Rihapet pas 17 vitesh stacioni i metrosë në Nju Jork që u shkatërrua më 11 shtator 2001

Një stacion metroje në Nju Jork, që u shkatërrua gjatë sulmit terrorist të 11 shtatorit ndaj Qendrës Botërore të Tregëtisë, u rihap pas 17 vjetësh. Qyteti i Nju Jorkut ka shpenzuar 181.8 milionë dollarë për të rindërtuar stacionin e rrugës Cortland, nën Qendrën Botërore të Tregëtisë. Tavani duhej rindërtuar plotësisht pasi pjesë të Qendrës Botërore të Tregëtisë, ranë. Edhe shinat duheshin zëvendësuar. Emri i ri i stacionit është Cortland në Qendrën Botërore të Tregëtisë.

Treni i parë që mbërrin në platformën e stacionit të rindërtuar, u përshëndet me brohoritje dhe hare të shtunën.

“Nuk më besohet që pas 17 vjetësh, vjet dita që ndalon përsëri këtu”, thotë Fideo Molina nga Bronks i Nju Jorkut.

Stacioni i rindërtuar ka një mozaik prej mermeri të quajtur “Kor” të artistes, Ann Hamilton. Puna e saj përfshin tekste nga Deklarata e Pavarësisë e vitit 1776 dhe deklarata e të Drejtave të Njeriut e OKB-së.

“Kemi punuar vërtet me intensitet gjatë tre viteve të fundit për ta rindërtuar stacionin në këtë vend shumë simbolik dhe të veçantë në Nju Jork. Puna artistike është spektakolare. Është një nderim i përshtatshëm për ata që humbën jetën më 11 shtator”, thotë Andy Byford i Agjencisë Metropolitane të Transportit.

Rinovimi filloi vonë, sepse po punohej në zonën mbi tokë që u shkatërrua në sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Por, projekti përfundoi në kohë për të shënuar 17 vjetorin e sulmit më të rëndë terrorist në Shtetet e Bashkuara. Mbi 2 mijë e 700 vetë humbën jetën dhe mijëra të tjerë u plagosën kur dy avionët goditën qendrën dhe përmbysën kullat binjake. Babai i Walter Matuzës u vra në Kullën Veriore, kur Walter ishte vetëm 10 vjeç.

I biri i një viktime të sulmit të 11 shtatorit

“Është fantastike të jem këtu dhe të bëj fotografi të shenjës së Qendrës Botërore të Tregëtisë”.

Zyrtarët e transportit thonë se Cortland në Qendrën Botërore të Tregëtisë nuk është thjesht një stacion i ri, është një simbol i vendosmërisë së njojorkezëve jo vetëm për të rindërtuar por edhe për të përmirësuar gjithë zonën përreth Qendrës.