Nga Namik Selmani
Po më pret Mirditë e Shkronjës
Të marr palët e kurorës.
Ta bëj emrën gur Bukmire
Ta bëj hapin dritë drite.
Më pret fjalë e mencuruar
Mal më mal filiz i shtuar
Gemb më gemb zgjohet burimi
Tel më tel zgjohet kushtrimi.
Marr në krahë ëndrrën martire
Plumbat bëhen dritë lirie
E mbjell lulen në murranë.
Zgjoj kah motesh Kapedanë
Dëgjoj zanin e Ndrecë Gjokës
N’prag t’kasolles po zgjoj shkollën
Kur të dalë në maja dielli
E baj zemrën bash si qielli.
Prag më prag prek andrën shqipe
Me Gjokë Becin, Bacë Mirdite
Kapedan mes vargjesh thurur
Ta kam borxh fjalën e bukur!
O Mirditë, o dritë bajraku
Gur më gur lumnoka pragu.
Ku gurron mes lisash kroni
Po piskon Shtjefën Gjeçovi.
Po piskon martinë e fjalës
Ndë Orosh si palë e dallgës.
Te një shkëmb ku vjen shqiponja
Te Mirdita ballëkurora.
Në kuvende baj pajtimin
Në altar e bekoj birin.
Dhe me dhëmbë piskoj këmbanën
Besë e trollit ma than plagën.
Boston, 13 shtator 2018