për shkak të marrëdhënieve familjare. 1 në Shkodër bashkë më bashkëjetuesin e saj në prani të fëmijës rreth dy vjeç. Dhe dy vajza njëra 21 dhe 19 vjeçe u vranë për shkak të përndjekjes, në mes të Tiranës.
Që prej vitit 2010 në Shqipëri kanë humbur jetën nga dhuna 154 gra dhe vajza, 106, janë viktima të dhunës në familje, 73 prej të cilave janë vrarë nga bashkëshorti.
Përpjekjet ligjore për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave nisin në 2006, me miratimin e ligjit kundër dhunës në familje si dhe me kalimin e veprës penale të vrsajes së gruas tek Gjykata e Krimeve të Rënda.
Anila Hoxha gazetare e televizionit Top Channel thotë se as kjo lëvizje ligjore nuk e uli krimin ndaj gruas.
Ndëshkimi i autorëve të vrasjes së grave dhe vajzave, mbetet një çështje e nxehtë që shkakton polemika në strukturat që përgatisin një dosje për prokurorinë dhe gjykatën.
Zëvendës ministrja e brendshme, Romina Kuko thotë se, kur kanë kryer analiza në strukturat e policisë rast pas rasti, kanë vënë re se ka patur vendime të gabuara të gjykatave.
Krimi në familje, u dyfishua në vitet 2011 dhe 2012 në raport me vitin pararendës. 49 gra dhe vajza ishin viktima të vrasjes. E shqetësuar nga kjo situatë, qeveria e asaj kohe, shpalli nismën për ashpërsimin e dënimit për autorët e krimit në familje.
Kryeministri Sali Berisha, njoftoi në mbledhje qeverie ndryshime ligjore, që parashikojnë dënim përjetë të vrasësve të grave.
Autorët e krimit në familje shfrytëzuan kërkesën për gjykim të shkurtuar për t’i shpëtuar dënimit përjetë, gjë që e zgjidhi Reforma në Drejtesi.
Tani për të gjitha veprat penale, për të cilat parashikohet dënim i përjetshëm nuk ka më gjykim të shkurtuar, siç është rasti i gjakmarrjes dhe rasteve të dhunës në familje.
Krimi ndaj grave preku në gusht të vitit 2017 vet sistemin e drejtësisë. Gjyqtarja Fildez Hafizi mbeti e vrarë nga ish- bashkëshorti.
Prej një viti familjarët kërkojnë drejtësi, ndërsa çështja ka kaluar sa në një gjykatë tek tek tjetra.
Gazetarja Anila Hoxha thotë se me ligjet e reja, nga Gjykata e Krimeve të Rënda duhej të kalonte në një gjykatë të zakonshme, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda shndërrohet në Gjykatë të Krimit dhe Korrupsionit.
Këtë ngërç – thotë ajo e zgjidhi Gjykata e Lartë dhe çështja vijon të gjykohet tek Krimet e Rënda.
Romina Kuko, zëvendës ministrja e brendshme, thotë se rasti i zonjës Hafizi duhej të ishte një këmbanë alarmi, por ajo sqaron se ndryshimet e reja ligjore e ndalojnë këtë ping-pong.
E ndërsa gruaja në familje ka marrë mbrojtje ligjore vit pas viti, ajo jashtë marrëdhënieve familjare ishte thuajse e pambrojtur.
Ariela Murati dhe Xhuljeta Çuni 21 dhe 19 vjeç u vranë këtë vit nga përndjekësit. Me ndryshimet e reja ligjore situata ndryshon.
Ogerta Manastirliu, ministre e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, shpjegon se ndryshimet e reja ligjore në ligjin për dhuën ndaj grave parashikojnë, jo vetëm mbrojtje për viktimën në raport familjar por edhe në marrëdhënie të afërta.
Zëvendës ministrja e brendshme, Romina Kuko, thotë se ky është rasti që nëse një grua vajzë ndjehet e përndjekur, të denoncojë.
Ligjet janë forcuar, por në korpusin ku ato priten të zbatohen po ndodh një shkundje për shkak të reformës. Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe gazetarë lexojnë një çoroditje në radhët e drejtësisë.
Arjana Muçaj, pedagoge në fakultetin e shkencave sociale, thotë se ligjet e reja duhet të zbatohen pavarësisht nëse ka apo jo Vetting. Dhuna nuk njeh vetting – thotë ajo.
Edhe Anila Hoxha, gazetare e televizionit Top Channel, thotë se çdo gjyqtar dhe prokuror është në ethet e dokumentave të vettingut.
Krimi në familje lë pas plagë të thella sociale, fëmijë pa nënë dhe me babain në burg apo të vetëvrarë. Për fëmijët nën 18 vjeç punohet që të kenë një familje biologjike. Në të kundërt ndërhyjnë strukturat e shërbimit social.
Fëmijët, të cilëve babai u ka vrarë nënën dhe vetë është nën gjykim, nuk e përfitojnë statusin e jetimit. Kujdestari nuk përfiton ndihmë financiare deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës.
Ligji parasheh një pension, por kjo varet nga vitet e punës së siguruara të nënës. Fëmijët e gjyqtares së ndjerë Fildez Hafizi përfitojnë secili nga 4 mijë e 500 lekë pension nga e ëma, pasi ajo kishte 17 vite punë të siguruara.
Ministrja Ogerta Manastirliu thotë se trajtimi është multidimensional. Ajo ngarkon me përgjegjësi pushtetin vendor dhe pranon se ka vend për përmirësime në këtë drejtim. Në bashkëpunim me shoqatën e jetimëve shpjegon zyrtarja e lartë e qeverisë, po shohim të ndërhyjmë tek statusi i jetimit.
6 fëmijët e të ndjerës Ardiana Shaholli që u vra nga bashkëshorti, më i madhi 18 vjeç gjatë verës u ushqyen me punën e tij dhe të motrës 17 vjeçe. Me fillimin e shkollës jeta e tyre hyn në një kolaps. E megjithatë ata shohin dritë në fund të tunelit dhe ëndrrat i kanë të qarta.
Fjorela, njëra nga vajzat e së ndjerës Ardiana Shaholli, ëndërron që, kur të rritet të bëhet police, të mbrojë gratë të mos kenë fatin e nënës së saj, Erisa, vajza tjetër, dëshiron të bëhet psikologe të ndihmojë fëmijët si ajo, të tejkalojnë çaste të tilla të vëshitra dhe Ermira në një shoqatë bamirëse të ndihmojë njerëzit në nevojë, ashtu si “Fundjavë Ndryshe” dhe emisioni “Stop” në Tv Klan, ndihmuan atë, 5 motrat dhe vëllain të kenë një shtëpi të re.
Një foto, që qëndron e ekpozuar më shumë se të tjerat në shtëpinë e tyre të re, është e fundit e të gjithë fëmijëve me nënën e tyre Ardiana Shaholli.
“Ishte 8 Marsi, thotë Ermira, vajza e saj. I bëmë mamit surprizë, e morëm dhe bëmë shëtitje atë ditë të gjithë bashkë, ne fëmijët dhe ajo. Ky është 8 Marsi i fundit i saj, dhe i yni me të, thotë ajo, me sytë gjithë lot dhe trishtim”.